“Nisim përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme”- Rama nga Njësia nr. 2: Ekonomia funksionon, menaxhuam tërmetin, pandeminë, krizën nga Lufta në Ukrainë dhe naftën! Rritëm paga e pensione

Mar 28, 2026 | 18:22

Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh Kryeministri Edi Rama, vijoi takimin me mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist dhe anëtarëve të Qeverisë me fokus çështje të rëndësishme që lidhen me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe avancimin e projekteve në fusha të ndryshme dhe prioritare për zhvillimin e vendit.

rama njerisa 2

Sot ai ishte edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste, Njësia 2, ku mbajti fjalim në kuadër të organizimit të strukturave për përgatitjet e zgjedhjeve lokale 2027 dhe jo vetëm.

Ai tha se qeveria socialiste arriti të ruante ekonominë përballë krizave të fuqishme si tërmeti, pandemia, lufta në Ukrainë dhe së fundmi kriza e naftës.

Fjala e Edi Ramës nisi me organizimin partiak për të kaluar më tej tek masat e marra gjatë qeverisjes dhe sektorë si pensionet, rrogat dhe ekonomia.

Duke qenë se kemi nisur punën në funksion të zgjedhjeve të ardhshme dhe duke e ditur se fitoret tona i projektojmë dhe i përgatisim duke marrë kohë dhe shumë më parë se gjithë të tjerët, ne kemi parë nevojën për të bërë një ristrukturim të punës në Bashkinë e Tiranës. Po të shikojmë se si janë rritur disa qarqe, është e qartë se organizimi është A-ja”, tha ai.

Dhe më tej vijoi argumentimin se si u morën masat parandaluese gjatë krizave ekonomike, por edhe se si u rritën pagat dhe pensiuonet ndër vite.

“Jemi në një situatë që ne me kënaqësi e shikojmë se pagat në sektorin privat rriten, dhe po ashtu në sektorin publik rriten vazhdueshëm dhe përsëri i rritëm, kemi hyrë në një fazë siç bëmë me mjekët, ushtarakët, mësuesit. Po njohim paralelisht vjetërsinë në punë. Pra nuk është e njëjta pagë në fund të ditës, pavarësisht se në atë regjistrin e të punësuarve në spital janë dy specialistë të të njëjtit specialitet, ku njëri është i ri e tjetri 20 vjet eksperiencë, apo për faktin që ka punuar më shumë e më gjatë paga ka koeficient tjetër, gjëra normale që s’i bënim dot më parë se s’kishim kapacitet. E njëjta gjë për pensionet, që kanë hyrë në plkanin e rritjes, katër vjet rresht plan ku çdo vit rritja do dyfishohet”, vijoi kryeministri.

Në lidhje me krizat e mëdha që kaloi vendi dhe fatkeqësitë, Rama tha se i dolën të keqes para duke e menaxhuar dhe duke treguar se ekonomia shqiptare funksionon.

“Kjo do të thotë se funksionon ekonomia. E mësuan të gjithë se ekonomia nuk është vetëm me atë që bëjmë ne këtu, por edhe çfarë ndodh larg nesh. E mësuam këtë me pandeminë që na erdhi nga larg dhe me luftën në Ukrainë, që na goditi edhe ne si të tjerët, me energjinë dhe po e shikojmë tani prapë me naftën, që po ndikohet nga lufta në Iran. Nga ana tjetër kemi mësuar ne po e po, por edhe njerëzit, që të rrimë duarkryq e të themi se kjo është situata, e qoftë me pandeminë, qoftë me tërmetin që ishte forcë madhore, qoftë me luftën në Ukrainë, kemi bërë reagime që kanë lehtësuar njerëzit dhe ndihmuar që ekonomia të mos rrëzohet. Jemi i vetmi vend që kemi ulur çmimin e energjisë, sidomos për ata që e paguajnë energjinë apo ata që e kanë kapacitet shpenzimesh dhe 10% nuk është pak, është ulur”, tha kreu i ekzekutivit.

Kryeministri shpjegoi edhe masat e marra në periudhën aktuale me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe krizën e karburanteve, duke ngritur Bordin e Transparencës, por edhe risitë teknologjike me markimin e karburanteve.

“Edhe me naftën e keni parë që me Bordin e Transparencës kemi menaxhuar çmimin, do i vinte koha, duhet të krijoheshin disa kushte që të futej edhe shteti në këtë treg, jo se ne s’donim ta bënim. Dhe shteti duke u futur e para të garantojë rezervat për çdo rast se bota është shumë e madhe dhe shpesh rrotullohet në drejtimin e gabuar. Ne po përgatitemi të futemi në treg me komponent shtetëror, por edhe të fusim disa risi që kanë të bëjnë me kapacitete të reja teknologjike, qoftë me markimin e naftës, që për pak del produkti i parë i kompanisë publike që kemi bërë me Emiratet e Bashkuara, për të markuar naftën dhe për të bërë të pamundur shmangien nga detyrimi fiskal si rezultat i markuesit të ri, sepse markuesi i vjetër që gjetëm nga ai famëkeqi i paraardhësve ishte lehtësisht i manipulueshëm dhe duke e gjurmuar naftën tranzit që është një nga burimet e kontrabandës. Me këto do rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe do garantojmë cilësinë dhe çmim të arsyeshëm të naftës”, shpjegoi ai.

Rama preku edhe fushën e turizmit, ku shpjegoi se kanë kapur shifrën rekord të 12 mln turistëve dhe mbi 1 mld eurove të zhiruara nga ky sektor.

“Mund të zgjatem me të tjera e të tjera që kanë të bëjnë me investimet, e kemi nisur me 2 milionë turistë ku numëroheshim edhe ne. Ndërkohë që nuk i numërojmë më pasaportat shqiptare si turistë. Kemi arritur mbi 12 milionë turistë dhe mbi 1,5 miliardë investime nga turizmi e të ardhura”, u shpreh kreu i mazhorancës.

Kryeministri Edi Rama la porosi edhe për kryebashkiakët socialistë që duan të rikandidojnë në zgjedhjet lokale të vitit 2027, duke u vënë detyrë plotësimin e 10 kontratave për paketën e maleve.

“I dua me firmë e vule e jo me llafe, 10 kontrata minimumi nga paketa e maleve, le të kenë bërë mrekulli të tjera gjatë detyrave të tyre. Për 55 bashki që kemi ne nuk janë pak dhe më tej rruga hapet më lehtë”, tha kryeministri.

Në fund edhe porositë për riorganizimin e strukturave në kuadër të zgjedhjeve lokale të ardhshme. Rama u kërkoi strukturave që të përgatiten dhe të kapin ritmin e kohës, sepse zvarritja nuk sjell suksese.

“Ne jemi në mandatin e katërt e shumë gjëra nuk janë siç kanë qenë, unë e dëshmoj vetë, procedurat, mekanizmat se si bëhet, kanë ndryshuar shumë jashtëzakonisht. Kanë ndryshuar prokurimet, s’e them unë, e thotë BE, kemi kaluar të parët në rajon për prokurimet dhe po kështu në fushat e tjera. Mund të zgjatem më shumë po nuk dua, e ajo që dua të them se në këtë proces të mos jetë format, me organizimin e strukturave dhe takimet. Të përgatitemi mirë dhe në kohë, sepse kështu dalim shumë mirë në rezultate, nëse i marrim zvarrë nuk të del koha, sepse s’të lë koha pastaj për t’i rikuperuar”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura