Dy kandidatët e Korçës janë ende në mes të garës së numërimit të votave, duke pritur ditën e sotme që të japë një rezultat përfundimtar të kryebashkiakut të ardhshëm.As kryetari aktual, Niko Peleshi, i zgjedhuri i PS-së për mandatin e dytë e as kandidati i PD-së, Andrea Mano, nuk kanë qenë të pranishëm në sallën e numërimit të votave, ku deri afër mesnatës së djeshme ishin arritur të hapeshin 25 kutitë e para. Ndërsa pritet të numërohen dhe 37 kuti të tjera për Bashkinë e Korçës, avantazh të dukshëm ka pasur Peleshi. Nga numërimi i 25 kutive të para rezulton se kandidati i Partisë Socialiste ka një diferencë në avantazh karshi votave të siguruara deri në këto momente nga ana e kandidatit demokrat, ish-prefektit Andrea Mano. Në orën 01:00 të ditës së sotme, Peleshi arriti 6680 vota, ndërsa Mano 5248 vota.
Votimi për kreun e Bashkisë së Korçës nisi me vonesë, pasi u krijuan probleme në lidhje me mungesën e autorizimit të personave të caktuar në procesin e numërimit të votave. Numërimi i votave nisi përfundimisht në orën 04:30 të datës 9 maj. Që nga kjo kohë numëruesit e votave kanë vazhduar pa ndërprerje, ndonëse me ritme të ngadalta. Ata kanë kërkuar shkëputje, për shkak të lodhjes që ndjenin, por nuk është pranuar kjo kërkesë, duke arritur deri në mesnatën e djeshme të numëronin votat. Ndërsa po pritet me ankth vota për kreun e Bashkisë së Korçës, e njëjta situatë po ndodh dhe në qytetin e Pogradecit. Këtu, kryebashkiaku aktual Artan Shkëmbi, i PS ka një avantazh në vota prej rreth 1200 votash kundrejt Luan Topçiut të PD-së. Në Pogradec janë hapur 20 kuti, ndërsa kanë ngelur dhe 8 të tjera. Në rang qarku të Korçës është mbyllur votimi në katër bashki të saj. Në Bashkinë e Devollit ka fituar Valter Miza i PD me 1367 vota kundrejt socialistit Haki Ajçe me 1024 vota. Demokratët fituan dhe në Bashkinë e Leskovikut, ku Fatmir Guda me 838 vota rifitoi kreun e kësaj njësie vendore kundrejt socialistit Fergej Peshtani, me 503 vota. Ndërkohë, dy bashki i kanë marrë socialistët, siç është ajo e Ersekës, ku fitoi Ali Laho me 1526 vota përballë Zhaneta Priftit të LSI-së me 1125 vota. Qytetarët e Maliqit ia dhanë votën sërish Gëzim Topçiut të PS-së, i cili arriti një diferencë prej 157 votash karshi Xhevdet Belishtës së PD-së. Numërimi ka përfunduar dhe në disa komuna. Në Drenovë, Mollaj, Pojan dhe komunën e Bulgarecit kanë fituar kandidatët demokratë, ndërsa në komunat Libonik e Voskop Partia Socialiste.
Korçe
Bashkia Pogradec
Artan Shkëmbi, PS kryeson në 20 kutitë e numëruara karshi kandidatit të LSI, Luan Topçiu
Bashkia Bilisht
Përfundon votimi, duke nxjerrë fitues Valter Mizën e PD kundrejt Haki Ajçes të PS
Bashkia Leskovik
Numërimi nxjerr fitues Fatmir Gudën e PD përballë kandidatit Fergej Peshtani të PS
Bashkia Maliq
Del fitues kandidati i PS, Gëzim Topçiu përballë Xhevdet Belishtës së PD
Bashkia Ersekë
Fiton zgjedhjet Ali Laho i PS-së kundrejt Zhaneta Priftit të LSI-së











