TIRANË- Kreu i shtetit ka apeluar sërish sot për përmbyllje të shpejtë dhe me korrektesë të procesit të numërimit të votave.
Deklarata është bërë gjatë takimit me Drejtoren e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani, e cila shoqërohej nga Shefi i ri i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marko Lajdeker, me rastin e marrjes së detyrës në vendin tone.
Gjatë takimit, biseda është përqendruar edhe në procesin zgjedhor. Presidenti Topi përshkroi ecurinë e zgjedhjeve vendore të 8 majit, veçanërisht të situatës paszgjedhore, si dhe u ndal në rëndësinë e përmbylljes sa më shpejt dhe sipas standardeve demokratike, korrekte e transparente të procesit të numërimit të votave.
Nga ana e tyre, Drejtorja e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani si dhe Shefi i ri i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marko Lajdeker, vlerësuan kontributin e efektshëm të Presidentit Topi për ekuilibrimin e jetës politike dhe bashkëpunimin e frytshëm me institucionet shtetërore.
Luçiani e siguroi Kreun e Shtetit se Këshilli i Evropës dhe veçanërisht zoti Lajdeker së bashku me stafin që ai do të drejtojë, do të punojnë pa u kursyer në drejtim të konsolidimit të demokracisë, të përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor elektoral, bashkëpunimit transparent, profesional dhe efektiv me institucionet shqiptare në kuadër të përmbushjes së standardeve të duhura integruese për në Bashkimin Evropian.
© Panorama.al











