Kreu i Grupit Parlamentar të PL-së, Tedi Blushi iu drejtua deputetëve socialistë në Konferencën e Kryetarëve se nuk kanë kurajon e Marjana Koçekut, e cila u largua nga grupi i PS-së për shkak të protestave ndaj qeverisë.
“Keni kurajon që pati Marjana Koceku dhe braktisni varkën e Edi Ramës nëse nuk mendoni që të mbyteni bashkë me të. Kuvendi duhet të reagonte menjëherë për kërcënimet që ka marrë Neomalesorja nga bandat e lidhura me Edi Ramën.”, tha ai.
Ai kërkoi mocion me debat me kryeministrin Edi Rama dhe për kërkesat e protestuesve, duke thënë se nuk mund t’i fshihet llogaridhënie. Ai akuzoi socialistët se janë marrë “peng” nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa kërkoi që të dëgjohet zëri i qytetarëve që protestojnë prej tre javësh në shesh.
“Parlamenti Evropian flet për kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të flasë për to. A ka absurd më të madh? Parlamenti nuk mund të përfaqësojë vetëm interesat mafioze të Edi Ramës por duhet të ketë kryeaxhendë kërkesat e shqiptarëve.”, theksoi Blushi.
Pjesë nga fjala e tij:
Hapni sytë dhe veshët dhe dëgjoni zërin e qytetarëve ose tregoni për çfarë ju ka marrë peng Edi Rama që s’keni as kurajon që pati Marjana Koçeku. Edi Rama nuk mund t’i fshihet me sovranit dhe llogaridhënies. Nuk mund të ketë rend dite në seancën plenare veç kërkesave legjitime dhe shumë të drejta të protestuesve. Meqenëse Rama nuk ka as guxim dhe as këllqe të ballafaqohet me shqiptarët në shesh të vijë të përballet në Kuvend urgjentisht.
Parlamenti Evropian flet për kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të flasë për to. A ka absurd më të madh? Parlamenti nuk mund të përfaqësojë vetëm interesat mafioze të Edi Ramës por duhet të ketë kryeaxhendë kërkesat e shqiptarëve.
Të votohet urgjentisht ndryshimi kushtetues për kufizimin e mandatit të kryeministrit në vetëm 2 mandate. Mbështetja e kërkesës edhe nga PD tregon qartë se ka vetëm një pengmarrës të demokracisë, rotacionit, llogaridhënies, standardeve europiane të qeverisjes së mirë dhe lirive e të drejtave të shqiptarëve, i cili është Edi Rama.
Partia e Lirisë shpreh vullnetin për ta miratuar menjëherë këtë ndryshim kushtetues, që i jep fund pengmarrjes mafioze të qeverisjes. Keni kurajon që pati Marjana Koceku dhe braktisni varkën e Edi Ramës nëse nuk mendoni që të mbyteni bashkë me të. Kuvendi duhet të reagonte menjëherë për kërcënimet që ka marrë Neomalesorja nga bandat e lidhura me Edi Ramën.
© Panorama.al












