Mijëra qytetarë edhe sot, në ditën e 34-të, vijuan protestën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Pas protestës para Kryeministrisë, ku ata, ashtu si çdo ditë, përsëritën thirrjen kryesore dhe të panegociueshme për dorëheqjen e Ramës dhe mbajtën fjalime, nisi marshimi nëpër rrugët e Tiranës.
Me thirrjet “Lironi çunat, arrestoni Ramën”, vargu kilometrik i qytetarëve marshoi nga Kryeministria drejt qendrës së Tiranës, më pas drejt ish-stacionit të trenit dhe drejt Prokurorisë së Tiranës.
Ata u ndalën edhe para Prokurorisë, ku bënë thirrje sërish për lirimin e të burgosurve pas përplasjeve me Policinë te Parlamenti dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK.
“Lironi çunat, arrestoni Ballukun”, ishte thirrja e tyre ndaj Prokurorisë së Tiranës, si edhe “Çuna, çuna jemi këtu, gjithë Shqipëria është me ju”, “Nuk jeni vetëm”.
Vargu kilometrik më pas u drejtua drejt Rrugës së Durrësit, qendrës së Tiranës, më pas në zonën e Shallvareve dhe drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku ndodhet Kryeministria, për të mbyllur protestën dhe marshimin.
Po ashtu, në këtë protestë nuk kanë munguar as thirrjet kundër opozitës dhe kreut të Sali Berisha, si “Rama në burg, Berisha në burg” apo “Rama, Sala, f*ck you”.
© Panorama.al




















