Mund të duket shumë e çuditshme që ende të kemi nevojën e një ligji për Lustracionin. Nevoja për të ka qenë e përhershme në Shqipëri gjatë tranzicionit, përderisa politikëhartuesit e zbatuesit e saj, si dhe veglat e përdorura, bashkëpunëtorët sekretë, mbetën në politikë, ndikojnë në të duke penguar kapërcimin e së kaluarës. Madje, sa më shumë kohë kalon, po krijohet bindja e gabuar se jemi në vazhdim të natyrshëm të shoqërisë komuniste dhe për këtë mundohen të na bindin se njerëzit e saj, njerëzit e dhunës dhe terrorit të kuq, të cilët kanë qenë zbatues të rregullt të ligjeve komuniste edhe pse kriminale, të një sistemi të ligjshëm dhe jo arbitrar, siç ishte në të vërtetë.
Kjo është dhe arsyeja që Lustracioni duhet bërë, dhe se mbetet një kërkesë e kohës, ndonëse mbas kaq vitesh nga rrëzimi i komunizmit.
Sigurisht që Lustracioni buron nga nevoja për dënimin që i duhet bërë regjimit komunist, nga njohja e metodave dhe rregullave të tij, nga përmasat e dhunës në të gjitha aspektet e saj. Duhet thënë se nostalgjia për komunizmin, bartës të së cilës janë njerëzit e saj, që nuk u përgjigjën asnjë herë për mëkatet e tyre, mbijeton sepse ata nuk e dëshmojnë këtë. Janë përherë e më të shumta botimet mbi bëmat e heronjve të heshtur, madje dhe proceset e tyre kur ata janë në bangën e të akuzuarve. Të gjitha këto kanë krijuar atë frymë mosbesimi se vallë do të këtë Lustracion, njohje të krimeve, përmasat e tyre dhe, për pasojë, mospërsëritje të tyre.
Projektligji për “Kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” u hartua nga qeveria demokratike në vjeshtën e vitit 1992, sipas modeleve që deri në atë kohë patëm në dorë (Ligji gjerman, ai Çek dhe Hungarezi). Ligji kishte dy drejtime. Së pari, përcaktonte personat subjekt i tij, sipas posteve dhe detyrave që kishin ushtruar gjatë regjimit komunist. Këto ishin poste politike si hartues dhe zbatues të terrorit komunist nga niveli më i lartë, duke filluar nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës e deri tek punonjësit legalë e ilegalë të Sigurimit të Shtetit e të Hetuesisë politike, për të përfunduar në fund me bashkëpunëtorët sekretë që quhen zakonisht – spiunët. Së dyti, ligji përcaktonte poste të caktuara të administratës shtetërore dhe të mediave, në të cilat, këtyre kategorive punonjësish nuk u lejohej të punësoheshin në demokraci për një kohë 8-vjeçare, si për shkak të së kaluarës së tyre në shërbim të krimit komunist, si për përvojën e tyre aspak demokratike por totalitariste, ashtu dhe për të mos u shantazhuar me të kaluarën e tyre nga ana e drejtuesve të ligj për t’u përdorur në punë të këqija, siç realisht po ndodh. Dhe të ligjtë nuk janë as të majtë e as të djathtë, por thjesht bartës e vegla të ligësisë.
Këto norma u zbatuan qysh në fillim nga ana e qeverisë dhe strukturave të saj gjatë përzgjedhjes së kuadrit, në nivelet që parashihte projektligji, si dhe në çdo rast që na rezultonte më vonë i tillë, d.m.th. kur strukturat përkatëse, pas kërkesës sonë, na informonin se kishim shkelje të këtyre rregullave. Ligji me përmirësime të vogla u miratua në vitin 1995 (Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995). Kundër tij pati kundërshtime të mëdha nga e majta, ende komuniste dhe e përlyer me të kaluarën, që nuk kishte treguar as pendesë e as kishte kërkuar falje. Ajo pati mbështetje nga e majta në strukturat europiane ku ata ishin në pushtet.
