TIRANE – Një vajzë 13-vjeçare dyshohet të jetë përdhunuar një javë më parë në Tiranë nga një djalë 17 vjeç. Ngjarja, sipas Policisë, dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e datës 11 janar, por është denoncuar nga nëna e vajzës mbrëmjen e së martës, kur e bija i ka treguar se çfarë i ka ndodhur. Burime nga Policia thanë se denoncimi për ngjarjen është bërë në Komisariatin Nr. 4 nga nëna dhe vajza 13-vjeçare Maria M., në praninë edhe të një psikologeje. Sipas denoncimit, mbrëmjen e datës 11 janar, në parkingun e një pallati të ri, ende të papërfunduar te zona e Freskut në Tiranë, 17-vjeçari Eriket P. e ka detyruar vajzën e mitur që të kryejë marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Gjatë deklarimeve të saj, nëna e së miturës pretendon se e ka parë vajzën të trembur dhe duke qarë, por ajo nuk i ka treguar, sepse ka pasur frikë dhe turp. Por, në momentin që ka arritur ta bindë vajzën që të tregonte se çfarë i kishte ndodhur, ajo ka vendosur t’i drejtohet policisë për të denoncuar përdhunimin e së bijës. Burime nga Policia thanë se e kanë shoqëruar djalin e akuzuar, Eriket P., por është vendosur që të hetohet në gjendje të lirë derisa mjekët ligjorë që kanë bërë ekzaminimin e vajzës të vendosin në një raport përfundimtar nëse e mitura është përdhunuar apo jo. Sipas të njëjtave burime, 17-vjeçari ka deklaruar se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, por me dëshirën e saj, dhe nuk pranon ta ketë përdhunuar. Madje ai pretendon se vajza ka shkuar me dëshirë në apartamentin e tij, dhe jo në garazhin e pallatit, ashtu siç pretendon e ëma.











