“Nusja ishte mirë, mjekët të dënohen për vdekjen”

Jan 10, 2012 | 11:07

Eriola Dinoshi, 22-vjeçarja që ndërroi jetë në maternitet

Korçë, vjehrra e Eriola Dinoshit: Vetëm pse s’u dhamë lekë ndodhi tragjedia e familjes.

Vdekja ende e paqartë e 22-vjeçares Eriola Dinoshi në Maternitetin e Korçës ka sjellë reagimin e familjarëve të saj, të cilët kërkojnë zbardhjen e rastit. Të pushtuar nga hidhërimi, prindërit e bashkëshortit të saj, duke mbajtur në dorë djalin dyvjeçar të së ndjerës, kanë kërkuar drejtësi për vdekjen e saj, ndërsa hedhin dyshime mbi mjekët. Familja, e cila pas ceremonisë mortore është mbyllur në ambientet e shtëpisë, në fshatin Symiz të rrethit të Korçës, ka apeluar për vazhdimin e hetimeve në pistën e mjekimit të pakujdesshëm. Gjendja e mirë shëndetësore që gëzonte Erjola Dinoshi i nxit familjarët në dyshimin se gjithçka mund të ketë ndodhur si pasojë e punës së pakujdesshme të mjekëve. Tashmë me dy fëmijë jetimë, për të cilët duhet të kujdesen, familjarët ngrenë versionin se nëse do të ishte bërë më tepër, 22-vjeçarja mund të ishte ende në jetë. Duke mbajtur në dorë djalin 2-vjeçar, Bukurie Dinoshi pohon se nuk kanë ngritur denoncim për shkak të pamundësisë financiare, por kjo nuk e zbeh apelin e tyre drejtuar Policisë dhe Prokurorisë për drejtësi. Mes lotësh, vjehrra e 22-vjeçares tregon: “Nusja gëzonte shëndet të plotë, punonte, kujdesej për fëmijët, shtëpinë dhe ne. E kemi çuar për të sjellë në jetë djalin 4 orë para se të lindte. Nuk e kishte as lindjen e parë. Ne duam që të gjendet shkaku dhe mjekët të dënohen, nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë. Vetëm se nuk u dhamë lekë mjekëve të ndodhë kjo gjë. Ky është rasti i tretë apo i katërt në Korçë, nuk mund të vdesin njerëzit kështu. Tani më mbetën mua dy jetimë për të rritur. Duhet të gjej forcën, pale pamundësinë ekonomike. Unë dua që të bëhet e qartë çdo gjë, por nuk kam mundësi t’i ndjek këto gjëra me ato pak të ardhura që kemi. Tani duhet të kujdesemi për fëmijët që mbetëm pa nënë”. Sipas familjarëve, edhe djali i porsalindur ka probleme shëndetësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve pediatër. Burime nga Prokuroria e Korçës bëjnë me dije se në lidhje me rastin kanë nisur hetimet kryesisht. Sipas tyre, pavarësisht se nga ana e familjarëve nuk është ngritur asnjë denoncim kundrejt stafit mjekësor që ndoqi rastin, është kryer një ekspertizë mjekësore, rezultatet e së cilës do të jenë përcaktuese në vijimin e hetimeve apo pistën konkrete që duhet ndjekur. Ndonëse në kartelë, shkak i vdekjes është shënuar nga mjekët ai i një “aksidenti vaskular”, (hemorragji e vazhdueshme), hetimet nuk përjashtojnë pistën e një mjekimi të pakujdesshëm.

Vjehrri I 22-vjeçares: Erjola na bëri kafen e fundit atë mëngjes
Vjehrri i viktimës, Myrteza Dinoshi, ka treguar disa detaje të ditës kur ndodhi ngjarja dhe gjendjen e nuses së djalit të tij.
Prej sa vitesh ishte martuar Eriola me Fatosin?
Kishin tre vjet martuar. U njohën vetë, u lidhën dhe para tre vjetësh u martuan. Vitin e parë lindi djali që e quajnë Xhunior, ndërsa tani priste të dytin. Nusja nuk e meritonte një fat të tillë.
Si ishte Eriola ditën që e çuat në shtëpinë e lindjes?
Ishte shumë mirë, madje në mëngjes u çua, na bëri dhe kafen, por ajo ishte për ne kafja e fundit prej saj.
A kishte probleme shëndetësore?
Jo, ishte shumë e shëndetshme, madje edhe pse ishte shtatzënë, ajo punonte shumë, i bënte vetë të gjitha punët e shtëpisë.
Pse nuk keni denoncuar deri tani?
Sepse nuk kemi mundësi financiare.
Për të bërë denoncimin duhet të paguash, sipas jush?
Jo, por sapo të dalësh te dera duhen lekë dhe ne kemi shumë pak të ardhura. Tani duhet të mendojmë edhe për fëmijët e mbetur jetimë.
Ju do ta ndiqni rastin?
Unë do t’i shkoj deri në fund, borxh do të marr, por nuk e le me kaq, mjekët duhet të paguajnë. Nuk mund të vdesë njeriu kështu dhe fajtorët të mbeten pa faj.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura