Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar sot nga qyteti i Sarandës, duke ngritur shqetësimin për përshkallëzimin e ngjarjeve kriminale në qytet dhe mungesën e reagimit efektiv nga strukturat e rendit.
Zhupa theksoi se Saranda është kthyer në një vatër të pasigurisë publike, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe në muajt e fundit të vjeshtës, ku rastet e rrëmbimeve, plagosjeve, vrasjeve dhe shpërthimeve kanë qenë të shpeshta.
“Ngjarjet e vazhdueshme kriminale janë bërë refren në qytetin e Sarandës, ku që nga sezoni turistik por dhe tani në muajt e parë të vjeshtës vazhdojnë më rrëmbime, plagosje, vrasje, shpërthime, të cilat rrezikojnë jeten e banorëve të qytetit të Sarandës.
Si deputete e Sarandës kam ndarë shpesh shqetësimin publik për këtë gjëndje, duke i kërkuar Ministrisë së Brëndshme nëpërmjet strukturave të policisë së shtetit të reagojë.
Të vër në kontroll dhe të monitoroj terrenin në qytetin e Sarandës.
Duhet që Policia e Shtetit të reagoj për të parandaluar ngjarjet, për të qenë ajo pararendëse e asaj që do të ndodhi në Sarandë dhe jo për të numëruar viktimat mbasi ngjarja ka ndodhur”, tha Ina Zhupa.
© Panorama.al












