Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate, ku në qendër ka qenë protesta e mijëra qytetarëve që prej 26 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Deputetja e PD, Ina Zhupa është shprehur se kryeministri merret me protestuesit, ndërsa teksa iu drejtua socialistëve i tha se “juve ju është ndarë detyra ti sulmoni ata”.
Zhupa teksa i bëri thirrje që të marrni në konsideratë kërkesat e protestuesve, i tha se “qytetarët ju urrejnë”.
“Është e turpshme të fabrikoni prova për të sulmuar protestuesit. Kryeministri merret me protestuesit, ndërsa juve ju është ndarë detyra t’i sulmoni ata. Por protestuesit ju përbuzin dhe ju urrejnë masivisht.
Ju harroni ose bëni sikur harroni se protesta nuk ka 2, 3 apo 10 protestues, siç mendoni ju se po sulmoni. Protesta përfaqëson mijëra qytetarë dhe, po e përsëris, ata ju urrejnë.
E vetmja rrugë për ju është të merrni në konsideratë kërkesat e tyre. Nuk keni rrugë tjetër.
Ne nuk kemi nevojë të marrim leje për të përfaqësuar qytetarët, sepse kjo nuk ka nevojë për shpallje. Ne e bëjmë këtë çdo ditë dhe e bëjmë me nisma konkrete. Ky është ndryshimi mes nesh dhe jush: ne jemi me qytetarët, ndërsa ju jeni me karrigen”, mësohet të këtë thënë Ina Zhupa.
© Panorama.al












