Ish-ministri socialist Arben Malaj nuk e përjashton mundësinë për kandidat për kryetar bashkie në qytetin e Vlorës, po thekson se nëse do të marrë këtë vendim, “nuk do të jetë kurrë një kandidat i Ramës”.
Me anë të një statusi në Facebook, Malaj bëri të ditur se ka marrë kërkesa të shumta nga mbështetës në Vlorë për të hyrë në garën lokale, në një kohë kur në skenën politike janë shtuar diskutimet për kandidime të pavarura, përfshirë edhe deklarimet e Erion Braçe për Tiranën.
Ai theksoi se, në rast se vendos të kandidojë, kjo do të ndodhë vetëm si kandidat i pavarur dhe në asnjë rrethanë si përfaqësues i ndonjë force politike apo i kryeministrit Edi Rama.
“Parimi i Pavarësisë së Plotë. Nëse do të vendos të kandidoj, në asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe përballë asnjë joshjeje apo pazari politik, nuk do të jem kurrë kandidat i Edi Ramës apo i ndonjë force politike. Angazhimi im do të jetë vetëm si kandidat i pavarur. duke i qëndruar besnik parimeve të mia dhe nevojës për një model të ri qeverisjeje që nuk varet nga (mos) humori i Ramës”, shkruan Malaj.
Ai e cilësoi Vlorën si një lidhje të veçantë personale dhe profesionale, duke shtuar se drejtimi i bashkisë duhet të jetë një përgjegjësi morale dhe jo një mjet për përfitime.
Reagimi i plotë
Të nderuar bashkëqytetarë dhe kolegë të medias,
Nisur nga zhvillimet e fundit politike dhe deklarimet e kolegut Braçe për një kandidim të mundshëm si i pavarur në Tiranë,
kam marrë kërkesa dhe propozime të shumta nga miq dhe dashamirës në Vlorë që edhe unë të konsideroj kandidimin për Kryetar Bashkie në qytetin tonë.
Në respekt të interesit tuaj, dëshiroj të bëj këtë sqarim:
- Parimi i Pavarësisë së Plotë. Nëse do të vendos të kandidoj, në asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe përballë asnjë joshjeje apo pazari politik, nuk do të jem kurrë kandidat i Edi Ramës apo i ndonjë force politike.
Angazhimi im do të jetë vetëm si kandidat i pavarur. duke i qëndruar besnik parimeve të mia dhe nevojës për një model të ri qeverisjeje që nuk varet nga (mos) humori i Ramës.
Integriteti si Busull – Vlora për mua nuk është thjesht një njësi administrative, por një dashuri e pakufishme.
Ajo meriton një shërbim me profesionalizëm të thellë dhe një integritet të patregtueshëm.
Karrigia e kryetarit nuk duhet të jetë mjet për përfitime abuzive, por një përgjegjësi e lartë morale për t’i shërbyer qytetit me duar të pastra.
Përgjigje për Gazetarët
I vlerësoj kërkesat tuaja të shumta për intervista, por ju lutem për mirëkuptim. Në këtë fazë, nuk do të nxitoj drejt studiove televizive. Ky është një proces reflektimi i thellë dhe vendimmarrja ime do të jetë produkt i një përgjegjshmërie të lartë ndaj qytetarëve të Vlorës. Kur të kem një vendim final, do ta komunikoj atë me transparencë të plotë.
.
Kurrë mos thuaj kurrë” – Akoma nuk kam një vendim përfundimtar, por po respektoj rregullin e artë në politikë: *Kurrë mos thuaj kurrë*. Nevoja për t’i shërbyer vendlindjes me dinjitet është më e fortë se çdo llogari politike.
“Kjo foto mbetet një kujtim i bukur i kohës kur përpiqesha të sillja në Vlorë personalitete ndërkombëtare, jo për qoka biznesi, por për të promovuar sa me shume Vloren tonë te mrekullueshme.
Në këtë foto jam me Steve Forbes. Ai ka qenë kandidat brenda Partisë Republikane për President të SHBA-ve (një garë që e humbi), por njihet botërisht si botuesi i revistës prestigjioze ‘FORBES’.
Ardhja e tij në Vlorë ishte një mundësi e artë për të vënë qytetin tonë në hartën e vëmendjes së njerëzve me ndikim në botë.
“Nëse do të vendos të kandidoj, përkushtimi im do të jetë: ta bëj Vlorën gjithnjë e më të jetueshme për banorët e saj dhe gjithnjë e më sfiduese.
Mirenjohje!












