Nina Mula: Një soprano ruse, prej 60 vjetësh në Tiranë

Nov 6, 2011 | 14:07

Sado e vështirë të jetë përzgjedhja mes pjesëtarëve të familjes Mula se për kë të shkruash më parë, sot, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së saj pak ditë më pas, kemi zgjedhur Nina Mulën. Rusen bukuroshe që la fill pas studimeve vendin e saj, për të udhëtuar drejt dashurisë. Pa e ditur se pikërisht aty do t’i gjente të gjitha…

“Ninoçka, podzdravlaju ot serce!” Ende edhe sot, që numëron 60 vite në Shqipëri, larg Izhevskit të rinisë së saj, dëgjohet urimi në rusisht, në 23 nëntorin e çdo viti. Janë mikeshat e saj që u pëlqen ta kthejnë vite në të shkuarën e re, kur ndryshe nga sot, përpinte ç’shkrim të gjente, veç të pasuronte shqipen. 23 nëntorin e këtij viti, flokëverdha sykaltër ruse që dikur e pritën me brohoritma entuziaste në Portin e Durrësit, numëron 80 vite nga lindja e saj. Është ky përvjetor i së ëmës që e solli Inva Mulën këto ditë në Shqipëri, në festivalin ‘Marie Kraja’, për të dhënë çmimin “Nina Mula”. E është po ky përvjetor që na bëri ne të gërmojmë në libra e kujtime të jetës së saj. Një ndër të cilët është libri i Mustafa Gërcaliut, mik i familjes Mula, që ka shkruar librin “Midis dy dashurive”.
Është hedhur në letër historia e të dyve, Avni dhe Nina Mulës, qysh prej kohës së të parëve, e deri sot, kur nuk i gëzohen vetëm suksesit të së bijës nëpër botë, por edhe të nipërve, Enios, pianistit që mori nga e ëma Adelina Mula, dhe Antony-t, djalit të Invës që nuk mund t’i shpëtonte gjenit të prindërve, e të gjyshërve, të mamasë e të babait. Nga të gjitha kujtimet e gëzimet e familjes, po shkëpusim ato të Ninës, për t’ia nisur me  fëmijërinë e rritjen e vështirë në Rusi, takimet e para me Avniun, sukseset e njëpasnjëshme në skenën e TOB-së, e deri sot, kur pret mëngjesin e 23 nëntorit që përtej telefonit të dëgjohet  “Ninoçka, podzdravlaju ot serce!”
Fëmijëria në sytë e saj

Familja Mula

“Babai gjatë gjithë kohës së luftës ka ardhur vetëm pak herë në shtëpi. Unë e vëllai i madh, German, kishim barrën e rëndë të ndihmonim familjen, ndërsa nëna, Klaudia, kujdesej për shtëpinë dhe rritjen e fëmijëve, pra të gjithë punonim dhe administronim shtëpinë dykatëshe me oborrin e saj të madh. Në kohën e luftës, në familjen tonë, erdhën refugjatë nga qytete të ndryshme, si: Moska, Kievi, Leningradi. Kishte invalidë e të plagosur, të cilët kishin nevojë për shërbimet tona. Më vonë, gradualisht, filloi rënia ekonomike dhe kishte shumë mangësi në ushqime. Hanim ç’të gjenim, vetëm për të jetuar. Në majin e 1945-s, dëgjonim lajmet çdo 5 minuta. E mbaj ende mend rrahjen e çekiçit te porta e shtëpisë kur babai erdhi nga uzina dhe solli një flamur. Akoma edhe sot kur kujtoj atë gëzim, ndihem krenare. Filloi beteja për rindërtimin e vendit. Në 1946-n, nëna ime vdiq në moshën 43- vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Atëherë mungonte gjithçka, edhe penicilina. Humbja e nënës ishte tronditëse. Ndërkohë, dy motrat u martuan, ndërsa unë mbeta me babain dhe dy vëllezërit. Vazhdoja ndërkaq shkollën, por mbaja edhe barrën e shtëpisë. Pas dy vitesh humba edhe babain, Aleksandër. Kështu vazhdova të jetoj me vëllezërit, me pensionin e babait.”
Zëri si dhuratë

