Një vit pa drita, banorët: Më 1 shkurt bllokojmë Rrugën e Kombit

Jan 23, 2012 | 12:16
Petrit Bardhi

MIRDITE – Kreu i komunës së Kaçinarit në Mirditë paralajmëron bllokimin e Rrugës së Kombit nëse nuk do t’u vijnë dritat banorëve deri më 30 janar. Pas deklarimeve të CEZ-it, se banorët e kësaj komune nuk kanë paguar energjinë, dje reagoi kryekomunari Petrit Bardhi. “Janë rreth 500 familje që jetojnë në komunën Kaçinar. Tre fshatra nuk kanë energji. Njëri prej tyre ka një vit pa drita, ndërsa dy të tjerët kanë më shumë se 2 muaj”, u shpreh Bardhi. Sipas tij, nuk është e vërtetë që banorët e kësaj komune nuk paguajnë energjinë, pasi ata i kanë faturat e shlyera. Ai pohoi se banorët kanë kërkuar t’u vihen matës dhe të mos e paguajnë energjinë afrofe, ashtu sikurse është vepruar.
“Banorët i kanë paguar dritat, mbi 50 për qind e tyre i kanë paguar. Në fshatin Shtuf është djegur transformatori. Kam kërkuar ta blej me lekët e komunës së bashku me nënprefektin Gjon Pjetri. Por përfaqësuesit e CEZ-it në Mirditë më kanë thënë se nuk ke të drejtë ta bësh një gjë të tillë. Kam kërkuar edhe ndihmën e deputetit të zonës dhe të Avokatit të Popullit, pasi situata po degradon dhe banorët kërkojnë të dalin në protestë”, u shpreh kryekomunari. Ai paralajmëroi se do të presim deri më 30 janar. Më pas, më 1 shkurt do të vazhdojnë protestën pa afat. “E kam thënë dhe e citoj sërish që do të jem në mbështetje të banorëve deri në fund. Jo vetëm duke bllokuar rrugën nacionale, por do të mbështes edhe grevën e urisë. Këto ditë unë jam në kontakt të vazhdueshëm me institucionet dhe do të kërkoj ligjërisht zgjidhjen e problemit. Nëse shteti shqiptar nuk do të më përkrahë, protesta jonë është e pashmangshme. Protesta jonë nuk është në shërbim të asnjë force politike, por në mbështetje të banorëve që po rrinë në terr të plotë”, u shpreh kreu i komunës Kaçinar, Petrit Bardhi.    r.n

© Panorama.al

Te lidhura