
NGA SEJDO HARKA
-Edhe Hëna le ta dijë,/Si Shqipëria, vend nuk ka -(S.Spasse)
Të shkruash për shkrimtarin Sterjo Spasse është si të gdhendësh një statujë të gjallë, që përjetëson brezin e shkrimtarëve tanë, të cilët me pasionin dhe përgjegjësinë e rrallë ndaj kombit dhe popullit të tyre, hodhën themelet e letërsisë dhe të artit të ri shqiptar. Edhe pse për S. Spassen është shkruar shumë, përsëri mbetet diçka për të thënë. Kjo ndodh sepse jeta dhe veprat e tij u bënë memorie e kulturës, arsimit shqiptar dhe legjendave. Sa herë që shqiptarët ndodhen para “Pse”-ve enigmatike, thonë: “Pse-në nuk e gjeti as Sterjo Spasse”. Brezi i shkrimtarëve të moshës së Sterjo Spasses ishte ai brez i stërmunduar, i cili rendi përmes errësirës, luftës dhe varfërisë së tejskajshme me penë dhe pushkë në dorë, për të “vrarë” paditurinë, skamjen dhe pushtuesit e skllavërinë. Duke ecur në rrugën e rilindasve, ata u munduan që artit dhe letërsisë sonë t’i jepnin shijen e halleve dhe të baltës shqiptare. Edhe pse censura dhe vetëcensura e kohës u mundua ta ndrydhte, thelbi i brendisë së saj mbeti i pastër. Ndaj, veprat e tyre më të mira lexohen me kënaqësi në çdo kohë. Një nga librat më të plota që i përkushtohet jetës dhe veprimtarisë së Sterjo Spasses është ajo me titullin “Im at, Sterjo”, shkruar me dashuri nga djali i tij, prof. dr. Iliden Spasse. Ky libër herë i ngjan një thrilleri artistik dhe herë një monografie, në qendër të të cilit vihet jeta dhe veprimtaria letrare e pedagogjike e shkrimtarit dhe mësuesit Sterjo Spasse.
Protagonizmi i tij skalitet herë përmes ditarit të S. Spasses, herë nëpërmjet gojës së miqve e shokëve të tij shkrimtarë, kritikë e mësues dhe herë nëpërmjet kujtimeve të djalit të tij, Iliden Spasse. Këtë libër e bëjnë tërheqës jo vetëm arkiva e gjallë, por edhe gjuha e bukur. Përveç materialeve të gjalla dhe analizave të thella, gjejmë përshkrime edhe artistike, me një fjalor të pasur figurativ. Autori për të treguar gëzimin e madh që solli në familjen e Spasses lindja e Sterjos, përdor pasazhe të tilla artistike: “Ishte mëngjes i 14 gushtit të vitit 1912, kur Spassja i Niço Kristos mori sihariqin se e shoqja e tij, Marë, kishte lindur djalë. Në atë çast, ai po psallte në kishën e vjetër, buzë liqenit. Spasse buzëqeshi. I kishte lindur fëmija i katërt. Sterjo do t’ia vëmë emrin, tha nuni Ilo. Të na bëhet këngëtar si Spassia! Dhe vërtet, Sterjo do të bëhej i rrallë. Ishte një djalë i bukur, me flokët krela-krela të dendura si pyjet e Goricës, me sytë e kaltër si ujët e liqenit dhe me fytyrë të bardhë si qumështi. Sa më shumë rritej, aq më kureshtar bëhej. Për çdo gjë që shihte, pyeste të atin: Pse e lëron tokën kaq cekët? Pse Nivica mbeti përtej kufijve tanë? Sterjo i vogël u dëshpërua thellë kur mori vesh se nuk do të shkonte më në shkollën e tij të parë, në Nivicë, vetëm se fuqitë e mëdha e kishin lënë jashtë kufijve tanë.
