Një përshpirtje artistike për Llazi Serbon

Sep 12, 2011 | 12:19
Aktori Llazi Serbo

Në antikitet artistët i quanin “të xhindosur”. Kishte diçka çmendurake tek ata, që i bënte të mos ishin si të tjerët. Llazi Serbo nuk mund të ishte kurrsesi si të tjerët. E gjithë qenia e tij, qëndrimi, zëri, interpretimi, mënyra e të sjellit, madje edhe fundi i tij, nuk ishte si gjithë të tjerët. Plot një vit pas vetëvrasjes, biri rebel i Korçës u përkujtua nga miqtë dhe kolegët, të cilët nuk hezituan të risjellin interpretimet e tij brilante. Një vepër monumentale e punuar nga Vasillaq Kolevica është vendosur në varrin e Serbos, ku simbolika është menduar deri në imtësi. E gjithë jeta e Serbos prej fillesave dhe me gjithë veçantitë e saj është reflektuar në këtë punim të detajuar. Përmes një dokumentari të ideuar dhe realizuar nga një prej mikeve të tij më të afërta është sjellë një panoramë e jetës dhe aktivitetit të Serbos. Sesilia Plasari, përmes një montazhi, ka sjellë disa prej momenteve më të veçanta të jetës së tij, jo vetëm nga skena por edhe nga jeta personale, momentet e veçanta të kaluara me miqtë. Në ambientet e kinemasë së qytetit te

Sesilia Plasari gjatë përkujtimores për aktorin

Korçës u mblodhën me dhjetëra artistë miq të këtij “poterexhiu”, i cili nuk e linte teatrin të heshtte, por të oshtinte nga duartrokitjet e publikut. Sesilia Plasari nuk pati kohën që do të donte për t’iu gjendur pranë një miku. U kthye pas studimeve që kreu jashtë shtetit dhe gjeti tek Llazi njeriun e paepur dhe me thelb tragjik. Në perceptimet e një artisteje, e cila sapo kishte filluar të njihte realitetin skenik shqiptar, Serbo duket se ishte “shpresa për artin e kombit”. “Ideja për t’u mbledhur këtu nuk ishte vetëm imja, por e miqve të cilët insistuan, pasi nuk donin për Llazin një drekë me 30 të pranishëm, por një aktivitet, ku të gjithë të mund ta kujtonin edhe një herë për atë çka ai la pas. Për këtë montazh ishin shumë pak materiale dhe kohë për ta përgatitur, por rreth meje u krijua një solidaritet, i cili në të vërtetë u krijua rreth Llazi Serbos dhe kjo të krijon një kënaqësi në atë që përpiqesh të ndërtosh. Me humbjen e Llazit jetova një dhimbje të pamasë, pasi në kohën kur bota është në krizë për artistë të mirë, unë e gjeta në Korçë një të tillë. Tërësia e pasioneve e bënë një njeri të pasur me vizione, por ai ishte artisti me aspirata të mëdha, i cili kërkonte vazhdimisht  më tepër. Dinjiteti ishte arti i tij, por sigurisht që si në jetën e çdo artisti edhe tek Llazi pati zhgënjime, mungesë mbështetjeje. Llazi Serbo përfaqëson artistin e vërtetë, atë çka duhet të jetë një aktor. Unë nuk mund të them se jam mikja e tij më e afërt, pasi unë e njoha vetëm për një vit, janë të shumtë ata të cilët u njohën me njeriun dhe artistin e madh përgjatë gjithë jetës së tij”, u shpreh Plasari.
Ashtu si një vit më parë, kur dhimbja për humbjen e aktorit u nda mes kolegëve edhe në këtë ceremoni përkujtimore, ishin prezent miqtë e tij, bashkinterpretuesit e skenës me të cilët ai ka ndarë shumë emocione. Tinka Kurti, Timo Flloko, Sesilia Plasari, Andrea Pepi etj., mes përlotjes kanë ndjekur dokumentarin “Heshtje që flet”, ku momentet më pikante të interpretimit, jetës reale, prapaskenave, por edhe opinioneve të sjella prej miqve janë alternuar në një harmoni rrëqethëse. “Gjeniu dhe krimi nuk shkojnë bashkë”. Është kjo një prej frazave të përzgjedhura nga këto interpretime teatrale, por tek Serbo ndodhi ndryshe… Ai, gjeniu korçar u përkujtua një vit pas vetëvrasjes, fundit mizor, ku e shtyu sëmundja e tejzgjatur e depresionit.

Filmat ku ka luajtur

“Yjet e netëve të gjata”
“Operacioni zjarri”
“Shembja e idhujve”
“Nusja dhe shtetrrethimi”

Dhorjela Demkolli

© Panorama.al

Te lidhura