Obama në Europë, në kërkim të aleatit strategjik

May 23, 2011 | 12:58

Presidenti amerikan Obama do të vijë sot në Europë. Në rend të ditës së takimit të G-8 në Deauville të Francës ndodhen tema të politikës ekonomike dhe tema ndërkombëtare, si për shembull situata në vendet arabe. “Deutsche Welle” raporton se gjatë vizitës në Irlandë, Britani të Madhe dhe në Poloni, Presidenti amerikan do të kujdeset edhe për marrëdhëniet bilaterale. “Unë mendoj se në shtatë apo tetë vitet e fundit janë krijuar shumë tensione midis SHBA dhe Europës. Një nga synimet e qeverisë sime është rinovimi i aleancës historike.” Këto kanë qenë fjalët e presidentit amerikan në vitin 2009. Në vitin e parë të mbajtjes së postit ai ishte gjashtë herë në Europë. Pavarësisht ku qëndroi, në Berlin, Pragë apo Bruksel, ai u prit me entuziazëm të madh. Por, ndërkohë, ish-mbajtësi i shpresave ka zbritur në tokë, është kthyer në jetën politike, jo vetëm në SHBA. Edhe në marrëdhëniet me partnerët europiane, rilindja e shpresuar e marrëdhënieve të privilegjuara nuk është realizuar deri tani. Werner Weidenfeld, profesor për politikë në Universitetin e Mynihut dhe vëzhgues disavjeçar i partneritetit transatlantik: “Përpjekja e kthimit të marrëdhënieve siç kanë qenë më parë, një aleance strategjike, një partneritet strategjik për të gjitha çështjet e politikës botërore, kërkon shumë më tepër fuqi dhe angazhim se sa kanë dhënë amerikanët dhe europianët deri tani.” Megjithëse nga të dyja anët e Atlantikut bëhen premtime për këtë aleancë strategjike gati në të gjitha temat globale. Kështu deklaroi në kuadër të këtij udhëtimi të Obamës, ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë partnerë. Ne punojmë pothuajse në të gjitha temat globale dhe mundësisht në të gjitha konfliktet rajonale. Ne bashkëpunojmë në të gjitha çështjet e domosdoshme, të rëndësishme dhe afatgjata mbi bazën e një bashkimi transatlantik, i cili mbështetet në të njëjtat vlera demokratike dhe në besimin e mundësive të pakufizuara të individit.” Kjo përzierje e llogarive pragmatike dhe idealeve të “ëndrrës amerikane” nuk përputhet gjithnjë me pozicionet amerikane. Këtë e tregoi edhe kriza e fundit në Libi. Kur Gjermania nuk dha në Këshillin e Sigurimit të KB votën për rezolutën për Libinë, SHBA nuk e priste dhe gjeti zgjidhje me një mënyrë tjetër. Vizita e Obamës tek europianët vjen në një moment kur e ardhmja e Bashkimit Europian është gërshetuar me shumë pikëpyetje, për shkak të krizës së borxheve të disa vendeve. Presidenti amerikan ka hequr dorë nga qëndrimi në Bruksel, qendra e Bashkimit Europian. Obama nuk do të qëndrojë as në Gjermani. Megjithatë, Obama do të ketë mundësi të mjaftueshme të flasë më Angela Merkelin, gjatë takimit të G-8 në Deauville dhe gjatë vizitës së saj në Uashington, në fillim të muajit qershor.

© Panorama.al

Te lidhura