Prandaj, tashmë shkollën nisi ta vazhdojë në Goricën e Madhe, ku si mësues pati korçarin Pandeli Sina. Më pas Sterjo, me ndihmën e këtij mësuesi, regjistrohet për të vazhduar klasën e katërt në shkollën Plotore të Korçës. Elbasani dhe shkolla “Normale” do të çelte për Sterjon një dritare të re, përtej së cilës ai do të shihte konturet e ëndrrave të tij më të bukura. Por që ato të realizoheshin, kërkonin dije, luftë dhe përpjekje me të pamundurat. Kur djaloshi Sterjo troket i ndrojtur për herë të parë në portën e Normales së Elbasanit, përpara i doli një burrë i pashëm me një pendë në dorë. Ishte drejtori i kësaj shkolle, Aleksandër Xhuvani, i cili pasi u ngrit nga tryeza, i përkëdheli krelat dhe pastaj me dorën në sup e përcolli drejt derës së klasës, ku ai do të mësonte. Ndërsa Sterjo, duke tundur kokën belbëzonte me vete: “Ja si qenka njeriu më i ditur i gjuhës shqipe dhe drejtori i shkollës sime”. S. Spasse nuk do t’i harronte kurrë ato shënime që A. Xhuvani do të linte në revistën “Normalisti”, kur ai u largua nga kjo shkolla për të punuar në Ministrinë e Arsimit: “Lus me gjithë zemër që ‘Normalisti’ të ketë jetë të gjatë dhe drita e tij e vogël të bëhet drita e një feneri të madh, që do të ndrisë gjithë udhëtimin tuaj” (37). Ky bekim do ta frymëzonte të gjithë atë brez normalistësh.
SHKRIMI I PARË
Një dritë e re do të lindte në shpirtin e Sterjo Spasses, ditën e 26 qershorit 1929, kur në gazetën “Ora” të Tiranës ishte botuar shkrimi i tij i parë. Kjo dritë e gjallë shkrimesh që u ndez si një pishtar, do të shuhej vetëm ditët e fundit të jetës së tij. Sterjo jo vetëm që kishte nisur të shkruante që në bankat e shkollës, por dallohej edhe për rezultate të larta në mësime. Më 2 korrik të vitit 1932, S. Spasse mori nga “Normalja” diplomën: “I aftë për t’u emëruar mësues në shkollat fillore të shtetit”. Tepër i gëzuar, bashkë me normalistët e tjerë, Sterjo mori udhën përreth Shqipërisë duke kënduar: “Edhe hana le ta dijë./ Si Shqipëria, vend nuk ka.”(46). Sterjo e vlerësonte shumë misionin e mësuesit, sepse ai ka në dorë fatin e një shteti.
Me punën e tij, ai bëhet timoni i përgatitjes së burrave të ardhshëm të vendit”. Që në shkrimet e tij të para Sterjo u bë një stigmatizues i ashpër i sistemit të kohës, por kur ai guxoi të fshikullojë majorin Umberto de Fuccio, në gazetën “Ora”, u arrestua nën kërcënimin e qytës së pushkës. Në këtë kohë ai njihet me Ali Kelmendin, i cili pasi mori vesh se ai shkruante, i tha: “Nuk ka dramë më të madhe se ajo që u ka ndodhur goriciotëve. Brumin për një roman e ke gati. Vetëm shkruaj të vërtetën. Ishte koha kur djaloshin Sterjo nisën ta stërmundonin një seri pyetjesh: Pse lind njeriu? Pse vdes? Pse vuajnë kaq shumë njerëzit? Pse ka padrejtësi? Por, ngaqë nuk u jepte dot përgjigje, bëhej pesimist. Këto pyetje do ta frymëzonin për krijimin e romanit të tij të parë.
ROMANI “PSE”
Në shtator të vitit 1932 ai fillon punën mësues në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, ku e mrekulluan bukuritë e natyrës, por e ligështoi varfëria e tejskajshme e njerëzve. Në mjegullnajën e shumë pyetjeve, në darkën e 7 majit të vitit 1933, Sterjo do të nisë të shkruajë romanin e famshëm me titullin “Nga jeta në jetë, Pse?!”. Ai ishte nën ndikimin e filozofisë pesimiste të Niçes. Në vitin 1934, S. Spasse nisi punën si mësues në Voskopojë, ku ai përfundoi romanin “Pse?!”. Publikimi i këtij romani në faqet e gazetës “Korça” nga marsi deri në gusht të vitit 1935 do të sillte pështjellime të reja për figurën e S. Spasses si romancier. Filozofia e tij nihiliste: “Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin, rrotullohet rreth hiçit” e trazoi shumë shpirtin e lexuesit, por edhe e nxiti atë të meditojë përballë enigmave të kohës. Kurrë – shkruajnë gazetat e kohës – shtypi s’kishta pasur kaq shumë lexues. Shkrimtarë të mëdhenj të kohës, si A. Varfi, jo vetëm s’e kritikuan Spassen, por përkundrazi i dhanë kurajë me fjalët: “Vazhdo, mos u step!”. Në këtë roman – shkruan shtypi i kohës – Sterjo vërtet përshkruan me ngjyra mallëngjyese jetën e një djaloshi pesimist, por ai flet shumë. Lexuesit çuditeshin se si nga mendja e një djaloshi 22-vjecar mund të dilte një turbullirë e tillë shpirtërore. Të tjerë i shkruanin autorit: “Ju shtrëngojmë dorën për guximin e madh dhe talentin me të cilin krijuat një vepër të tillë filozofike që na kënaq”.
