Nuk abortoi foshnjën, i dënuari vret të fejuarën dhe veten

Sep 27, 2011 | 12:27
Banesa e familjes Hoxha

Refuzimi i të fejuarës për të abortuar fëmijën 3-muajsh në bark, çon në ekzekutimin makabër të saj. Pas vdekjes së saj, autori ka qëlluar dhe veten, duke shënuar një nga ngjarjet më të rënda të ditëve të fundit. Krimi ndodhi mëngjesin e djeshëm në qytetin e vogël të Rrogozhinës. Autori është 27-vjeçari Kreshnik Selmani, i liruar pak muaj më parë nga burgu, ndërsa e fejuara e tij Marsida Hoxha, 22 vjeçe.
Ngjarja ka shokuar banorët e qytetit dhe fqinjët, të cilët prej kohësh ishin në dijeni të konflikteve mes çiftit të ri, por nuk e mendonin që do të arrihej deri në eliminimin fizik. Selmani, banor i fshatit Katund i Ri në Durrës, ka shkuar mëngjesin e djeshëm në shtëpinë e së fejuarës, në Rrogozhinë. Mësohet se prej 10 ditësh ata kishin bërë një grindje të fortë, për shkak të fëmijës që po rritej në barkun e 22-vjeçares. I fejuari i kishte kërkuar që ta hiqte fëmijën, pasi dyshohet se ai kishte shfaqur shenja xhelozie në lidhje me shtatzëninë e saj. Selmani jetonte në Itali pas daljes nga burgu dhe ishte kthyer ditët e fundit, duke bërë dhe sherrin me të fejuarën, e cila qëndronte tek shtëpia e njerëzve të Selmanit. Vajza e ka refuzuar abortin, duke thënë se do ta mbante fëmijën dhe, në debat e sipër, ajo është kthyer tek njerëzit e saj, në Rrogozhinë. Nga Italia ishte kthyer dhe e ëma e Marsidës, e cila ishte vënë në dijeni për mosmarrëveshjen mes të rinjve dhe po përpiqej  që ajo të zgjidhej. Kur Selmani ka shkuar në Rrogozhinë, rreth orës 08:00, nuk kishte asnjë tjetër në banesë, veç të fejuarës së tij shtatzënë. Rrethanat e ngjarjes flasin për një krim të paralajmëruar. Autori ka qenë i armatosur me një pistoletë dhe me të ka qëlluar në drejtim të 22-vjeçares. Më pas, 27-vjeçari ia ka drejtuar tytën e armës vetes, duke u vetëvrarë. Nuk dihet nëse dhe vetëvrasja ishte e planifikuar prej tij apo i ka dhënë fund jetës në kushtet e tronditjes së thellë, pasi qëlloi për vdekje të fejuarën shtatzënë.

Shtepia e familjes se Marsida Hoxhes, ku ndodhi krimi

Trupat e dy viktimave u zbuluan rreth 1 orë më vonë nga nëna e vajzës, kur ajo është kthyer në shtëpi. E habitur pasi kishte gjetur derën të mbyllur dhe pas thirrjeve të shumta për ta hapur atë, Fiqirete Hoxha ka kapërcyer murin rrethues dhe më pas ka hyrë brenda. Përballë skenës tragjike, ajo nuk ka mundur të bëjë asgjë, veçse të japë kujën. Fqinjët e saj kanë mbërritur me shpejtësi dhe ishin ata që lajmëruan policinë. Forcat e rendit, pasi kanë mbërritur në vendngjarje, kanë nisur menjëherë nga puna për të mbledhur provat dhe dëshmitë e para. Sipas dëshmitarëve, shtatzënia e vajzës dyshohet të ketë qenë shkaku i konfliktit, që u shndërrua në tragjedi. Selmani i kishte përsëritur disa herë të fejuarës së tij, se nuk e dëshironte krijesën dhe i kishte kërkuar asaj ta abortonte. Vendosmëria e vajzës për ta mbajtur fëmijën, ka shtyrë Selmanin të ndërmerrte aktin ekstrem. Nëna e vajzës, Fiqirete Hoxha, ka deklaruar para efektivave të rendit se nuk e kishte menduar asnjëherë se i fejuari i vajzës së saj do të kryente një krim të tillë. Policia e Kavajës, që po heton mbi këtë krim të dyfishtë, ka mbledhur dëshmi të shumta në vendngjarje, që pritet të zbardhin motivet e vërteta, që shtynë Kreshnikun të marrë këtë vendim. Duket se e rëndësishme do të jetë dëshmia e nënës së vajzës, e cila është dhe personi i fundit që i ka parë të gjallë dy të rinjtë. Në deponimin e saj të parë, ajo ka thënë se çifti ishte pajtuar dhe se kur ka dalë nga shtëpia situata ishte mjaft e qetë në familje. Policia pritet të marrë në pyetje dhe familjarët e 27-vjeçarit Kreshnik Selmani, për të zbuluar nëse i riu e kishte paramenduar vrasjen e të fejuarës, meqë kishte marrë dhe armën me vete apo nëse krimi është kryer në gjaknxehtësi e sipër.

Flet shoqja e viktimës: “Kreshniku i bënte presion se do ta linte nëse nuk abortonte”
Marie Çerma është bashkëmoshatarja dhe njëkohësisht shoqja e ngushtë e Marsida Hoxhës, e cila është njohur edhe personalisht me të fejuarin e saj, në kohën kur ai ka dalë nga burgu dhe është takuar me 22-vjeçaren. Ajo tregon se çifti është njohur rreth një vit më parë me anë të telefonit. Numrin e Marsidës, Kreshniku e kishte siguruar nga një shok i tij, i cili vuante dënimin së bashku me të në burgun e Rrogozhinën. Sipas saj, Marsida dhe Kreshniku duheshin shumë. “Dashuria e tyre u vërtetua kur ajo këmbënguli të mos shkonte në Itali, ku shkuan për të jetuar edhe familjarët e vet. Ajo prej disa muajsh shkoi të jetonte me të fejuarin e saj në Katund të Ri. Edhe kur komunikonin në telefon, thoshte se ishte e kënaqur që jetonte me të fejuarin dhe se gjithçka shkonte shumë mirë. Zënkat mes tyre nisën kur Marsida ngeli shtatzënë. Ajo thoshte se Kreshniku nuk e donte fëmijën dhe i bënte presion se do ta linte nëse nuk do ta abortonte. Ndërsa Marsida ishte e vendosur se do ta mbante fëmijën, edhe sikur të ndahej nga i fejuari. Marsida më tregonte se ditët e fundit debatet mes tyre ishin shtuar, madje kanë arritur deri në atë pikë sa janë ndarë”, tregon shoqja e viktimës së djeshme. “Prej disa ditësh, Marsida u kthye dhe ishte e vendosur që të mos kthehej më në Durrës, nëse Kreshniku do t’i kërkonte prapë që të hiqte fëmijën”, vazhdon ajo. Dhe duket se kështu ka ndodhur, por pas nuk u kthye asnjëri prej tyre, pasi të dy ndërruan jetë nga plumbat e pistoletës, të cilin e kishte marrë me vete Kreshnik Selmani. Nga ana e saj, shoqja e viktimës di të thotë se 27-vjeçari nuk e donte fëmijën, duke i thënë se nuk ishte gati për të pritur një anëtar të familjes. Kjo dëshmi është marrë nga Policia, e cila po vazhdon me hetimin e ngjarjes, deri në zbardhjen e plotë të saj.

HETIMET
Policia e Kavajës po merret me ngjarjen e rëndë që tronditi të gjithë opinionin. Në pyetje pritet të merren familjarët e të dy palëve në lidhje me krimin. Së pari, për të vërtetuar nëse bëhet fjalë për një vrasje me paramendim apo të çastit. Së dyti, në lidhje me dyshimet e të riut Kreshnik Selmani mbi shtatzënë e të fejuarës dhe kundërshtimet e Marsida Hoxhës për të mos abortuar fëmijën.

