Nga tetori, NATO çon në Kosovë 700 forca speciale

Aug 22, 2012 | 21:43

Nga fillimi i tetorit NATO do të dërgojë 700 trupa të forcës së saj speciale në veri të Kosovës.

E përditshmja gjermane Spiegel shkruan sot se NATO ka kërkuar sërish përdorimin e një force gjermano-austriake për ndërhyrje në Kosovë në vjeshtën e vitit 2012.

Do të jenë 700 forca të njësisë ushtarake gjermane dhe austriake që nga fillimi i tetorit do të zëvendësojnë një forcë paqeruajtëse italiane.

Kjo është hera e tretë brenda këtij viti që ushtarët gjermanë të batalionit të të ashtuquajturit Operacioni Rezervë (ORF) do të duhet të lëvizin jashtë në drejtim të Kosovës.  Pavarësisht kësaj Berlini u pajtua me kërkesën e  NATO-s, shkruan Spiegel, me qëllimi vazhdimin e operacioneve të suksesshme, stabilizimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë në veri të Kosovës.

Gazeta gjermane Spiegel thotë se përshkrimi i situatës në Kosovë tingëllon alarmues. Pavarësisht nga prania e rreth 5.800 ushtarëve ndërkombëtare dhe një force italiane prej 700 ushtarësh situata vazhdon të jetë e brishtë sidomos në rajonin verior, kufitar të Kosovës me Serbinë.

Pas zgjedhjeve në Serbi në fillim të verës, nga të cilat forcat nacionaliste u shfaq si fituese atje, në muajt e ardhshëm ka një potencial të rëndësishëm për një përkeqësim të situatës, citon Spiegel gjeneralin, Rainer Glatz.

Kjo task-forcë (ORF) është krijuar nga NATO për situata të rrezikshme dhe në rast se forcat e rregullta nuk mund të kontrollojnë situatën. Në Ballkan, njësia është përdorur kryesisht në zonën kufitare për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë.

 

© Panorama.al

Te lidhura