Ndërsa një i ri normalist i drejtohet me fjalët: “Ju kërkoja jashtë meje dhe ju gjeta në veten time”. Jehona e këtij romani kapërceu edhe kufijtë tanë. Për të shkroi dhe albanologu i madh N. Jokli. Ndërsa një vajzë korçare shkruante: “Nga pena juaj e hollë presim vepra të reja, që të lartësojnë femrën shqiptare”.(77) Më pas Sterjo transferohet në Korçë. Më 11 shtator të vitit 1935 ai shkruan: “Po vij të banoj në Korçë jo më si shërbëtor i përbuzur, por po si mësues në shkollën plotore”. Ishte koha kur ai nisi të lexonte shkrimtarë të mëdhenj si Tolstoi, Dostojevski, Gorki, Cvajku, Hygoi etj.. Krijoi Bibliotekën Pedagogjike të Korçës, fletën e punës ditore dhe orën e hapur mësimore. Zhvilloi më tej kritikën letrare me karakter didaktik. Me mendimet e tij pedagogjike nisi të hedhë hapat e para për një shkollë të re, që i shprehu qartë në shkrimin “Drejt realitetit të ri arsimor”. Përcaktoi plagët e gjuhës shqipe dhe rrugët për shërimin e tyre. S. Spasse, siç theksonte në ato kohëra dhe N. Jokli, përmes gjuhës së Ezopit, shtron për zgjidhje edhe disa probleme shoqërore e politike. Përmes pamfletesh sarkastike ai stigmatizonte regjimin e kohës. Pas përfundimit të romanit “Pse?!”, Sterjo nisi të shkruajë romanin “Mësonjësja ideale”. Kur e pyetën pse në qendër të këtij romani vendos një mësuese dhe jo një mësues, ai përgjigjet se jeta shoqërore shqiptare, sidomos ajo e fshatit, kurrsesi nuk mund të përmirësohet pa filluar nga familja, themeli i së cilës janë nëna dhe motra.
LUFTA DHE STERJO
Pushtimin fashist të 7 prillit, S. Spasse e priti me trishtim të thellë, sepse ai vrau ajkën e djalërisë dhe dogji e shkrumboi trojet tona. Ato ditë, çdo pëllëmbë e vendit ishte tjetërsuar në një varr dhe çdo bulëz uji binte erë gjaku. Në qershor të vitit 1939, Sterjo emërohet sekretar i ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, por natyra e tij nuk e ndjente veten mirë në detyra të tilla. Ndaj, pas tri javësh gjeti rastin dhe shkoi në Peruxha të Italisë për të mësuar gjuhën italiane. Në këtë kohë njerëzit kishin humbur buzëqeshjen, sepse vuanin ethet e luftës italo-greke. Vëllanë e tij të vogël e patën rekrutuar ushtar me armë në dorë. Sterjo, i tronditur thellë i shkruan atij këto fjalë: “Me shpirt e zemër jam aty pranë teje duke iu lutur Zotit për ty, që të të ruajë nga çdo rrezik!”. Komunikimet tepër emocionale me të vëllain më vonë do t’i përdorte për shkrimin e novelës “Nga dritarja e një ushtari”, në brendinë e së cilës glorifikohet ankthi i luftës dhe shpresa për lirinë. Në vitin 1940, S. Spasse, me kërkesën e Ernest Koliqit emërohet punonjës i revistës pedagogjike “Shkolla shqipe”. Në atë kohë, ai i hyn punës edhe si përkthyes letrar. Merr pjesë në Kuvendin Albanologjik të vitit 1940, ku ai jep mendime me vlerë për krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Në kohëra të vështira, ai u njoh edhe me luftëtarët e lirisë: Q. Stafa, V. Kushi, V. Shanto etj., të cilët e vlerësonin shumë. Gjatë luftës, Sterjon e shqetëson shumë edhe gjendja e mjerë e arsimit. Prandaj në shumë rrethe zhvillonte konferenca pedagogjike me mësuesit për t’i motivuar dhe kualifikuar ata më tej. Djegia e Gllomboçit të tij nga pushtuesit, ia shtoi më tej urrejtjen kundër tyre. Një ditë edhe Sterjo Spasse mori rrugën e Luftës. Ja ç’i shkruan shokut të tij, Nexhat Hakiut, nga fronti i saj: “Po të shkruaj nga malet, ku fryn erë lirie dhe paqeje. Këtu të gjithë janë heronj. Sa poshtë paskam qëndruar unë dhe sa lartë qëndrojnë luftëtarët”.