Nina në prag të fillimit të konservatorit

“Një ditë, në qytetin tonë erdhi Artistja e Popullit, Irina Maslenikova. Mësuesja ime, duke pasur besim në talentin tim, i kërkoi artistes së madhe të më dëgjonte në studion e teatrit. Pasi këndova, më pyeti se me cilin pedagog kisha studiuar. Iu përgjigja: në mënyrë autodidakte, isha 18 vjeç atëherë. Mbas një pauze më tha: Në moshën tënde unë bërtisja, ndërsa ti këndon. Ke dëshirë të konkurrosh në Konservatorin e Moskës? Jo, i thashë, jam pa prindër dhe kam në mbikëqyrje vëllezërit e mi. Me përpjekjen e saj, por edhe të vëllait të madh që gjithashtu insistoi, u nisa me tren për Moskë. Fitova konkursin, e para fitore e jetës sime. U hap një dritare, u realizua një ëndërr e pabesueshme”.
Takimet e para me Avniun në Moskë
Në vitet e studimeve, Nina njohu shumë shqiptarë. Një ndër ta (pa dyshim më i rëndësishmi) ishte edhe Avniu, me të cilin bisedonin e ndihmonin njëri-tjetrin. Një ditë, në zhurmat e studentëve nëpër shkallët e shkollës, ajo e takon e i kërkon ndihmë. I duhej një zë i fuqishëm për veprën e “Palaços”, që grupi i saj do vinte në skenë. Ai tregohet i disponueshëm, ndërsa fill pas kësaj nisën të pëshpëriteshin fjalët e para se mes tyre duhet të kishte diçka, ndryshe pjesa nuk mund të ishte luajtur aq mirë. “Nuk e kishim menduar atë që ndodhi. Fati të hedh aty ku s’e pret. Dashuria nuk njeh kufij e gëzimet dhe vuajtjet janë brenda saj”, tregon tani vonë Nina. Pak kohë më vonë u shpall fejesa, ndërsa Nina u pagëzua si “nusja pa duvak”. E bashkë me kurorën e martesës erdhi edhe diplomimi i secilit, për pasojë, plane të reja duheshin thurur.
Largimi nga Moska
Pas dy muajsh të mbushur me ngjarje të bukura, krejt si një muaj mjalti, erdhi koha e largimit. Për Ninën ishin kohë

Çifti Mula gjatë roleve

emocionesh të mëdha. Po linte pas atdheun e saj, rininë, po linte berjoskat. Po sidomos taborin e familjes së madhe Odjankova. Shqipëria ishte shumë larg. Shikonte hartën, i dukej si një pikë uji në oqeanin e madh. Me vapor mori rrugën drejt Shqipërisë. Ishte hera e parë që largohej nga vendi i saj. Udhëtimi zgjati pesë

