Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka nisur punimet e sesionit vjetor të 67-të. Presidenti i ri i Asamblesë, ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha se Kombet e Bashkuara nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet e botës brenda natës. Por, ai shprehu bindjen se organizata mbetet e rëndësishme në “adresimin e nevojave në rritje të njerëzimit”. Jeremiç u shpreh se do të kërkojë mjete paqësore për të zgjidhur kontestet ndërkombëtare. Asambleja e Përgjithshme, me 193 anëtarë, në pjesën tjetër të javës do të përgatitet për debatin e përgjithshëm që fillon më 25 shtator, ku do të ketë fjalime nga presidentë dhe kryeministra shtetesh të ndryshme. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, i kërkoi Asamblesë që të punojë për të ruajtur sundimin e ligjit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.











