Vonesat me procesin e numërimit, replika PD-PS

May 11, 2011 | 13:48

UPDATE- Replika dhe akuza të ndërsjellta mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për vonesat e krijuara me procesin e numërimit të votive në qendrat e numërimit në njësitë bashkiake të Tiranës.

Akuza të pavërteta i ka quajtur Partia Demokratike, deklaratën e bërë nga deputetja e PS-së, Mimi Kodheli për tentativat bllokuese të të djathtëve në numërimin në njësinë 5. Gjatë një deklarate për mediat, vetëm pak kohë pas Kodhelit, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj e ka quajtur këtë krejt të pavërtetë, duke akuzuar numëruesit e majtë se po pengojnë numërimin në njësinë 8.

“Ky proces është i ngadaltë në minibashkinë 8 ku janë numëruar 11 kuti më pak se te njësia 5. Në asnjë rast dhe asnjë minibashki, numëruesit e PD nuk kanë ndërprerë numërimin e votave pa konsensusin e atyre socialistë, por ky është thyer nga PS, që ka ndërprerë numërimin në mënyrë të njëanshme”- ka thënë ajo. Sipas saj, PS po ngadalëson vetë procesin në ato zona ku kryetari I saj është në disavantazh. “Përgëzojmë numëruesit për punën e palodhur dhe përsërisim se PD është e vendosur për të lexuar cdo votë me një kohë sa më të shkurtër me vendosmëri dhe transparencë”- tha Mustafaraj.

PS, akuza PD per njesine 5

Partia Socialiste ka akuzuar numëruesit e djathtë për tentative bllokuese të procesit të numërimit në njësinë bashkiake numër 5. Gjatë një deklarate për mediat, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli ka kërkuar veprime dhe ndërhyrje korrekte nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të marrë masa ndaj vonesave, që ajo i cilëson të qëllimshme.

“PS i bën thirrje kujtdo që guxon të luajë me votën e shqiptarëve të mos e bëjë dheKQZ të ndalojë së vepruari si vegël e pushtetit dhe të marrë masa për të ndëshkuar përfaqësuesit e PD-së që vazhdojnë me tentative për sabotimin e procesit”- tha Kodheli.

Sipas saj, aktualisht vazhdon numërimi në pjesën më të madhe të Tiranës, me përjashtim të njësisë 5, ku procesi ecën shumë ngadalë për shkak të tentativave të PD për ta bllokuar.

Kodheli ka bërë me dije se në njësinë nr 5 janë numëruar 27 nga 75 qendra votimi dhe Rama kryeson me 2456 vota .

“I bëjmë thirrje përfaqësuesve të PD të mos bllokojnë procesin dhe sigurojmë qytetarët se cdo votë do të numërohet ashtu si është hedhur”- tha ajo.

© Panorama.al

Te lidhura