TIRANË- Deputeti i PS-së, Erjon Brace ka akuzuar komisionerët e djathtë në njësinë numër 5 se po abuzojnë me kontestimin e fletëve të votimit, duke shpallur të pavlefshme fletët ku qartësisht është shprehur vullneti i zgjedhësve.
Sipas tij, kjo është një taktikë e urdhëruar nga kreu i qeverisë, Sali Berisha dhe kandidati demokrat në këtë garë, Lulzim Basha.
“Ky është problemi që duhet shmangur tani në cdo kusht për të shpëtuar atë fije integriteti që i ka mbetur procesit. I bëj thirrje kryetarit të KZAZ, në njësinë numër 5 për t’u kthyer në konturet e ligjit. Urdhrat politikë kanë treguar se për to mbahet përgjegjësi penale para drejtësisë dhe urdhërdhënësit politikë të lënë në baltë”- ka thënë ai, gjatë një deklarate për mediat dhënë në orën 21.10.
Ai ka kërkuar të ndërpritet kjo skemë manipulimi, duke garantuar se fitoren e Ramës nuk mund ta tjetërsojnë e aq më keq ta zhbëjnë duke nxjerrë fletë votimi të pavlefshme.
© Panorama.al











