“Nuk e bëjmë dot pengun” – Bojkoti i PD për Zgjedhoren e Territorialen, Rama: Sa herë mbyllen zgjedhjen, duhet reformë! Humbësi është po ai, rezultati keq e më keq

Jan 16, 2026 | 18:35

Kryeministri Edi Rama u ndal gjithashtu edhe te paralajmërimi i Partisë Demokratike se do të bojkotojë Komisionet e Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë të Territoriales.

edi rama11

Gjate fjalës së tij pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Rama ironizoi teksa tha se sa herë mbyllen zgjedhjet, duhet një reformë zgjedhore, por humbësi është po ai dhe madje me rezultate çdo herë e më të dobëta, referuar PD-së.

Ironizoi gjithashtu teksa tha se reforma për Zgjedhoren ka nisur që kur ai ishte piktor dhe qëndronte në Francë.

“Duke e mbyllur me reformën zgjedhore dhe territoriale, fjala ime është që me ata shumë mirë, pa ata po aq mirë. Rëndësi ka të bëhet puna. Asnjë lloj force nuk na imponon dot ne që me vetëdije të bëjmë pengun. Jo! Reforma zgjedhore ka nisur, ose në fakt ka nisur që kur isha akoma thjesht dhe vetëm piktor nën ujërat e Parisit siç e keni dëgjuar. Me thonj të paprera, që atëherë komisionet bipartizane takoheshin por atëherë i bënin te OSBE. Nuk di çfarë që të them. Sa herë mbarojnë zgjedhjet duhet një reformë, se pas zgjedhjeve ka një humbës. Humbësi është po ai dhe rezultati është keq e më keq.“, tha Rama.

Më tej, ai tha se në asnjë vend nuk ndodh që qeveria të “ndalojë” së punuari 4 muaj para zgjedhjeve, duke ironizuar se tani opozita kërkon që të bëhet 9 muaj.

“Kemi bërë një reformë zgjedhore unikale në botën demokratike. I sfidoj të gjithë se ku është kjo që qeveria ndalon së marruri frymë 4 muaj para zgjedhjeve, që çdo gjë ndalon. Dhe prapë nuk iu mjafton tani e duan 9 muaj. Po prapë edhe 9 muaj po të bëhet. Nuk do të lindë fitorja. Megjithatë Damian ti e di vetë siç thoshte kryetari ynë ndjesë pastë bëni siç keni bërë gjithmonë. Për reformën territoriale e kemi të qartë drejtimin. Më pak, jo më shumë. Fjala kyçe e fundit është koordinimi”, u shpreh Rama.

© Panorama.al

Te lidhura