Çifti Mula gjatë roleve

ditë përpara se vapori të ankorohej në Portin e Durrësit. Pritja ishte surprizë më vete, me këngë e me valle. Një mikpritje tronditëse që ia lehtësoi ndryshimin e menjëhershëm. E njëjta mikpritje e i njëjti entuziazëm e priste edhe në Shkodër, te qyteti i rinisë së Avniut. I shoqi e çoi Ninën në shtëpi, atje ku e priste reagimi më delikat ndër pritjet e mëparshme, sepse gratë e vendit, shoqe të së vjehrrës i patën thënë: “Moj nusja e Osman Agës, po ku dreqin ai Avniu tand e gjeti nusen kaq larg? A varza t’bukura nuk ka Shkodra? Manej, manej ‘kaureshë’. Por pritja e nënës së Avniut ishte krejt tjetër…
Kohët e arta të Teatrit të Operës
Kohës së mirëseardhjes, takimeve të pafundme, shëtitjeve të gjata në bulevardin e Shkodrës, do t’i vinte shpejt fundi. Një jetë e re po niste, pas vitit 1957, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Vetëm gjashtë muaj pas ardhjes në Shqipëri, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Pjesë të cilën Nina guxoi ta interpretojë fund e krye në gjuhën shqipe, pa shkaktuar asnjë të metë qoftë muzikore, qoftë gjuhësore. Kaq mjaftoi që të fitonte besim absolut të stafit e të kolektivit, duke i lënë vetes më pas rrugë të hapur në të tjera vepra të rëndësishme. Pas këtij suksesi, Ninës po i besoheshin edhe vepra të autorëve shqiptarë, të cilat e ndihmuan në konsolidimin e fizionomisë së operës me autorësi shqiptare. Veprat nisën të pasojnë njëra-tjetrën. Në vitin ’58, me partner bashkëshortin, Nina do të interpretonte rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” të Rosinit. Me “Figaron” partner gjërat do t’i lehtësoheshin. Pas kësaj e “Pranverës” së Tish Daisë, erdhi “Evgeni Onjegini” dhe Tatjana që të gjithë kishin dashur të shihnin. Vijoi pastaj opera “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më pas, i trokiti fati të luante pikërisht ajo Mikaelën në operën “Karmen”. Por nuk janë vetëm vepra me famë botërore, jo. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.
Pensioni i parakohshëm

Nina dhe Avni Mula me të nipin, Antony

Shkëlqimet e njëpasnjëshme nuk ishin motiv i mjaftueshëm për ta lënë sopranon në skenë. Në vitin 1976, në moshën 45-vjeçare, i vjen mandati i daljes në pension.
Moshat e solistëve lirikë, balerinëve ishin të specifikuara, me arsyetimin se ‘lodhen’, por edhe se institucioni do rinovuar. Sado që ishte e papranueshme për të, Nina u tregua dinjitoze duke thënë vetëm “Po të kini nevojë, jam gati të vij”. Në fakt, nuk u thirr më.
Dhe kjo nuk ishte si ajo shkëputja shtatëvjeçare e disa viteve më parë, kur në TOB u bë një krasitje drastike. U hoq thuajse gjithë repertori i veprave klasike të huaja, nën pretekstin e stimulimit të krijimit të veprave kombëtare. Artistët duhet të shkonin në bazë, në kooperativa, ferma, reparte, se kështu do njihnin më mirë popullin, do kaliteshin me vështirësitë… Duhet të përballeshin edhe ata me erën, të ftohtin, rrugët me baltë. Megjithatë, kur shkonin nëpër fshatrat e Skraparit, ajo futej nën jorgan e bënte vokalica, nxirrte frazime vetëm që të mbante në formë gjendjen vokale. Por pas kësaj, nuk vonoi lajmi i gëzueshëm se e priste kostumi i Violetës për të luajtur “Traviatën”.
Leksionet e nënës për të bijën
Domosdo që Inva Mula nuk kishte se si t’i shpëtonte, as gjenetikisht e as praktikisht muzikës. Ende pa nisur shkollën, ishte mësuar të këndonte ariet e operave që interpretonin prindërit e saj. Nuk kishte pse të vononte të shfaqej në skenë.

