Do luhet sot akti i parë i turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ku do futen në garë edhe skuadrat e Superligës. Deri tani janë luajtur dy raunde eliminatore me skuadra të Kategorisë së Dytë, nga të cilat janë kualifikuar dy skuadra: Tërbuni, i cili eliminoi Sukthin dhe Bilishti që eliminoi Prrenjasin. Ndërkaq, ajo që bie në sy në ndeshjet e sotme është fakti se, duke ditur që nuk mund të përballojnë skuadrat e Superiores, ekipet që vijnë nga kategoritë inferiore i kanë dhënë shumë pak për të mos thënë aspak rëndësi këtyre ndeshjeve. Kështu për shembull, takimi Himara-Tirana do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Në momentin kur dje 24 herë kampionët e Shqipërisë po bëheshin gati për t’u nisur drejt Himarës, janë lajmëruar se ndeshja do luhej në Tiranë, për shkak se fusha e himarjotëve është në një gjendje tejet të keqe dhe e përmbytur nga shirat. Kështu, edhe pse do luajnë në shtëpi, bardheblutë do konsiderohen sot si ekip mik dhe jo pritës. Sakaq, edhe Skrapari-Laçi do të luhet në kryeqytet, pasi dy klubet kanë rënë dakord dhe kanë prenotuar fushën stërvitore “Skënder Halili”, ku stërvitet Tirana. Në takimet e tjera vetëm Vllaznia duket se më shumë se forca e kundërshtarit do ketë problem faktin se do udhëtojë drejt Sarandës në një udhëtim prej gati 6 orësh.
Ndeshjet Sot, ora 16:00
Grupi A
Tërbuni-Skënderbeu
Butrinti-Vllaznia
Himara-Tirana
Gramshi-Kastrioti
Burreli-Shkumbini
ADA-Pogradeci
Lushnja-Kamza
Besëlidhja-Besa
Grupi B
Bilishti-Flamurtari
Skrapari-Laçi
Iliria-Bylis
Kukësi-Teuta
Vlora-Dinamo
Luftëtari-Tomori
Gramozi-Apolonia
Mamurrasi-Elbasani
SHËNIM: Ndeshjet e kthimit luhen më 28 shtator, ora 15:30
© Panorama.al











