Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij do të paraqiten në gjykatën federale për t’u përballur me akuzat

Jan 5, 2026 | 8:59

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ka paraqitur zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të cilët pritet të dalin sot (5 janar) para gjykatës.

trump_maduro

Maduro akuzohet për “narko-terrorizëm, mportimin e kokainës, posedim të mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, si dhe komplot për posedimin e mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti Donald Trump i përmblodhi këto akuza duke i cilësuar si “fushata vdekjeprurëse e narko-terrorizmit e Maduro-s kundër SHBA-së dhe qytetarëve amerikanë.”

Trump e quajti gjithashtu Maduron një “diktator të paligjshëm”, duke shtuar se i kishte kërkuar udhëheqësit venezuelian të “dorëzohej” një javë përpara sulmeve.

Sipas Bondi-t, Maduro dhe bashkëshortja e tij do të “përballen me gjithë forcën e drejtësisë amerikane, në tokë amerikane dhe në gjykata amerikane”.

Çifti ndodhet aktualisht në paraburgim në një qendër ndalimi në Nju Jork dhe paraqitja e tyre në gjykatë mund të bëhet më vonë gjatë ditës së sotme. Nicolás Maduro po mbahet në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit (MDC) në Bruklin, një institucion famëkeq për mbipopullimin dhe kushtet e josanitare, me një histori incidentesh të dhunshme.

Prej aty, ai dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores do të dërgohen në gjykatë federale, ku do t’u bëhen të ditura akuzat. Një aktakuzë prej 25 faqesh përshkruan pretendimet se çifti është pasuruar përmes një rrjeti kriminal të dhunshëm që ka kontrabanduar tonelata kokaine drejt SHBA-së.

Maduro i ka hedhur poshtë prej kohësh këto akuza, duke i quajtur ato një pretekst për ta rrëzuar nga pushteti. Çifti pritet të deklarojë pafajësinë ose fajësinë, ndërsa kërkesa për lirim me kusht konsiderohet pak e mundshme.

Presidenti Trump ka përsëritur pretendimin se SHBA-ja tani do ta “drejtojë” Venezuelën, duke kërkuar atë që e quajti akses të plotë në industrinë e saj të naftës.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zbutur tonin kërcënues, presidenti amerikan ka paralajmëruar sërish për një tjetër sulm ushtarak nëse aleatët e mbetur të Maduro-s në pushtet nuk veprojnë sipas kërkesave të tij.

Kur u pyet për pretendimet se Maduro ishte rrëmbyer nga SHBA-ja, Trump u përgjigj se ky “nuk është një term i keq”.

© Panorama.al

Te lidhura