Flora Hanelli është pedagoge qysh prej 25 vjetësh në Universitet dhe në ka një gjë që ajo duhet ta bëjë mirë, është të folurit në publik, si ushtrimi i saj i përditshëm në auditor. Nuk besoj se Algjebra (lënda e saj, mesa kuptova nga komentet në internet) shpjegohet duke lëshuar zërin deri në piskamë. Po çfarë bëri zysh Flora? Ulëriti sa kishte në kokë, sa kishte në zemër! Nxori nga stomaku, që me sa duket s’i mbante më, një pjesë të asaj që jo pak njerëz e mërmërisin me vete, shumë-shumë ia thonë shokut, dhe jo çdo shoku, por tek ai që ka besim se nuk do ta «spiunojë». Edhe këtë nuk e përsërisin dy herë, se ç’i duhet, t’i hapin vetes ndonjë punë, ndërkohë që mezi e kanë kapur një punë, edhe kur kjo s’u bën fort punë, por është më mirë se sa pa punë. Atëherë, opinioni publik vendos të mos flasë duke u vetëdënuar me heshtje.
Sondazhe e forume
Një shoqëri demokratike, ose më saktë që ia ka ënda të mbahet për e tillë, nëse nuk është mjaft e guximshme dhe e civilizuar sa të ofrojë forume të lira për zërat qytetarë, të cilët mund të shprehen normalisht, rregullisht dhe duke ia prishur gjumin pushtetit (çka do t’u shmangte ulërimën që gris xhanin), të paktën do të duhet të zhvillojë mekanizmin e sondazheve të besueshme (për të mos thënë sado pak të besueshme… se s’guxon njeriu as të pretendojë për normën!). Të tillë sondazhe janë oksigjen i domosdoshëm për shoqërinë. Sondazhet e vërteta përkthejnë në zë të dëgjueshëm e ndikues opinionin publik për politikat, qeverisjet dhe orientimet e vendit. Ato janë edhe verifikim i përhershëm i saktësisë së rezultatit zgjedhor. Vetë zgjedhësit kanë të drejtën legjitime ta vënë këtë të fundit në diskutim, nëse ndiejnë se nuk mund të presin një mandat të tërë për të shprehur, vetëm nëpërmjet votës, besimin apo zhgënjimin, shpresën apo zemërimin me klasën politike që ka zgjedhur apo që e ka lënë në opozitë. Sondazhe të besueshme s’ka! Madje s’ka as të pabesueshme!
Po kështu, nuk ka as forume reale, ku taksapaguesit i kërkojnë llogari politikës (mos më thoni që ansambli i këngëve dhe valleve intelektuale, me solistë kandidatë për kryebashkiakë, është tribunë e mendimit të lirë se këtë nuk e ha as bufi!), as organizime të vërteta qytetare nuk ka.
Ngelen vetëm dy rrugë për shprehje të opinionit publik: Vota dhe media.
Të parën s’po e marr fare në gjykim. Ka 20 vjet që s’po ia gjejnë dot fillin partitë, megjithatë, marrëveshjet elektorale që bëjnë në kurriz të Kushtetutës dhe tonin, nuk po ia gjejnë dot as europianët me recetat e tyre me mish krokodili, madje nuk po e ftillon dot as vetë ambasadori amerikan që u bë telef duke shkuar nga garat me biçikleta të PS-së te ndeshja e futbollit të PD-së! O sa vend qesharak që jemi! Por kjo s’më pengon të shkoj të votoj seriozisht në datën 8 maj.
Të vijmë te media.
Media e ka ngushtuar rrethin e oratorëve në më shumë ekrane sesa njerëz që flasin. Provo të ndërrosh kanalet e nuk u beson syve kur të njëjtën fytyrë e sheh njëkohësisht në pesë emisione; të gjithë prezantohen “live”; ftohen reciprokisht për kafe, më falni! për debat; hidhen e priten batuta e gajasje cinike, deri në masturbim. Mbyllur në një Big Brother mediatik, me para e me çmime tashmë të fituara, por edhe me pasoja shumë më të rënda për shoqërinë se sa një lojë. Sepse shoqëria dënohet me autizëm. «Autizmi, – thotë Artan Fuga në librin e tij Monolog, – mbetet mekanizmi thelbësor i funksionimit të mediave totalitare… (mediat) shohin atë që duan të shohin, dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë». Unë gazetare nuk jam, por kjo nuk mund të jetë gazetari profesionale. Ky është mjerim i gazetarisë.