Avni dhe Inva Mula

Në moshën 6-vjeçare mori pjesë në Festivalin e Këngës për fëmijë. Prindërit e saj tashmë nuk ishin vetëm emrat më të mëdhenj të kantos, por ishin bërë edhe mjeshtrit në pedagogji, meqenëse prej kohësh kishin nisur punën si pedagogë në Akademinë e Arteve. Megjithatë, ata nuk i dhanë menjëherë rrugën që ata donin, e lanë deri në vitin e parë të gjimnazit të ndiqte arsimin e përgjithshëm. Por a mund t’i shpëtonte vogëlushja tingujve të pianos që dëgjonte në shtëpi, vokalicave, shfaqjeve që shiheshin? Tek e fundit, pse duhej t’i bënte rezistencë?! Kështu, humbi një vit nga gjimnazi dhe u regjistrua në Liceun Artistik, aty ku e priste për t’i dhënë gjithë ç’mundte nga vetja, pedagogia e saj, Nina Mula. Edhe babai nuk ndenji më pak i tërhequr ndaj talentit që po rritej, pa ditur ende se deri ku do të shkonte.
Kuarteti Mula
Çifti Mula mori përmasa të tjera, kur familjes së vogël iu shtua edhe Adelina, vajza e parë, e mandej pas katër vitesh Inva. “Unë dhe Avniu vendosëm të mos u imponohemi fëmijëve për rrugën që do të zgjidhnin. Por Adelina na shihte gjithë kohës të përkulur mbi piano. A mund ta ndalonim që edhe ajo të prekte tastierën e pianos? Tek e fundit, qoftë edhe vetëm t’i dinte, pa i pasur profesion, është kulturë. Dhe kështu filloi. Ndërkaq, edhe Inva përditë e më shumë po ushqehej e lidhej me muzikën. Të dyja motrat ndiqnin operat, koncertet tona, diskutimet e provave tona”. As që mund të përfytyrohej një drejtim tjetër. Të paktën jo sot, kur e gjithë familja, me vajzën e vogël në krye, i ka bërë emrit xhiron e botës.
Peshkimi, pasioni i Avniut, qejfi i Antony
Miqtë, ata për të cilët familja Mula ka qenë përherë një derë e hapur, kanë pohuar në çdo kohë se kishte dy gjëra që nuk mungonin kurrë në shtëpi: humori dhe peshku i mirë, shoqëruar me verë (natyrisht s’po përmendim muzikën). Nuk ishte e rastësishme. Kreu i shtëpisë kishte edhe një pasion tjetër, përveç atij që e kishte kthyer në profesion. Edhe në peshkim nuk mbetej pas. Shëngjini ishte stacion i përhershëm i tij, ku shkonte e peshkonte me miqtë, aq sa shpeshherë Ninës i ndodhte edhe të shqetësohej për shkak të motit jo fort të mirë, kur i shoqi kishte dalë në det të hapur. Kjo fotografi është dëshmi reale e kënaqësisë së gjyshit që ka arritur, si gjithnjë, të kthehet në shtëpi fitimtar me kilogramë të tërë peshku për të gatuar. Nipi i tij, Antony, djali i Invës, është gjithaq i kënaqur nga suksesi i gjyshit, ashtu siç kanë qenë edhe miqtë e tij, të cilët Avniu i thërriste o për të drekuar bashkë, ose për t’iu dhënë peshk me vete. Prandaj, edhe shtëpinë e tyre e kanë quajtur “Restoranti pa pará, Mula”.
Bëmëni prindër, t’ju ngjaj
Ata të dy e kanë pohuar që në fillim se nuk donin të ishin imponues në zgjedhjen profesionale që vajzat do bënin në jetë. Por rrugë tjetër nuk kishte, të gjithë e dinin mirë. Me Invën, do të ngjiste krejt njësoj si me të atin vite më parë. Ende pa mbaruar studimet e larta, do të ‘tundnin’ veshët e dëgjuesve. Avniu në Moskë në ‘Çajkovski-Zall’, ndërsa e bija në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve me Violetën në ‘Traviata’. Pas këtij suksesi, të tjerët do të pasonin me shpejtësi, menjëherë sapo u emërua soliste në TOB. Puna e saj dhe ajo e prindërve, bashkë me ëndrrat që kishin thurur për të, u bë shpejt një realitet i prekshëm. TOB-ja ishte vetëm fillesa, shkalla e parë që do ta çonte drejt suksesit ndërkombëtar. As që ka nevojë të përmendim vepra një e nga një për të treguar përmasat e famës së saj.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura