Një tjetër goditje për Brad Pitt! Pas Shiloh, edhe dy fëmijët e tjerë të aktorit heqin dorë nga mbiemri i tij

Jul 14, 2026 | 9:35

Dy nga fëmijët e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, Zahara dhe Maddox, kanë hedhur një tjetër hap drejt heqjes zyrtare të mbiemrit “Pitt” nga emrat e tyre.

pitt

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga People, Zahara, 21 vjeç, dhe Maddox, 24 vjeç, kanë publikuar njoftimet zyrtare për kërkesat e tyre për ndryshim emri në Los Angeles Daily Journal, siç kërkohet nga legjislacioni i Kalifornisë për procedurat e ndryshimit të emrit. Zahara e publikoi njoftimin më 9 korrik, ndërsa Maddox më 7 korrik.

Me kërkesat e paraqitura, ata synojnë të njihen ligjërisht si Zahara Marley Jolie dhe Maddox Chivan Jolie. Megjithatë, procesi nuk ka përfunduar ende, pasi kërkon edhe miratimin e gjykatës. Seanca për Maddox është caktuar më 14 shtator, ndërsa ajo për Zaharën më 28 shtator.

Vendimi i Zaharës vjen disa muaj pasi ajo u diplomua, më 17 maj, kur zgjodhi të mos përdorte mbiemrin e babait të saj. Edhe pse në programin e ceremonisë figuronte si Zahara Marley Jolie-Pitt, emri i saj u njoftua në skenë si Zahara Marley Jolie, teksa mori diplomën në Psikologji.

Edhe Maddox kishte hequr më herët mbiemrin “Pitt” nga titrat e filmit të fundit të Angelina Jolie, Couture, ku ai punoi si asistent, përpara se të paraqiste zyrtarisht kërkesën për ndryshimin e emrit.

Zahara dhe Maddox nuk janë të vetmit fëmijë të ish-çiftit që kanë hequr dorë nga mbiemri i babait. Në vitin 2024, Shiloh e përfundoi zyrtarisht procesin e ndryshimit të emrit dhe tashmë njihet si Shiloh Jolie, ndërsa Vivienne u shfaq në muzikalin The Outsiders, ku punoi si asistente e produksionit së bashku me të ëmën, me emrin Vivienne Jolie, në vend të Vivienne Jolie-Pitt.

Këto zhvillime vijnë pas vitesh raportimesh për marrëdhënie të tensionuara mes Brad Pitt dhe fëmijëve të tij, pas ndarjes nga Angelina Jolie në vitin 2016. Divorci i ish-çiftit u finalizua në dhjetor të vitit 2024.

Sipas revistës People, një burim kishte deklaruar në vitin 2024 se Brad Pitt kishte “pothuajse zero kontakt” me fëmijët e tij të rritur, ndërsa në atë kohë mbante ende kontakte me fëmijët më të vegjël, të cilët tashmë janë gjithashtu të rritur.

Nga ana tjetër, një person pranë aktorit deklaroi për People se: “Ky është rezultati i një fushate të gjatë për t’i larguar fëmijët nga babai i tyre. Është një realitet jashtëzakonisht i trishtueshëm, por jo i papritur pas vitesh në të cilat njëri prind i ka përdorur fëmijët kundër tjetrit, pavarësisht pasojave.”

© Panorama.al

Te lidhura