New York Times: SHBA besonte se Izraeli planifikonte të eliminonte Aragchi-n dhe Ghalibaf-in gjatë negociatave me Iranin

Jul 3, 2026 | 10:02

Sipas gazetës amerikane, Uashingtoni kishte frikë se një atentat ndaj dy zyrtarëve të lartë iranianë do të shkatërronte bisedimet për armëpushim dhe i kërkoi vendeve të Gjirit të paralajmëronin Teheranin.

arraghvi pezeshkian

Zyrtarët amerikanë besonin se Izraeli kishte planifikuar të eliminonte dy nga negociatorët kryesorë iranianë, ministrin e Jashtëm Abbas Aragchi dhe kryetarin e Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, gjatë kohës kur SHBA dhe Irani po zhvillonin negociata të ndjeshme për një marrëveshje armëpushimi, shkruan New York Times, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Sipas raportit, Uashingtoni ishte thellësisht i shqetësuar se një sulm ndaj dy zyrtarëve iranianë do të minonte procesin diplomatik dhe do të rikthente përshkallëzimin e konfliktit. Për këtë arsye, administrata amerikane u kërkoi vendeve të Gjirit që, përmes kanaleve diplomatike, të paralajmëronin Teheranin për rrezikun e mundshëm.

Burimet thanë se gjatë një vizite të delegacionit iranian në Pakistan, avionë luftarakë pakistanezë shoqëruan avionin e tij, si pjesë e masave të sigurisë.

Objektivat e SHBA-së dhe Izraelit nisën të ndryshojnë

Sipas New York Times, dyshimet e administratës Trump për planet izraelite nxorën në pah dallimet mes objektivave të Uashingtonit dhe Tel Avivit.

Ndërsa SHBA po përpiqej të arrinte një marrëveshje të përkohshme me Iranin, Izraeli mbetej skeptik ndaj negociatave, duke argumentuar se një armëpushim i hershëm nuk do të përmbushte objektivat strategjike të luftës dhe nuk do të dobësonte mjaftueshëm regjimin iranian.

Raporti thekson se Izraeli e konsideronte ndryshimin e regjimit në Teheran si një nga synimet kryesore të fushatës ushtarake dhe vazhdoi të shënjestronte figura të rëndësishme të establishmentit iranian.

Marrëveshja e qershorit u prit me kundërshtime në Izrael

Në qershor, SHBA dhe Irani arritën një marrëveshje kornizë, e cila parashikonte hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe krijimin e bazave për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor iranian.

Megjithatë, sipas New York Times, zyrtarët izraelitë e konsideruan marrëveshjen një dështim, pasi, sipas tyre, ajo nuk siguronte dobësimin e regjimit iranian, nuk kufizonte në mënyrë të mjaftueshme programin raketor dhe bërthamor të Teheranit dhe mund t’i siguronte Iranit burime financiare për t’u rimëkëmbur pas luftës.

Një zëdhënës i Ambasadës së Izraelit në Uashington nuk pranoi të komentojë raportin.

Aragchi dhe Ghalibaf mbetën në listën e objektivave

Sipas Wall Street Journal, Izraeli i kishte përfshirë Aragchi-n dhe Ghalibaf-in në listën e objektivave që në muajin mars, por i kishte pezulluar përkohësisht planet pasi SHBA nisi negociatat me Iranin.

Një zyrtar amerikan dhe një tjetër nga Lindja e Mesme thanë se administrata Trump kishte kërkuar nga Izraeli të shmangte çdo veprim që mund të rrezikonte procesin diplomatik.

Raporti shton se Ghalibaf i shpëtoi dy herë atentateve gjatë konflikteve të fundit me Izraelin, përfshirë një sulm ndaj një takimi sekret të drejtuesve iranianë.

Deputeti iranian Mohsen Zanganeh deklaroi në fund të prillit se Aragchi dhe Ghalibaf vazhduan negociatat pavarësisht kërcënimeve ndaj jetës së tyre, duke e cilësuar këtë si një “sakrificë të vërtetë”.

Frikë për sulm ndaj avionit të delegacionit iranian

Sipas raportit, në prill Ghalibaf dhe Aragchi planifikonin të udhëtonin në Islamabad për bisedime me zyrtarë amerikanë.

Shërbimet iraniane të sigurisë dyshonin se Izraeli mund të shfrytëzonte udhëtimin për të goditur avionin e delegacionit iranian, ndaj Teherani kërkoi garanci nga SHBA përmes ndërmjetësve pakistanezë dhe katarianë.

Gjatë fluturimit drejt Pakistanit, avionët iranianë u shoqëruan nga avionë luftarakë pakistanezë.

Në kthim, sipas burimeve iraniane, ekuipazhi u njoftua për një kërcënim të mundshëm izraelit, çka detyroi avionin të bënte një ulje emergjente në Mashhad. Më pas, delegacioni udhëtoi me automjete drejt Teheranit.

Pavarësisht incidenteve, Aragchi dhe Ghalibaf vijuan pjesëmarrjen në negociata. Në fund të majit ata udhëtuan në Katar, ndërsa në qershor zhvilluan në Zvicër një tjetër takim me delegacionin amerikan, të kryesuar nga nënpresidenti J.D. Vance.

© Panorama.al

Te lidhura