Tragetet e “bëjnë rrugë” braktisjen e Portit të Vlorës dhe paralizimin e lundrimit.Kur sezoni turistik sapo ka nisur dhe dyndja e emigrantëve për të kaluar pushimet në Shqipëri pritet të nisë gjatë këtyre ditëve, dy tragetet e linjës Vlorë-Brindizi largohen sërish nga Porti i Vlorës. “Red Star” dhe “Jonian Spirit” u larguan ditën e djeshme, duke lënë kështu pezull të gjithë Jugun e vendit, për sa i përket lëvizjes në rrugë detare me Italinë. Ndryshe nga precedentët e mëparshëm, kur tragetet u larguan drejt Libisë për interesat e tyre fitimprurëse. Kësaj radhe mësohet se përfaqësuesit respektivë kanë marrë lejen nga drejtoria e portit për t’u larguar për disa ditë, pavarësisht se leja përkon me pezullimin total të portit. Përfaqësuesit e trageteve kanë deklaruar nëpërmjet një shkrese se duhet të largohen për kontroll teknik, rinovim licence, si dhe disa riparime të tjera në Portin e Brindizit dhe të Pireut. “Njoftimi është bërë në afate kohore të parashikuara me ligj, por sidoqoftë, ne kemi marrë një kontakt paraprak me drejtuesit e agjencive, meqenëse largimi ishte i njëkohshëm. U kemi kërkuar të shihnin mundësinë që kjo të mos bëhej në të njëjtin moment, por datat kanë qenë të vendosura më parë”, bënë të ditur burime nga Porti i Vlorës. Përfaqësuesit e trageteve u kanë kërkuar agjencive të njoftojnë nëpërmjet mediave largimin e tyre dhe, veç kësaj, të garantojnë shërbimin për pasagjerët dhe klientët e tjerë nëpërmjet Portit të Durrësit. Njëri prej trageteve, “Red Star”, mësohet se do të kthehet më 27 maj, ndërsa “Jonian Spirit” do të rikthehet pas 10 ditësh. Të paktën kështu kanë deklaruar agjencitë. Por nuk dihet nëse dy tragetet që janë larguar do të zbatojnë atë që kanë deklaruar apo do largohen, ashtu si dhe dy herë të tjera në Libi, duke përdorur si alibi kontrollin periodik të dokumentacioneve në portet italiane. Kreu i Portit të Vlorës, Kasem Mahmutaj, e ka vlerësuar si një situatë krejtësisht të ndryshme nga largimet e mëparshme, ku pavarësisht se agjencitë justifikuan me riparime, kjo nuk rezultoi e vërtetë. Pasagjerët shprehen mjaft të revoltuar për këtë situatë. E njëjta gjë pohohet edhe nga biznesmenët vlonjatë, veprimtaria e të cilëve është pezulluar disa herë në këtë sezon, për shkak të braktisjes së portit nga ana e dy trageteve.
Gjoba deri ne 3 mije euro ne dite
Nga largimi i paparalajmëruar i trageteve në muajin prill, Drejtoria e Portit të Vlorës vendosi marrjen e masave të forta. Nga ana e saj u vendos rritja e sanksionet financiare nga 300 euro gjobë në ditë që ishte më parë, në 1500 euro apo dhe të dyfishohen në 3 mijë euro në ditë, kur lëvizjet janë të pajustifikuara. “Kjo u bë për t’u prerë rrugën lëvizjeve të tilla abuzive”, u shpreh drejtori, Kasem Mahmutaj. Sipas tij, po punohet që në port të hyjnë edhe agjenci të tjera me shërbim tragetesh, që do të ishin zgjidhja përfundimtare për këtë problem të përsëritur.
3 HERE
në katër muajt e fundit është braktisur Porti i Vlorës nga dy tragetet e linjës Vlorë-Brindizi, duke bllokuar lundrimet e udhëtarëve dhe bizneset e rajonit jugor
Braktisjet e portit
Shkurt 2011
Tragetet “Jonian Spirit” dhe “Red Star” u larguan nga Porti i Vlorës, njëri më 24 shkurt dhe tjetri në datën 27 shkurt dhe u rikthyen pas afatit të përcaktuar në rregullore (pas 17 ditësh). Drejtoria e portit i gjobiti për thyerjen e kontratës.
Prill 2011
Rreth dy muaj pas largimit nga Porti i Vlorës në drejtim të Libisë, dy tragetet njoftuan më 11 prill se ishin larguar sërish ishullin e Kretës për remont. Largimi për së dyti herë irritoi pasagjerët, por edhe biznesmenët vlonjatë.
Maj 2011
“Jonian Spirit” dhe “Red Star” largohen duke kërkuar leje nga Porti i Vlorës. Ata e justifikuan largimin me zbarkimin në portet italiane, pasi u duhej të rinovonin licencat. Autoritetet nuk konfirmojnë nëse kanë të dhëna për nisjen në Libi.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