Pas ngjarjeve të vitit 1997, me ardhjen në pushtet të ish-komunistëve me disa amendamente të njëpasnjëshme Ligji u reduktua në ndalimin nga postet vetëm të atyre që kishin qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, d.m.th. në ata që në pjesën më të madhe i shërbyen regjimit komunist të rekrutuar me forcë “me rrethana shtrënguese”. Edhe kjo normë u zbatua në mënyrë selektive. Kështu u rikthye në punë shumica e sigurimsave, madje dhe në poste të larta, në “profesionin” që ata e kishin “zanat” në polici dhe në Shërbimin Informativ, kur përvoja e tyre ishte lufta kundër “krimit politik”.
Madje, sikur kjo të mos mjaftonte, ata, nën pretekstin e të drejtave që lindin nga statusi i ushtarakut, marrin dhe pensione suplementare të larta si shpërblim për dhunën ndaj shqiptarëve, në një kohë kur Ligji për Statusin e Ushtarakut daton në vitin 1991 dhe nuk ka asnjë mbështetje ligjore për t’u zbatuar, pra efekt prapaveprues. Unë e kuptoj që qeveria e ish-komunistëve do t’i shpërblente, sepse për të ata e meritonin, dhe i duheshin për të mbajtur pushtetin (kjo ka qenë gjithnjë detyra e tyre), por nuk e kuptoj që kjo të vijojë dhe, me një qeveri që pretendon se është antikomuniste, kjo është fyerje dhe dhuna e dytë që u bëhet viktimave të terrorit komunist. Tërthorazi, ky është një veprim mosdënimi dhe izolimi i së kaluarës, qoftë dhe me një proces formal pajtimi, duke u munduar të krijojë idenë se të tilla ishin rregullat e kohës dhe se kemi një vazhdimësi ideologjie, veprimesh dhe individësh. Kjo ka krijuar një hendek ndërmjet dy palëve, dy kultura politike e ide. Kjo nuk është e dobishme për vendin dhe kësaj gjendjeje duhet t’i jepet fund sa më parë.
Siç kemi theksuar gjetkë, Ligji u zbatua në të gjitha emërimet në postet që ai parashihte, ashtu dhe për punonjësit ndërkohë të punësuar në to. Qeveria dhe titullarët e dikastereve këtë e bënin mbi bazën e të dhënave, që merreshin drejtpërdrejt nga Shërbimi Informativ Kombëtar, kur ato jepeshin. Shënojmë se ka pasur dhe dezinformim.
Pyetjes “A kishte të meta Ligji i viti 1995”, unë do t’i përgjigjesha “Po, edhe kishte”. Kështu mungonin ndalimet për kandidatët e KQ dhe për zëvendësministrat që ishin hartues dhe zbatues të politikave të dhunës. Nuk përmendej qartë se quhej bashkëpunim me Sigurimin puna me ta dhe për ta, edhe pa qenë të regjistruar si bashkëpunëtor sekretë. Të tillë qenë dhe ata që lidheshin direkt me krerët dhe quheshin “nën dorë” si dhe raste të tjera. Nuk u miratua kufizimi për gjyqtarët dhe prokurorët që kishin dënuar më shumë sesa parashihte ligji i kohës. Mundet gjithashtu që do të kishte qenë më e rregullt, siç thonë të huajt dhe e majta ish-komuniste, që të mos kishte dhe shkelje të të drejtave të njeriut kur ata kërkonin për t’u zgjedhur deputet, në rastin që vota e popullit do të ishte e cilësuar për ta. Kjo ndodh në rastin e mazhoritarit ose kur ka vota preferenciale.
Një e metë tjetër, që detyrimisht duhet shmangur, ishte dhe përbërja e Komisionit të Verifikimit që shqyrtonte dokumentacionin. Ai kishte si anëtarë vetëm zyrtarë që i zgjidhte partia në pushtet. Do të ishte mirë që të propozoheshin nga të dy krahët e politikës (sigurisht të paimplikuar me regjimin komunist), si dhe kryetarin ta emëronte President të Republikës.
Në rrethanat e sotme, një ligj i ri për Lustracionin është më se i nevojshëm dhe buron nga kushtet politike të vendit, ku ndarja nga e kaluara, nga doktrina, mjetet e metodat, dhe jo vetëm në planin formal, ende nuk është kryer tërësisht. Po kështu, njerëzit e së kaluarës duhet të shmangen nga hartimi dhe zbatimi i politikave, e jo vetëm nga to, por dhe nga mediat. Kush e njeh nga afër e në detaje problemin, e vëren këtë. Ata janë më të shantazhueshëm, më servilë e më pa skrupuj kur kryejnë punë të liga.
Ligji i ri pra, që duhet të hartohet patjetër, nëse duam të ndahemi nga e kaluara, duhet të mbështetet mbi përvojën shqiptare, mbi ligjet e hartuara dhe vënë në jetë nga të tjerët e, duke pasur parasysh kërkesën e opinionit publik, të trajtojë “hapjen e dosjeve”.
Për shumë shqiptarë “hapja e dosjeve”, që në aspektin formal shpesh i referohet përvojës gjermane, kuptohet si publikim i listës të të gjithë “spiunëve” të Sigurimit dhe njohje të veprimtarisë së tyre, me sa duket si” besëprerë” , ndërkohë që ata janë hallka e fundit e keqbërësve. Por, përpara sesa ligjvënësi apo dhe kushdo që trajton këto probleme, të shprehet për hapje të dosjeve, duhet të thotë së pari se çfarë kupton ai me këtë, dhe së dyti, do të duhej që të gjitha ligjet me temë Lustracionin në vendet ish-komuniste t’i bëhen të njohura sa më parë opinionit publik. Kështu do të shmangen edhe teprimet, por dhe ankimet e ish-komunistëve dhe pseudo së majtës europiane në KiE, për shkelje të të drejtave të njeriut, ajo çka ata e injoronin për 50 vite diktaturë të tejskajshme.
Mendoj se është shumë e rëndësishme që, përpara se të vendosim sërish për këtë ligj të Lustracionit, duhet të njohim gjendjen e sotme të Arkivit të dikurshëm të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme komuniste, çfarë ruhet, ku ruhet dhe si është dëmtuar. Për këtë flasin shumë ata që nuk dinë asgjë, duke krijuar një pështjellim dhe përfundime jo të drejta.
Gjatë marrjes në dorëzim të këtij Arkivi nga SHIK-u në vitin 1993, rezultoi se në regjistrin e bashkëpunëtorëve sekretë (rezidentë, strehues, agjentë, informatorë) u gjetën të fshirë 542 emra, ndërsa gjatë viteve janë asgjësuar 39518 dosje (nga të cilat 29453 në tri vitet e fundit). Nga studimi i ligjeve dhe rregulloreve të kohës në fuqi në ato vite, rezulton se këto veprime janë bërë në kundërshtim të plotë me to. Për këto veprime ruhet dokumentacioni i plotë i kohës me urdhërdhënësit, procedurat dhe procesverbalet zyrtare përkatëse. Përgjithësisht janë “asgjësuar”, jo pa qëllim, dosjet 2A dhe 2B të personave që ishin gjallë. Unë mendoj se është e domosdoshme kryerja e një hetimi publik dhe të plotë të gjendjes së të gjithë materialeve që ruhen në arkivat e mësipërme, nga njëra anë për të pasur një njohje të plotë të problemit që na intereson, në aspektin e ruajtjes dhe përmbajtjes, dhe nga ana tjetër, për të mënjanuar çdo hipotezë e çdo legjendë urbane.
Unë mendoj se është koha që ligji për Lustracionin të shoqërohet dhe me mundësinë për njohjen, nga ata që përndiqeshin (që ishin në përpunim aktiv), të dosjeve që ruhen për ta, përfshirë këtu edhe dosjet hetimore e gjyqësore, qoftë dhe pa u njohur me emrat e spiunëve të vet. Mendoj gjithashtu se duhet të publikohen emrat e personave që përndiqeshin operativisht në kategoritë 2A dhe 2B, ashtu si të dënuarit, të pushkatuarit (me e pa gjyq), të vdekurit në burgje, të internuarit dhe të vdekurit në internime apo nga veprime të tjera të ish-Sigurimit. Do të ishte mirë gjithashtu, të publikoheshin dhe emrat e personave për të cilët ka pasur denoncime. Kështu, do të njihen më mirë përmasat e dhunës komuniste dhe të terrorit që sundoi për 46 vite vendin, viktimat e tij dhe do të shmangej çdo abuzim.
Por kjo do të ishte e mangët nëse nuk do të publikoheshin emrat e punonjësve të Sigurimit të Shtetit, të hetuesve, të atyre që kanë ndjekur shkollat e kurset për këtë qëllim dhe të strukturave të tjera të dhunës. Po kështu, duhet të njihet nga publiku, organizimi dhe hierarkia në vite e Sigurimit të Shtetit dhe e organeve të tjera të diktaturës.