Zysh Flora
Lajmëroj gjithsesi, se nuk kam ndërmend të bëj ndonjë analizë të saj. Është shumë e komplikuar për ta shterur në një shkrim si ky. Unë dua vetëm të theksoj se media mbetet sot e vetmja mënyrë ku opinioni publik mund të shprehet disi. Është e vetmja dritare, ku zysh Flora (lexo: çdokush) do të duhej të kishte gjetur gjithë këto vite hapësirën për të guxuar, për të folur, për t’u dëgjuar. Kjo mundësi nuk ka ekzistuar përderisa ajo e lëshoi britmën e vet në një mbledhje, ku e kishin dërguar të dëgjonte e jo të fliste, përndryshe nuk do t’ia kishin mbyllur gojën duke e nxjerrë jashtë, ndërkohë që ajo ndodhej në vendin e saj legjitim. E, meqë ra fjala, cilët ishin ata që e kishin një tagër të tillë?! A mund të më japë njeri përgjigje për këtë?
Për së pari, këtë episod nuk e mësova në median profesionale, siç do të ishte e udhës, por në Facebook. S’kishte kamera atje? S’kishte gazetarë? Si ka mundësi?! Kamerat janë edhe kur kryebashkiaku i tanishëm luan basketboll, edhe kur kandidati tjetër për kryebashkiak sheh futboll, dhe nuk janë kur bëhen premtime në një Universitet?! U ula në darkë sërish para ekranit, që na është kthyer në vampir mendjesh, për të mësuar më shumë nga dritarja e vetme e pretenduar e opinionit publik, por nuk gjeta më shumë se sa «ushtarë» në barrikada me armët ngrehur. Nuk dëgjova asnjë student, asnjë koleg, asnjë njeri të shprehej lirshëm, pro ose kundër kësaj ngjarjeje.
Në një ndodhi publike si kjo, në një vend publik si Universiteti, opinioni publik duhet të shprehet vetë, s’ka nevojë as për përkthimin nga njëri ushtar si «provokacion», e as për shpjegimin nga tjetri si «heroizëm». Por, nëse është kështu, kjo do të thotë që jemi në pikë të hallit, që as qajmë e as qeshim dot, sepse çdo zë i yni do të etiketohet si kontribut militant i paramenduar, madje edhe me rrethana rënduese ose lavdëruese që, për pasojë, dënohet ose, përkundrazi, shpërblehet…
Mbylla televizorin dhe iu ktheva Facebook-ut për të parë dhe një herë versionin origjinal. Aty gjen edhe elemente të tjera që meritojnë vëmendje. Para britmës së zysh Florës, dy studentët që filmojnë me celular, ndërkohë që zoti Basha flet për këshillat bashkiakë të Tiranës, bëjnë këtë dialog:
Studenti: Më fal, të bëj një pyetje unë? Ka njeri nga Tirana këtu? Se po flet për Tiranën ky…
Studentja: Jo.
Studenti: Po ç’a do atëherë?
Studentja: … (nuk kuptohet mirë).. po flet me vete… (qesh)
Dëgjohet zëri i zysh Florës…
Dëgjohen duartrokitje studentësh…
Zysh Flora vazhdon ligjëratën e saj.
Studentja: (duke filmuar)… S’mund ta humbja këtë!
Nëpër të dëgjohet zëri i kandidatit për kryebashkiak që nuk arrin të mbarojë fjalitë, një zë i vetmuar që s’e kuptova nga vinte, i cili thotë: “Poshtë komunistët!” (s’e ka keq!) Dhe më tej klithma e zyshës dhe duartrokitje studentësh.
Në këtë pikë më mbetet të them: Rroftë interneti dhe mosha e tij! (Këtu Kryeministri ka të drejtë!)
© Panorama.al












