Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij, Bushra Bibi, janë dënuar me 17 vjet burg për shpërdorim detyre dhe korrupsion, në lidhje me dhuratat e marra nga lideri i burgosur gjatë mandatit të tij. Çifti u dënua me nga 10 vjet burg secili për shpërdorim besimi dhe me nga shtatë vjet për korrupsion.
Imran Khan është përballur me një sërë çështjesh ligjore që nga rrëzimi i qeverisë së tij në vitin 2022. Në burg që nga viti 2023, ai mohon çdo shkelje dhe i cilëson akuzat si “të motivuara politikisht”.
Sipas ligjit pakistanez, zyrtarët qeveritarë janë të detyruar të deklarojnë të gjitha dhuratat e marra, por mund t’i mbajnë ato nëse vlera është nën një prag të caktuar ose t’i riblerjnë me një çmim të reduktuar.
Çështja për të cilën u dënua ish-kryeministri lidhet me disa bizhuteri të markës luksoze italiane Bulgari, të dhuruara nga princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, për Imran Khan dhe bashkëshorten e tij në maj të vitit 2021. Sipas akuzës, vlera e këtyre bizhuterive ishte nënvlerësuar nga lideri pakistanez.
Ky proces i fundit është i ndarë nga një çështje e mëparshme që lidhej me orë luksoze, gjithashtu të dhuruara nga princi saudit, për të cilën Imran Khan ishte dënuar me 14 vjet burg dhe bashkëshortja e tij me shtatë vjet.
Në një postim në platformën X, partia e ish-kryeministrit, Pakistan Tehreek-e-Insaf, deklaroi se ky vendim i një “gjykate fantazmë” kishte për qëllim vetëm zgjatjen e “burgosjes së paligjshme dhe të padrejtë të Imran Khan”. Zëdhënësi i partisë, Syed Zulfikhar Bukhari, tha se vendimi kishte shpërfillur “parimet themelore të drejtësisë”.
Ndërkohë, familja e Imran Khan ka intensifikuar përpjekjet për të tërhequr vëmendjen mbi kushtet e ndalimit të ish-liderit. Në një intervistë të fundit për kanalin britanik Sky News, djali i tij, Kasim Khan, deklaroi se i ati ndodhet në “izolim total” dhe se nuk i lejohet as komunikimi me rojet e burgut.
“Këto janë taktika të torturës psikologjike të çdo lloji,” tha ai. “Ai nuk ka asnjë kontakt me familjen, as me mjekun e tij personal, asgjë të tillë. Po i përdorin këto metoda për ta izoluar plotësisht.”
© Panorama.al