“Deshëm ta prishnim fejesën, por vajza na kundërshtoi”

Irfan Biba, familjari i 22-vjeçares

Fejesa mes Kreshnik Selmanit dhe 22-vjeçares Marsida Hoxha, të dy vdekur dje pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Rrogozhinë, kishte muaj që kishte hyrë në një pikë kritike. Të afërmit e vajzës akuzojnë autorin e ngjarjes, 27-vjeçarin Kreshnik Selmani se ka qenë xheloz dhe disa herë ka tentuar ta ndajë 22-vjeçaren. Irfan Biba, shpjegoi dje pas ngjarjes, se prej javësh dy të rinjtë e fejuar kanë pasur mosmarrëveshje mes tyre. “Ai ishte xheloz”, shpjegon Irfan Biba i cili shpjegon se grindjet ishin shtuar. Sipas tij, dhjetë ditë më parë dy të rinjtë kanë pasur një konflikt të ashpër mes tyre. Marsida Hoxha mësohet se jetonte tek familja e të fejuarit të saj pasi prindërit i kishte në Itali. “Vajza rrinte atje, tek familja e të fejuarit, por erdhi ca ditë këtu pasi dhjetë ditë më parë ata u zunë, ishte xheloz ai djali”, thekson Irfan Biba. Ai ka thënë se problemet i kishte komplikuar edhe më shumë marrja dijeni nga familja e vajzës për faktin se i fejuari i 22-vjeçares kishte qenë në burg më parë. “Kemi qenë në dijeni se prej disa kohësh, çifti nuk shkonte mirë, ata kanë pasur disa kontradikta”, tha Irfan Biba, burri i tezes së Marsida Hoxhës. Ai theksoi dje se sapo kishte marrë vesh faktin se 27-vjeçari ka qenë i burgosur, familja e vajzës kishte kërkuar ndarjen. “Sapo morën vesh që djali kishte qenë në burg, në mënyrë absolute vendosën të refuzonin fejesën, por vajza nuk pyeti, ajo e deshi vetë lidhjen në fjalë”, shpjegon Irfan Biba. Në mënyrë të vazhdueshme ditën e djeshme, tek banesa ku ndodhi ngjarja në Rrogozhinë, atij i është dashur të mbajë për krahu nënën e vajzës, e cila ishte në gjendje të rënduar për shkak të ngjarjes tragjike me të bijën. Sipas burimeve nga policia nisur nga deklarimet e mbledhura ditën e djeshme është ngritur pista e vrasjes së 22-vjeçares për xhelozi. Kjo për shkak se çifti ka shkuar shumë mirë pas fejesës derisa vajza ka mbetur shtatzënë. Duke qenë se Kreshnik Selmani kishte qëndruar fillimisht në burg pas arrestimit për drogë në 2008 dhe më pas në Itali, ai ka pasur dyshime për fëmijën dhe herë pas here i ka kërkuar të fejuarës që ta abortonte. Së fundi pasi ishte kthyer tek familja e tij në Durrës dhjetë ditë më parë, 27-vjeçari i ka thënë të fejuarës së tij se duhej të zgjidhte, o të hiqte fëmijën o të prishte fejesën. Vajza 22-vjeçare e mbetur shtatzënë prej tre muajsh ka refuzuar të abortonte fëmijën dhe për rrjedhojë i fejuari e ka përzënë nga banesa. Viktima është kthyer në shtëpinë e të afërmve të saj ku ka qëndruar deri dje kur Kreshnik Selmani ka shkuar në banesë dhe sipas dëshmive ka pasur një debat të forte me të fejuarën në oborr. Aty ka ndodhur më pas edhe krimi i dyfishtë ku 27-vjeçari ka vrarë vajzën me fëmijë në bark dhe më pas ka qëlluar veten me kallashnikov.

Njohja
Sipas dëshmive të familjarëve dhe fqinjëve të vajzës së re, dy të rinjtë ishin njohur në kohën kur Kreshnik Selmani kryente dënimin në burgun e Rrogozhinës, pas arrestimit të tij 3 vjet më parë. Në kohën kur dilte me leje, ai ishte njohur me vajzën nga qyteti, Marsidën, duke krijuar lidhje serioze me të. Mësohet se Selmani ishte liruar nga burgu 9 muaj më parë dhe prej asaj kohe ai kishte emigruar në Itali, për t’u kthyer herë pas herë në Shqipëri.

Arrestimi i Selmanit
Kreshnik Selmani u arrestua në gusht të vitit 2008 nga policia e Durrësit, ndërsa po shpërndante lëndë narkotike të llojit heroinë. Sipas Policisë, arrestimi i të riut u bë në flagrancë, me një sasi prej 6.5 gramësh drogë. Ndaj tij rëndonte dhe akuza e grabitjes, të cilat e lanë në burg për më shumë se 2 vjet, derisa u la i lirë nga qelia rreth 9 muaj më parë, kur u fejua zyrtarisht me Marsida Hoxhën.

RROGOZHINE/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura