Partia Demokratike nis zyrtarisht bise-dimet me aleatët për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale të tetë majit. Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar formimin e një koalicioni të madh paraelektoral, duke përfshirë thuajse të gjitha forcat politike me të cilat PD-ja bashkëpunoi edhe në zgjedhjet e përgjithshme dy vjet më parë. Ndryshe nga 28 qershori, këtë vit, në krah të demokratëve do të jetë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila është edhe forca e parë politike me të cilën PD-ja ka nisur negociatat. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, dhe sekretari organizativ, Flamur Noka, janë duke negociuar me partitë aleate për ndarjen e bashkive dhe komunave.
Bisedimet me LSI
Pas takimeve të para mes zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë dalë edhe rezultatet e para. Kështu, LSI-ja do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë, burime nga LSI-ja bëjnë të ditur se gjatë bisedimeve është rënë dakord dhe është pranë konfirmimit marrja nga kjo forcë e Bashkisë së Elbasanit, ku pritet të kandidojë ish-deputeti i PS-së dhe një prej gjashtë deputetëve që votuan Bamir Topin për President, Durim Hushi. Ndërkohë, nga PD-ja ende nuk konfirmohet lënia e kësaj bashkie. Në të njëjtën kohë, burime nga LSI-ja bëjnë të ditur se në diskutimet për minibashkitë në Tiranë është rënë dakord që kjo parti të marrë katër njësi, konkretisht minibashkinë 2, 3, 5 dhe 6.
Aleatët
Gjatë ditëve të fundit, partitë aleate, disa prej të cilave të përfaqësuara në nivele të para dhe të dyta të qeverisjes qendrore kanë paraqitur kërkesat e tyre pranë demokratëve, që nga ana e tyre pritet t’i kalojnë në sitë të gjitha propozimet përpara se të vendosin për zonat që do të lënë të lira. Mësohet se kriteri mbi të cilin do të ndahen zonat për aleatët do të jetë rezultati i marrë nga secila prej tyre në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007. Partia Republikane, e treta për nga numri i votave në koalicionin e djathtë, pritet të zhvillojë këto ditë një mbledhje të kryesisë, ku do të përcaktohen njësitë vendore, të cilat do t’u kërkohen demokratëve. Burimet nga PR-ja bëjnë të ditur se e sigurt është një njësi bashkiake në Tiranë. Në proceset e fundit elektorale, kjo forcë ka marrë njësinë 8 në kryeqytet. Ndërkohë, partitë e tjera të vogla, të kontaktuara dje nga gazeta, nuk kanë folur konkretisht për numrin e bashkive dhe komunave që do të kërkojnë, por si në çdo proces tjetër bisedimesh, edhe këtë vit kërkesat e tyre duket se do të jenë të shumta.
Zgjedhjet e 2007
Sipas kriterit të vendosur nga demokratët, pas LSI-së, është pikërisht PR-ja ajo që pritet të ketë numrin më të madh të zonave të lira, pasi në zgjedhjet e katër viteve më parë ka marrë 75 mijë vota. Pas LSI-së e PR-së vijnë me një diferencë të vogël votash Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës, e cila, në atë kohë në aleancë me PS-në, ka marrë 47 mijë vota, ndërsa PAA-ja e Xhuvelit 49 mijë vota. Në zgjedhjet lokale të katër viteve më parë, Partia Lëvizja e Legalitetit ka marrë 27 mijë vota, tre mijë më shumë se Partia Bashkimi Liberal Demokrat.
Kandidaturat e PD
Kandidaturat e Partisë Demokratike pritet të përcaktohen brenda dhjetë ditëve të para të këtij muaji. “Dhjetëditëshi i parë i marsit duhet të jetë dhjetëditëshi i finalizimit përfundimtar të kandidaturave. Pra zonja dhe zotërinj deputetë, kërkoj nga ju që së bashku me kryesitë e degëve dhe të gjithë strukturat zgjedhore të Partisë Demokratike të angazhoheni në mënyrë që të përmbushim me përgjegjësi të plotë këtë stad shumë të rëndësishëm për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme brenda standardeve ndërkombëtare më datën 8 maj”, u shpreh kryeministri Berisha dy ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.
Partia Votat
LSI 121 172
PR 75 730
PAA 49 016
PAD 47 686
PLL 27 788
PBLD 24 427
PBK 17 675
PDI 15 523
PBKD 7 613
AMIE 1 086
PDM 552
PDRESH 613











