Me një vonesë të vogël, për shkak të bisedave protokollare dhe realizimit të fotografive zyrtare, ka nisur takimi kritik për Groenlandën në Shtëpinë e Bardhë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të SHBA-së, Danimarkës dhe vetë ishullit, raportoi televizioni danez TV2.
Ndërkohë, është publikuar edhe një fotografi nga mbërritja në Uashington e ministrave të Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës. Në imazh shfaqen ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, dhe homologja e tij nga Groenlanda, Vivian Motzfeldt, në momentin e mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë, ku pritej të zhvillonin një takim me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance, dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, në Uashington DC.
Kërcënimet e vazhdueshme të Trump
Takimi zhvillohet në një klimë të tensionuar, teksa presidenti amerikan Donald Trump vazhdon kërcënimet e tij të përsëritura për një marrje nën kontroll nga SHBA e Groenlandës. Në një postim të ri mesditën e sotme, Trump deklaroi se “NATO duhet t’u thotë danezëve të largojnë menjëherë rusët dhe kinezët” nga Groenlanda.
Në një postim në platformën Truth Social, duke iu referuar Rusisë dhe Kinës, Trump shkroi: “NATO: Thuajini Danimarkës t’i nxjerrë nga aty, TANI! Dy slitë me qen nuk do ta bëjnë këtë punë! Vetëm SHBA-të munden!!!”.
© Panorama.al












