Obama me ushtarët: Al Kaidës i “premë kokën”

May 7, 2011 | 10:31

KENTAKI- Presidenti amerikan Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara ia kanë “prerë kokën” me vrasjen e Osama bin Ladenit, dhe shtoi se Amerika është në rrugë për të mundur këtë grup islamist terrorist.

Duke folur në Fort Kempbell në shtetin Kentaki, ku u uroi trupave speciale që morën pjesë në operacionin special në Pakistan, Obama u tha atyre se “puna është kryer mirë”.

Obama më pas përsëriti të njëjtin mesazh para qindra ushtarëve që brohorisnin me entuziazëm në një aerodrom aty pranë:

“Erdha këtu për arsyen e thjeshtë, që t’ju falenderoja në emër të Amerikës. Kjo ka qenë një javë historike për kombin tonë”, citon Voa, Obamen.

Baza Fort Kampbell ka pësuar humbje të konsiderueshme gjatë luftimeve në Afganistan. Zoti Obama ka tërhequr rreth 100 mijë trupa nga Iraku dhe ka dërguar dhjetëra mijëra të tjerë në Afganistan. Ai u tha ushtarëve se vendimi për t’i dërguar në vijën e frontit përballë armikut ishte më i vështiri që ka marrë si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe arriti në këtë vendim pas një analize të kujdesshme.

Presidenti shprehu mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan për të eliminuar kërcënimin që paraqiste bin Ladeni:

“Falë aftësive dhe kurajos së jashtëzakonshme të individëve, agjentëve dhe ushtarakëve të panumërt gjatë viteve, udhëheqësi terrorist që sulmoi vendin tonë më 11 shtator, 2001 nuk do ta kërcënojë më kurrë Amerikën”.

Zoti Obama tha se vrasja e Bin Ladenit ishte një hap përpara drejt çlirimit të Shteteve të Bashkuara dhe botës nga kërcënimi i al-Kaidës. Por ai nënvizoi se lufta kundër al-Kaidës dhe terrorizmit në përgjithësi do të vazhdojë.

© Panorama.al

Te lidhura