Nuk mblidhet Këshilli Bashkiak, 950 fëmijë të kopshteve ende pa drekë

Sep 18, 2012 | 13:52

FIER- Rreth 950 fëmijë të kopshteve publike të Fierit kanë marrë gjatë këtyre ditëve ushqimin e drekës me vete. Vakti i drekës për fëmijët u hoq këtë vit, për shkak se Bashkisë Fier i janë ndërprerë të ardhurat nga granti i kushtëzuar me vendim të Ministrisë së Financave, me arsyetimin se duhen paguar detyrimet ndaj kompanisë CEZ të sh.a. Ujësjellës. Zgjidhja e vetme për problemin e drekës në kopshtet me ushqim ishte mbledhja e Këshillit të Bashkisë, por ky i fundit ende nuk po mblidhet. Megjithëse ishte lënë dita e djeshme për t’u zhvilluar mbledhja, mosplotësimi i kuorumit të nevojshëm bëri që ajo të shtyhet për një afat të pacaktuar. Mësohet se nuk ka pasur asnjë njoftim nga këshilltarët që nuk u paraqitën në mbledhje. Anulimi i saj bëri që edhe dje prindërit e 950 vogëlushëve të humbin shpresat për një rregullim të gjendjes së kopshteve, që mbetën tashmë pa ushqim. Kjo është java e dytë që fëmijët e kopshteve vazhdojnë të marrin bukë me vete, kryesisht ushqim të thatë, për shkak se ushqimet e llojeve të tjera nuk lejohen nga shërbimi hijeno-sanitar. Prindërit bëjnë apel të gjendet një zgjidhje, pasi nuk mund të operojnë çdo ditë në këtë formë, duke iu dhënë që në mëngjes fëmijëve bukën, të cilën do ta konsumojnë disa orë më pas, në drekë.

© Panorama.al

Te lidhura