Ngrini zërin, mbroni veten!

Nov 27, 2011 | 10:56

Lajmet tronditëse rreth vrasjeve të grave për motive xhelozie kanë pushtuar ekranet e gazetat. Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Kundër Grave, 25 nëntor, por edhe më parë, organizatat e shoqërisë civile në mbrojte të grave të dhunuara protestojnë për të drejtat e grave. Që të zvogëlohen përmasat e dhunës dhe krimeve ekstreme, zërin duhet ta ngrini të gjitha.
“Korçë: Plaku që vrau për xhelozi refuzon të dorëzojë kokën e Liljanës”, “Vrau për xhelozi gruan, burg pa afat 61-vjeçarit në Berat”, “Vrau gruan për xhelozi në Lushnjë, kapet në Athinë”, “Vrau gruan për xhelozi, arrestohet në Tropojë”, “Shkodër, dorëzohet në polici burri që vrau gruan për xhelozi”, “Zvicër, shqiptari vret gruan dhe vajzën për xhelozi”, “Arrestohet burri që vrau gruan ditën e Kurban Bajramit”… Tituj të tillë, me të cilët gazetat po hapen përditë, mund të zënë edhe hapësirën e të gjithë shkrimit, aq të shpeshtë i kemi dëgjuar muajt e fundit. Dhe në fakt, Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile kundër dhunës me bazë gjinore numëron 17 të tilla vetëm gjatë vitit 2011. Situatat dhe pretendimet janë nga më absurdet, megjithatë mbetet fakti që lajme të tilla po na rëndojnë përditë e më shumë. Si pasojë e kësaj tronditjeje, organizatat e shoqërisë civile kanë bërë thirrje dhe janë bashkuar javën e shkuar në protesta përpara Kryeministrisë. Thirrje të ngjashme me të tyret janë bërë në mbarë botën nga femra të prekura, por edhe figura të njohura të ekranit që kanë dalë me simbole të ndryshme lirie, në datën 25 nëntor, në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave. Prej ditësh ka nisur një fushatë kundër dhunës, së cilës i janë bashkuar jo vetëm organizata joqeveritare në Tiranë, por edhe në Durrës, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Elbasan, Peshkopi, Pukë, Vlorë, Kukës, Burrel etj. “Si organizata të shoqërisë civile, kemi bindjen e plotë se dhuna e përditshme e sistematike që ushtrohet brenda familjes, jo vetëm në formën fizike, por edhe psikologjike e ekonomike, bëhet shkas për ndodhi e ngjarje të tilla. Prandaj, është detyrë e institucioneve kompetente të shtetit shqiptar të tregojnë gjithë vëmendjen e duhur për parandalimin, ndalimin dhe ndëshkimin e dhunës në familje. Përveç masave dhe procesit të vazhdueshëm për fuqizimin ekonomik të familjes e të gruas shqiptare, një vëmendje të posaçme kërkon forcimi dhe rritja e efektivitetit të zbatimit të mjeteve ligjore ekzistuese. Në këtë situatë, ne theksojmë me forcë të madhe që një vëmendje më e madhe ka nevojë t’i kushtohet zbatimit të Kodit të Familjes dhe ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, nga gjykatat, Policia e Shtetit, Prokuroria, njësitë sociale të pushtetit vendor, zyrat përmbarimore, me qëllim rritjen e efektivitetit të tij, në luftën e përditshme kundër dhunës në familje”. Kjo është vetëm një pjesë e thirrjes thënë e stërthënë disa herë me zë të lartë nga përfaqësueset e këtyre organizatave, por rezultati vetëm sa po përkeqësohet. Zhurmnajat në Parlament, siç i shihni e i keni parë, nuk reshtin, por janë sigurisht për çështje më ‘madhore’ se këto. Mungesa e ndëshkueshmërisë penale është, sipas organizatave, një ndër arsyet kryesore që çon në këto raste ekstreme. “Prandaj, kërkojmë që Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi të shpejtojë, duke vendosur një vepër penale të posaçme në Kodin Penal, që të dënojë dhunën sistematike që shkel dinjitetin dhe personalitetin e anëtarëve të familjes, në mënyrë të veçantë të grave dhe fëmijëve. Organizatat e shoqërisë civile theksojnë që kjo masë duhet të shoqërohet edhe me ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim që ndjekja penale e dhunuesve brenda familjes të jetë një çështje që ndiqet nga shteti përmes Prokurorisë. Kjo e fundit nuk mund të lërë vetëm viktimën në një proces të gjatë gjyqësor. Ne shprehim gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit me organet shtetërore dhe presionin ndaj tyre, për ndaljen e dhunës brenda familjes. Bëjmë thirrje për mbrojtjen e vlerave të familjes”. Duke besuar që thirrjes së tyre u bashkohet kushdo që lexon këto radhë, urojmë që lajmet televizive e faqet e gazetave të mos kenë më motiv për t’u hapur me tmerre të tilla, ku gjithçka veç logjikës funksionon. Fushata kundër dhunës ndaj gruas do të vijojë me të tjera aktivitete deri në datën 21 dhjetor, ndërsa lufta, asnjëherë…

Gjashtë gjëra që mund të bëni për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave
– Mësoni rreth shkaqeve dhe pasojave të dhunës kundër grave dhe vajzave.
– Dëgjoni vajzat dhe gratë që ju njihni dhe mësoni nga historitë e eksperiencat e tyre.
– Mos pranoni gjuhën dhe shakatë seksiste, të cilat denigrojnë gratë dhe vajzat.
– Mësoni të njihni dhe të kundërshtoni dhunën dhe ngacmimin ndaj grave e vajzave në shkollën, komunitetin dhe familjen tuaj.
– Kuptoni se si qëndrimet dhe sjellja juaj mund të kontribuojnë në këtë problem.
– Mbështesni financiarisht ose me mënyra të tjera organizatat që punojnë për t’i siguruar grave dhe vajzave alternativa kundër dhunës dhe mos mbështesni ato institucione, të cilat promovojnë dhunën.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura