Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se mazhoranca nuk e njeh partinë e Sali Berishës si përfaqësuese të protestuesve dhe nuk do të pranojë që ajo të paraqesë kërkesa në emër të tyre në Kuvend.
Në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla tha se sapo protestuesit të dërgojnë zyrtarisht me shkrim kërkesat e tyre në Kuvend, do të marrin një përgjigje.
“Nuk e njohim partinë e Berishës, nuk e pranoj për përfaqësuese të kërkesave të protestuesve. Sapo nga protestuesit të mbërrijnë në kuvend kërkesat me shkrim do ti kthejmë përgjigje.
Mënyra si ishte formuluar kërkesa ishte që partia e Berishës vinte në Kuvend për të kërkuar në emër të protestuesve një dy tre katër pesë. Unë jam serioz në vlerësimin e kërkesave, jam serioz për ata që janë në shesh.
Pika e parë ishte rrëzimi i qeverisë. Unë i kam thënë që ju keni marrë përsipër të sillni në kuvend kërkesën e protestuesve që të kërkoni dorëheqjen e qeverisë.
Mblidhni 28 firma, sillni kërkesën për mocion mosbesimi dhe sipas kushtetutës duhet të sjellin edhe kandidatin për kryeministër. I thashë e sillni dot Saliun për kandidat?”, tha Balla.
© Panorama.al












