Një ngjarje dramatike u regjistruar para pak ditësh në bordin e një avioni të kompanisë Ryanair, ku një pasagjer serb rrezikoi jetën pasi një dritare e avionit u thye gjatë fluturimit dhe ai u tërhoq pjesërisht jashtë kabinës.
Svetlana Grković ka rrëfyer momentet e tmerrit kur u kap pas këmbëve të bashkëshortit të saj, 61-vjeçarit Ljubiša Karović, për rreth pesë minuta, ndërsa ai qëndronte me kokën jashtë avionit në një lartësi prej rreth 6 mijë metrash.
Ngjarja ndodhi në fluturimin që ishte nisur nga Selaniku drejt Memmingenit, në Gjermani, me rreth 100 turistë në bord. Sipas hetimeve paraprake, një pjesë e shkëputur nga motori mund të ketë goditur dritaren pranë vendit ku ishte ulur Karović, duke e thyer atë.
Për shkak të ndryshimit të presionit, 61-vjeçari u tërhoq menjëherë drejt pjesës së jashtme të avionit. Ai kishte vendosur rripin e sigurimit, i cili e pengoi të dilte plotësisht jashtë, ndërsa gruaja e tij reagoi instinktivisht duke e kapur nga këmbët.
“Reagova pa menduar dhe i kapa këmbët. Mendova: Nëse vdesim, do të vdesim bashkë. Ishte e tmerrshme”, tregoi Svetlana.
Pas disa minutash, një pasagjer tjetër arriti të ndihmonte gruan dhe së bashku arritën ta tërhiqnin Karović sërish brenda kabinës.
“Ky person më ndihmoi shumë mua dhe Ljubišën”, tha gruaja, e cila së bashku me bashkëshortin merret me dhënien me qira të apartamenteve në zonat turistike të Greqisë.
Pasagjerët kanë përshkruar momente paniku në bord, duke treguar se mendonin se avioni po rrëzohej. Njëri prej tyre tha se Karović kishte gjak në kokë dhe humbi ndjenjat disa herë, ndërsa pasagjerët mbanin maskat e oksigjenit pa e ditur nëse do të shpëtonin.
Avioni u nis mëngjesin e 10 korrikut nga Selaniku. Gjatë fluturimit mbi Maqedoninë e Veriut, piloti konstatoi një problem me motorin dhe vendosi të kthehej në pikën e nisjes. Gjatë uljes, dyshohet se një pjesë e motorit u shkëput dhe goditi dritaren e avionit. Pas rreth 30 minutash, avioni u ul i sigurt në Selanik.
Gjendja e pasagjerit mbetet e rëndë
Ljubiša Karović ndodhet ende në spital dhe, sipas bashkëshortes së tij, nuk është ende në gjendje të flasë për shkak të plagëve dhe gjendjes së rëndë të shokut.
Mjekët kanë konstatuar djegie nga fërkimi, si dhe dëmtime të rënda në dorë.
Një tjetër pasagjer ka deklaruar se shpëtimi i 61-vjeçarit u bë i mundur falë rripit të sigurimit dhe ndërhyrjes së shpejtë të bashkëshortes së tij.
“Koka dhe shpatullat e tij ishin jashtë dritares së thyer. Gruaja e tij arriti t’i mbante këmbët për pesë minuta, derisa pasagjerët e tjerë erdhën në ndihmë”, tha ai.
© Panorama.al












