TIRANË- Starton procesi i regjistrimit te popullsise dhe banesave.
Duke nisur qe sot, 15.000 regjistruesit zyrtarë, të trajnuar nga INSTAT, do të trokasin dere me dere per regjistrimin e shqiptareve. Proces, qe pritet te mbyllet ne daten 21 tetor.
Një ditë para startimit të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, ministri i Teknologjisë, Genc Pollo i ka bërë thirrje shqiptarëve të jenë bashkëpunues e të deklarojnë të dhënat, jo pse procesi parasheh ndëshkime e gjoba, por sepse ky është detyrim dhe kontribut për secilin dhe për vendin. Në një konference për mediat, ne prani të drejtoreshës së INSTAT dhe përfaqësuesit të EUROSTAT, Pollo përsëriti rëndësinë e madhe të procesit.
“Nëse qeveria miraton bazën ligjore dhe kuadrin e censusit, nëse pushteti vendor dhe anketuesit janë veprimtarët në terren, aktorët e vëretët të këtij procesi madhor janë qytetarët e Republikës dhe unë apeloj tek secili prej tyre që me krenari të bashkëpunojë me censusin, të deklarojë të dhënat e veta, pasi jep kontribut për vendin dhe veten”- tha Pollo, duke theksuar se procesi është i rëndësishëm, në mënyrë që të kemi rezultate të sakta e të besueshme, sepse me këto të gjitha nivelet e vendimarrjes do kenë mundësi më shumë për të përmirësuar jetën.
“Ndonëse gjatë periudhës përgatitore, kemi patur një debat, kemi patur dhe thirrje të tepruara, nga një lagje apo tjetër, sot është momenti t’i lëmë pas dhe të bashkëpunojmë të tërë në këtë proces madhor”- tha ai.
© Panorama.al











