Nuk ka surpriza: Milan, Inter, Napoli dhe Udineze do të luajnë në Kupën e Kampioneve (Milani dhe Interi e kishin siguruar që para dy javësh), ndërsa Lacio dhe Roma do të provojnë shanset e tyre në Ligën e Europës. Këto janë verdiktet e kampionatit italian në javën e fundit. Në takimet e zhvilluara dje, fillimisht ato të orës 18:00, Bolonja u mund nga Bari 4-0, Palermo gjithashtu u mund në fushën e vet nga Kievo 3-1, Interi mundi me të njëjtin rezultat Katanian, Xhenoa iu imponua me një 3-2 Çezenës së Bogdanit, Breshia barazoi 2-2 me Fiorentinën, ndërsa Kaljari barazoi 1-1 me Parmën. Por takimet më të rëndësishme ishin ato të orës 20:45 ku Roma mundi Sampdorian 3-1, duke kaluar zënë kështu zonën e Europës, ndërsa Napoli barazoi 2-2 në Torino me Juventusin. Me këtë rezultat “Zonja e vjetër” tregoi edhe një herë sezonin tejet dështak nën drejtimin e Luixhi del Nerit. Ky i fundit drejtoi për herë të fundit Juventusin, pasi në vend të tij do të vijë Antonio Konte. Fitore e rëndësishme e Lacios në fushën e Leçes 4-2, por që nuk i bëri punë lacialëve pasi Udineze arriti të merrte një barazim ndaj kampionëve të Italisë, Milanit, duke mbajtur kështu vendin e katërt në renditje, i fundit që të çon në turin e tretë pre-eliminator të Kupës së Kampioneve. Duhet shtuar gjithashtu se kapiteni i fruilanëve Di Natale humbi një penallti në këtë takim, që mund t’u kushtonte shumë, nëse Milani më pas kthente rezultatin.
Leonardo
Braziliani është shprehur i kënaqur për aventurën e tij me Interin. “Nuk ishte e lehtë, pavarësisht rekordit dhe gjithçkaje tjetër që na ka dhënë kënaqësi. 12 fitore radhazi në shtëpi kanë një domethënie të madhe, janë plot 36 pikë të fituara. Ne kemi treguar vazhdimësi dhe një lojë të bukur. Kjo gjë më bën të lumtur, më shumë se vetë rekordi, – ka deklaruar trajneri i zikaltërve. – Jam tepër i kënaqur për atë që pashë në fushë. Të menaxhosh një ndeshje me ritme të ulëta nuk është e lehtë, por ne e bëmë”.
Simeone
Trajneri i Katanias, Diego Simeone, rrëfen emocionet që ka përjetuar pas rikthimit përballë publikut zikaltër: “Ishte hera e parë që kthehesha në ‘San Siro’ pas vitit 2002. Pavarësisht 5 majit, tifozët e Interit shohin tek unë një person korrekt. Njerëzit e kanë kuptuar dhe e kanë treguar këtë gjë. Ishte një emocion i mrekullueshëm, sepse nuk e prisja mikpritjen e tyre. E dija që do të ishte e vështirë të fitoje kundër një skuadre si zikaltrit, por të paktën luajtëm mirë”.
© Panorama.al











