Në gjyq “dy racistët”, dogjën banesat e 45 familjeve rome

May 10, 2011 | 11:12
Banesat e romëve, pas djegjes

“Nxitje e urrejtjes ose grindje ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Kjo është akuza e ngritur nga Prokuroria e Tiranës ndaj dy personave të akuzuar për djegien e vendbanimit të komunitetit rom tek Stacioni i Trenit në Tiranë, në shkurt të këtij viti.Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet në lidhje me ngjarjen dhe vendosi dërgimin e dosjes në gjykatë, duke i akuzuar dy autorët e ngjarjes edhe për shkatërrim prone. Organi i akuzës ka marrë në pyetje anëtarët e komunitetit rom dhe një sërë dëshmitarësh si dhe ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke grumbulluar kështu provat për objektin e akuzës. Kështu, ngjarja e shumëpërfolur edhe si një nga incidentet e rralla raciale në Shqipëri vitet e fundit, është bërë objekt i drejtësisë. Në datën 6 maj 2011, Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në gjykatë dosjen penale në ngarkim të shtetasve Besmir Vladi dhe Daniel Vladi. Ata akuzohen se kanë shkatërruar me zjarr pronën e komunitetit rom në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë, ku i kanë vënë flakën disa shtëpive. Akuza tjetër është “nxitje e urrejtje ose grindje ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Më 17 mars 2011, Policia e Tiranës deklaroi arrestimin e personave të cilët përzunë komunitetin rom nga vendbanimi i tyre në kryeqytet. Klodian Vladi, 22 vjeç, dhe kushëriri i tij Besmir Vladi, 23 vjeç, të dy banues në Tiranë, u deklarua se u arrestuan nga Komisariati i Policisë Nr. 3. Policia saktësoi se arrestimi i dy shtetasve u bë me akuzën e “shkatërrimit të pronës me zjarr” me pasojë shkatërrimin e barakave të përshtatura për banim nga rreth 45 familje të komunitetit rom.
Dhuna ndaj romëve
Incidenti i rëndë ndodhi më 20 shkurt 2010, por u mësua ditë më pas. Për shkaqe ende të paqarta, disa persona kanë djegur banesat e komunitetit rom gjatë natës dhe më pas i kanë përzënë ata nga vendbanimi i tyre tek Stacioni i Trenit në Tiranë. Kanë qenë pikërisht anëtarët e komunitetit rom ata që denoncuan fillimisht në media ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj tyre. Më pas, Policia e Tiranës u vu në lëvizje dhe i ftoi disa herë shtetasit rom që të paraqiteshin për të dhënë deklarime dhe padi penale në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj tyre. Disa ditë pas ngjarjes, policia mori kontakt me përfaqësues të komunitetit rom dhe më pas, nga hetimet disa ditore, arriti të identifikojë dy nga autorët e akteve të dhunës. Ata u arrestua me akuzën se kanë pasur një konflikt me 45 familje të komunitetit rom, pranë Stacionit të Trenit. Sipas dyshimeve të policisë, konflikti kishte nisur për muzikën “jashtë orari” dhe volumin e lartë që vinte nga banesat e komunitetit rom. Ndërkaq, vetë përfaqësuesit e komunitetit rom kanë denoncuar faktin se dy të rinjtë kanë sulmuar dhe goditur me gurë në barakat e përshtatura për banim tek Stacioni i Trenit. Romët madje kanë pretenduar se sulmet e dhunshme ndaj tyre kanë vazhduar gjatë pesë ditëve, në fund të të cilave vendstrehimeve të tyre iu vendos flaka. Pas kësaj, romët u detyruan të marrin fëmijët dhe të braktisin vendbanimin e tyre, ndërsa më pas denoncuan ngjarjen e rëndë.

Denimi

Neni 265 i Kodit Penal, për akuzën: “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”, parashikon se: Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve raciale, nacionale ose fetare, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja me qëllim përhapjeje e shkrimeve me përmbajtje të tillë, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet.

Gjykata: Burg pa afat dhunuesve të romëve

TIRANE – Në deklaratën e Policisë lidhur me arrestimin e dy dhunuesve të romëve, thuhet se “Shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, bënë të mundur kapjen e autorëve të dëmtimit të pronës me zjarr, plagosjes së lehtë me dashje dhe prishjes së rendit e qetësisë publike, për Klodian Vladi, 22 vjeç, Besmir Vladi, 23 vjeç, banues në Tiranë”. Policia deklaroi se ndaj të arrestuarve u morën masat e ndalimit, pasi dyshohen se disa ditë më parë, në zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur lehtë tre pjesëtare të komunitetit rom dhe më pas kanë shkatërruar me zjarr dy prej banesave të tyre. Më 22 mars 2011, Gjykata e Tiranës vendosi lënien e dy të akuzuarve për dhunën ndaj romëve në masën e sigurisë “arrest me burg”. Një masë e tillë u kërkua nga Prokuroria dhe më pas u la në fuqi nga Gjykata e kryeqytetit. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë në gjykatë, dy të arrestuarit nuk kanë shfaqur pretendime në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tyre. Megjithatë, ata nuk kanë preferuar as të japin sqarime për rrethanat e ngjarjes.

© Panorama.al

Te lidhura