(130). Çlirimin e Shqipërisë e priti me entuziazëm, ndaj ato ditë shkruante: “Kam duartrokitur dhe jam krenar për këtë vetëmohim të djalërisë shqiptare”. Në fillim të vitit 1944 Sterjo nxori në qarkullim romanin “Kasollja e xha Tomit”. Në atë kohë lexuesit e konsideronin atë “balsam të shpirtit”, ndërsa studiuesit e vlerësonin si përkthyesin më të mirë. Në shtëpinë e Spasses, në rrugën “Fortuzi”, vinin një grup shokësh. Ata ishin: M. Kuteli, V. Kokona, N. Hakiu, të cilëve bashkë me S. Spassen, u lindi ideja të krijonin “Revistën letrare”, të cilën e konsideronin një armë të fortë për mbrojtjen e shqiptarisë. Në maj të vitit 1944 doli në qarkullim romani “Afërdita”, i cili bëri jehonë të madhe. Më 25 nëntor të vitit 1944 Spasse merr pjesë në Kongresin Antifashist të Arsimtarëve, që i zhvilloi punimet në Korçë, ku ai zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Arsimtarëve Antifashistë të Shqipërisë. Pas çlirimit, Sterjo kthehet në Tiranë. Fjalët mbizotëruese të kohës ishin “fitore, fitore”. Ai fillon punën në Shkollën Pedagogjike të Tiranës. Shkon në Kongresin Ballkanik, në Beograd, për të manifestuar për luftën e përbashkët të ballkanasve kundër bishës naziste. Në vitin 1945 u krijua organizata e shkrimtarëve të Shqipërisë, ku ai u bë anëtar i përhershëm. Më pas do të marrë pjesë në Kongresin e Shkrimtarëve Bullgarë, ku ai do të flasë edhe për rolin e Sofjes për zhvillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Janari i vitit 1946 Sterjon e gjeti familjarisht në Tiranë. Në këtë kohë ai transferohet në Ministrinë e Arsimit, ku bashkë me figura të njohura të arsimit e kulturës si A. Xhuvani, Dh. Shuteriqi, S. Luarasi dhe M. Domi ndërtuan platformën e reformimit të shkollës shqiptare.
Ishte viti 1947, kur fatkeqësisht shokët e tij të ngushtë si Petro Marko, Andrea Varfi dhe Mustafa Greblleshi vuanin burgjeve. Sterjo largohet nga ministria për të shkuar në shkollën “Kosova”. Në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve, emri i tij kish nisur të lakohej keq. Ministri i Drejtësisë së asaj kohe i pati thënë se emri i tij ndodhej në listën e zezë. Ky lajm i keq i kishte ngrirë buzëqeshjen. Bashkëshortes i pati thënë se, po t’i ndodhte gjë, të merrte fëmijët dhe të shkonte në fshat. Aq shumë kishte nisur të sulmohej, sa që u gjet një arsye banale për ta pushuar nga puna. Por e drejta e tij e riktheu përsëri në punë si mësues. Vetëm pas Kongresit të Parë të P.K.Sh S. Spasse, O. Paskali, N. Bulka dhe P. Marko ishin hequr nga lista e zezë. Ishte koha kur ishin dënuar K. Xoxe dhe P. Kristo. Në këtë kohë ai rikthehet përsëri në shkollën pedagogjike “17 Nëntori” të Tiranës. Pas 6 muajsh rikthehet në Ministrinë e Arsimit, ku ai bashkë me shokët e tij synonte të krijonte një shkollë të re, e cila, sipas tij, do të bëhej realitet, kur të përmirësohej gjendja shoqërore e familjes shqiptare. Njëkohësisht, ai punonte për krijimin e një gjuhe letrare për të gjithë. Në vitin 1953, ai botoi romanin “Ata nuk ishin vetëm”, me të cilin fitoi Çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë. Mbresa të mëdha la në kujtesën e Sterjos vajtja në B.Sovjetik, ku u njoh me historinë dhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj si Gorki, Çehovi e veçanërisht Tolstoi, të cilin e simpatizonte shumë, sepse kishte braktisur klasën e tij për të jetuar me shpirtin e fshatarëve të varfër. Krijimtaria e S. Spases në këtë kohë sa vinte e vlerësohej më mirë. Romani “Për jetën e re” (1955) u nderua me çmimin e parë. Veprat e tij nisën të flisnin në disa gjuhë të huaja. S. Spasse ishte dhe një studiues i thellë i letërsisë së Rilindjes Kombëtare.