Që ajo periudhë e turpshme të dënohet, duhet të njihet nga të gjithë e sidomos nga brezat e rinj. Për këtë mendoj se duhet të bashkohen si dikur pjesët e Arkivit të ish-MPB, si një arkiv i veçantë historik. Veç kësaj, është e nevojshme që dhe arkivi i ish-PPSH të jetë i hapur për këdo, jo vetëm për studiues të ngarkuar nga qeveria. Sigurisht që çka lidhet me sigurinë kombëtare, marrëdhëniet me shtete të huaja dhe me “privacy”-në, do të këtë nevojë për autorizime të posaçme, ose duhet t’i pamundësohet botimi.
Për të realizuar atë për të cilin nuk pati çdo herë dhe nga të gjithë vullnet politik, këto 20 vite të tranzicionit, pajtimin kombëtar, qoftë dhe në aspektin formal, është e domosdoshme nga njëra anë njohja dhe studimi i regjimit komunist, si dhe propagandimi për brezat e rinj, që të mos përsëritet, i metodave të tij të dhunës dhe terrorit, i luftës së klasave, pra i një politike veçimi e keqtrajtimi i atyre që ti i quan armiq, pse nuk mendojnë si ti. Kjo nuk po duket të bëhet, përkundrazi ka sheshit një nostalgji për atë kohë nga ata që përfituan apo ushtruan dhunë e nuk duan të pranojnë as gabimet e as dështimin, që siç i thonë shqip “e çuan dëm jetën e tyre” e për keq. Mbulimi me heshtje i krimit është gjithashtu krim. Mjafton të shohësh mediat me trajtimin e protagonistëve të dhunës jo si përbindësha, emrat e rrugëve dhe historinë e shkruar e atë që propagandohet, që të bindeesh për këtë.
Ky qëndrim tendencioz dhe i njëanshëm vërehet sa herë që akuzohet dikush apo bëhen kritika e autokritika, për problemin që po trajtojmë. Shohim të shtrohet vetëm problemi i vlerësimit të fajit të “spiunit” dhe i pendesës eventuale të tij, i vendit të spiunëve, por lihen me qëllim jashtë debatit gjithë të tjerët. Debati për spiunët nuk duhet ndarë nga debatet për përgjegjësinë e të shërbyerit me zell apo “nga e keqja” diktaturës. Po kështu, të jesh antikomunist, nuk do të thotë të shash komunizmin e as të bësh sikur e lufton atë, por të mos përdorësh metodat dhe praktikat e tij, politikat e tij social-ekonomike, bashkësinë e doktrinës dhe realizimin praktik të saj, dhe mbi të gjitha të jesh për shtet të së drejtës, ekonomi të tregut të lirë, dhe të respektosh të drejtat e njeriut.
Tek ne pak veta u dënuan nga radhët e hierarkëve të regjimit dhe veglat e tyre, por jo për kafe, siç mundohen ta kthejnë në legjendë urbane. U dënuan pak njerëz në vitin 1994 me akuzën për shpërdorim detyre me pasojë shkeljen e të drejtave të njeriut, ndërsa pas miratimit të ligjit për Gjenocidin, për krime kundër njerëzimit (viti 1996), u dënua disa të tjerë. Për turpin e shtetit shqiptar ata, me ardhjen në pushtet të ish-komunistëve, u shpallën të pafajshëm dhe u dëmshpërblyen, në një kohë që viktimat e tyre vdesin duke pritur dëmshpërblimin për vitet e burgut. Pikërisht ky fakt tregon se duhet botimi i fakteve, informimi real i opinionit publik dhe jo shumëfishimi qëllimkeq i legjendave urbane, nëse duam që ai të luajë një rol në problemet madhore të shoqërisë shqiptare.
Një përvojë interesante, që lidhet me nevojën e kapërcimit të së kaluarës dhe për të arritur pajtimin kombëtar, është ajo e Afrikës së Jugut, ku u ngrit një Komision i posaçëm, tek i cili bëheshin ankimet për dhunën dhe, pas hetimeve, caktonte përgjegjësitë dhe ia kalonte çështjen gjykatës.
© Panorama.al












