“Nëse Rama nuk jep dorëheqjen…”- Malaj: Vendimet arbitrare ndaj medias, shembja e “Prestige” dhe rasti “Bechetti”, do i kushtojnë shtrenjtë vendit!

Mar 10, 2026 | 16:02

Me krizën politike dhe ekonomike që po thellohet, nëse kryeministri Edi Rama nuk jep dorëheqjen, atëherë rrezikon që të ketë një fund të hidhur.

arben malaj ish minister

Kështu u shpreh sot për “News 24” në një interviste me lidhje direkte ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj.

Gjithashtu renditi si kosto që i kushtojnë vendit shtrenjtë edhe veprimet arbitrare të kreut të mazhorancës me sulmet ndaj medias, shembjen e resortit “Prestige” dhe rastin “Becchetti”, që kanë një kosto të paktën 400 mln euro për Shqipërinë.

Ai ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, në një kohë kur SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Malaj u shpreh se situata e krijuar mund ta çojë Shqipërinë drejt një krize të rëndë në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

“Shqipëria po hyn në një krizë të rëndë në raport me faktorët ndërkombëtarë dhe integrimin në BE. E kam thënë se mosdorëheqja e Ramës do të ishte, në mënyrë metaforike, shembje e urave të integrimit evropian. Sipas ekspertëve Shqipëria ka humbur 200 mln euro. Veprimet arbitrare janë një rast tjetër, që ka marrë Rama ndaj biznesit dhe mediave. Vetëm dy raste, ai Beketi dhe rasti i resortit “Prestige” të kompanisë së Hysenbelliut do i kushtojë Shqipërisë jo më pak se 400 mln euro. Pa folur për të tjerat që janë në Gjykatën e Strasburgut. Janë disa të tjera, po të drejtoheni atje do ju japin një listë me shifra të frikshme. Si pasojë e veprimeve inatçore të pushtetit ndaj mediave dhe që kanë kosto”, tha ai.

Lidhur me krizën politike, Malaj sugjeroi që kryeministri të jepte dorëheqjen, sa pa u përkeqësuar situata.

“Kriza i ka hedhur rrënjët e veta. Shenjat e para të sëmundjes së një lideri të dështuar janë të shohësh armiq kudo. Sheh armiq ndërkombëtarë, brenda dhe jashtë partisë. Kjo psikozë do i kushtojë shtrenjtë nëse nuk jep dorëheqjen. Dorëheqja është shenjë atdhedashurie. Nëse do rrijë më gjatë do jetë më keq”, u shpreh ai.

Në lidhje me çështjen Balluku dhe heqjen e imunitetit në Parlament, ish-ministri shpjegoi:

“Lidhur me Ballukun ka një rrugë dalje. Nga konsultimet që kam bërë, PS nuk do që të japë arrest me burg. Ka disa argumente për këtë, por pse të mos jepet arrest shtëpie? SPAK kërkon një arrestim dhe në këtë rast duhet të vlejë parimi i prezumimit të pafajësisë Parimi themelor i një shteti ligjor është që përpara ligjit të gjithë janë të barabartë dhe ky parim duhet të vlejë për çdo shqiptar”, deklaroi Malaj.

© Panorama.al

Te lidhura