NË SHËNJESTËR TË KRITIKAVE
Por s’kaloi shumë kohë, kur shpirti i S.Spasses nisi të trazohej përsëri. Në vitin 1961 ai u vu përsëri në shënjestër të kritikave të ashpra të kritizerëve për novelën “Simfoni e pambaruar” dhe romanin “Buzë liqenit”. Këto kritika i hodhi poshtë Nonda Bulka, i cili mes të tjerash theksoi se nuk është e drejtë të sulmohet një nga prozatorët tanë më të mirë, të cilët janë përkthyer në 15 gjuhë të botës. Edhe në Plenumin e Shkrimtarëve të vitit 1966, Sterjo vihet në shënjestër të kritizerëve, por këtë herë për zbutjen e kritikës ndaj shtrembërimeve e shfaqjeve të huaja në art e letërsi. Kundërpërgjigjja e vetme e Sterjos kundër këtyre zërave të errët ishte: “Letërsia nuk ecën përpara me britma e të shara”. Vështirësi të mëdha ndjeu shkrimtari S. Spasse, kur shkruante romanin “Ne jemi shumë”. Gjatë procesit shkrimit të këtij romani – tregon ai – ndjente mospërputhjen mes fantazisë së tij të lirë për fshatin e kohës dhe regresin e plotë të tij. Viti 1973 është koha kur “shpata moniste e Demokleut” nisi të bjerë më fuqishëm mbi kokat e shkrimtarëve dhe artistëve të vendit. “Shpata e parë” ra mbi kokën e Minusha Jeros për dramën “Njollat e murrme”. Ndërsa më pas kjo “shpatë” do të bënte kërdinë mbi organizatorët e Festivalit të 11 të Këngës mbi disa shkrimtarë e artistë, intelektualë e drejtues të rëndësishëm të partisë dhe pushtetit të kohës e deri tek ministri i Arsimit dhe Kulturës, Thoma Deljana. Në vitin 1974 S. Spase boton romanin “Zgjimi”, me të cilin ai nis ciklin e romaneve për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Për këtë roman folën me superlativa, veçanërisht Dritëro Agolli e Llazar Siliqi. Një revistë letrare kosovare e quante S. Spassen, figurë të ndritur të letërsisë shqipe. Në vitin 1975, kur doli në qarkullim romani i dytë i këtij cikli, me titullin kuptimplotë “Pishtarë”, Vehbi Skënderi, edhe vetë Sterjon e quajti pishtar. Ndërsa Presidiumi i Kuvendit e nderoi me “Flamurin e Kuq të Klasit të Parë”. Ndërsa në vitin 1977 nisi përsëri avazi i baltosjes së emrit dhe veprës së S.Spasses. Kritizerët, pas dy vitesh, e akuzuan romanin “Pishtarë” si një libër që shtrembëronte realitetin, por shpejt ky libër do të konsiderohej si vepra letrare më e suksesshme e kohës. Seria e veprave të tij më të mira, në 8 vëllime, të shkruara për 50 vite me radhë, do të gjejnë dritën e botimit në vitin 1980. Në këtë seri për shkaqe ideologjike nuk u përfshinë romani “Pse?!” dhe “Ja vdekje, ja liri”. Në 70-vjetorin e lindjes së tij, përveç të tjerash, kolegët e tij thanë, se “S. Spasse me veprën e tij na mëson se si duhet ta njohim dhe pasqyrojmë të vërtetën”. Shkrimtari Nasi Lera e quan Sterjo Spassen themelues të letërsisë dhe të romanit shqiptar. Kritika letrare e quante atë “memoria jonë letrare”. Ai vazhdoi të shkruajë deri në momentet e fundit të jetës. Kur shëndeti i tij po rëndohej, atë e dërgojnë për ta kuruar në Hungari. Sapo u rikthye në Atdhe do të shkruante fjalët e fundit: “Balta më e ëmbël se mjalta m’u duk balta e shtëpisë sime në rrugën ‘Him Kolli nr. 12’, aty ku zemra e tij regëtiu për herë të fundit, më 12 shtator të vitit 1989, për të mos vdekur kurrë. Por, kjo legjendë e arsimit, kulturës dhe letërsisë shqipe do ta fitonte përjetësinë kur një prej shkollave shqiptare do të mbante emrin e tij.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











