Lavdia e Vilas Boasit në Angli rrezikon të venitet pas vetëm 4 muajsh në Londër. Projekti i trajnerit të Çelsit është pranë dështimit pas humbjes në ndeshjen me Liverpulin 1-2 në “Stamford Bridge”. Është një disfatë që i çon nënkampionët pas 12 ndeshjeve të para -12 pikë nga kryesuesit e Sitit dhe kapen në tabelë edhe nga Liverpuli, që arriti kuotën e 22 pikëve. Një humbje e paralajmëruar që në fillim të ndeshjes, por që u vulos vetëm në fund të saj falë një hakmarrjeje të një “ish”-i si Glen Xhonson, i cili nuk u vlerësua kurrë sa ishte në Londër (2003-2007). Goli i parë u shënua nga Maksi Rodrigezin. Një top i vjedhur prej Mikelit nga Çarli Adam zuri në befasi mbrojtjen e nënkampionëve (të panumërta gabimet që bëri gjatë ndeshjes), ai pasoi për Belaminë që pas një shkëmbimi me Suarezin, shërbeu për mesfushorin argjentinas, i cili nuk e pati të vështirë të mposhte Çeh. Më pas duhet një djalosh si Daniel Starixh për të treguar se milionat nuk justifikojnë gjithmonë kostot. 22-vjeçari është i vetmi sulmues që Çelsi nuk ka blerë. Ose më saktë ka ardhur me parametra zero. Shënon në shtyllën e dytë pas një pune të mrekullueshme të Maludasë nga e majta dhe kalon provën e tij. Por barazimi nuk ishte rezultati që donin skuadrat për vetë pozitat në tabelë. 8 minuta nga fundi hyn Torres, por në vend që ta japë “El Ninjo” goditjen e një “ish”-i, ajo vjen nga një tjetër ish, kësaj radhe nga krahu i kundërt. Liverpuli bën atë që di të bëjë më mirë, gol me dy lëvizje. Mbrojtësi i djathtë, Glen Xhonson, i harruar nga Maluda, shërbehet nga Adam, dhe ky pasi shmang Eshli Kolin e dërgon topin në rrjetë. Nënkampionët s’humbasin 2 ndeshje radhazi në tempullin e tyre prej majit të 2002-it.
Dalglish: Një ditë e paharrueshme
Është i kënaqur për arritjen në vendin e 4-t (Çelsi, Liverpuli, Arsenali dhe Totenhemi me 2 ndeshje më pak renditen me pikë të barabarta, 22), ndërsa skuadra e tij konfirmohet vrasësja e të mëdhave. Keni Dalglish triumfoi sërish (fitoi 1-0 ndaj bluve edhe sezonin e shkuar), por kjo e djeshmja ka një shije më të ëmbël për skocezin. “Donim të tregonim të njëjtin nivel si vitin e shkuar. Por Liverpuli është shumë më lart se një sezon më parë. Është një arritje e madhe të largohesh nga Londra me 3 pikë. Ishte një ditë e madhe në historinë e klubit të Liverpulit”, deklaroi skocezi.
Vilas Boas: Morëm një shuplakë
“Ishte një goditje shumë e rëndë për ne dhe një rezultat i rëndësishëm për Liverpulin”. Nuk e fsheh aspak zhgënjimin e tij Andre Vilas Boas pas humbjes. Trajneri i Çelsit, i cili rrezikon seriozisht të ardhmen e tij në “Stamford Bridge”, tani e ndjen se sa vështirë do ta ketë që të rikthejë nënkampionët në garën për titull, kur ndodhen 12 pikë pas vendit të parë. “Liverpuli na zuri në befasi përmes një kundërsulmi dhe ishte shumë vonë për t’iu përgjigjur. Ishim më agresivë në pjesën e dytë, por kjo nuk mjaftoi”, tha në prononcimin e tij portugezi 34-vjeçar.











