Ndryshimi i formatit, “sherr” mes klubeve

Jun 5, 2012 | 12:49
Foto ilustruese

Nuk ka akord mes drejtuesve të klube-ve edhe kur vjen puna te gjëra që u përkasin direkt atyre.Në mbledhjen e programuar dje në ambientet e FSHF-së mes 14 klubeve që marrin pjesë në Superiore për 2012-2013, më shumë se çdo gjë, mbizotëroi mentaliteti përçarës. Ndërkohë ideja e zhvillimit të një kampionati me më pak skuadra duke rritur cilësinë dhe profesionalizmin, kjo edhe për shkak të kushteve në të cilat ndeshet futbolli shqiptar, dukek se është ende shumë larg. Pika e parë në diskutim: ndryshimi i strukturës për sezonin 2013-2014, nga 14 skuadra në 10, hasi në kundërshtitë e klubeve të ashtuquajtura të vogla, të cilat shohin rrezikun e zbritjes një kategori më poshtë. Përfundimi i kësaj mbledhjeje, në të cilën nuk munguan debatet e ashpra, që fatkeqësisht kaluan edhe në qëndrime personale, tregoi edhe një herë që klubet shqiptare jo vetëm që nuk janë gati për të shkuar drejt një lige profesioniste, por janë krejtësisht të varura nga FSHF-ja, së cilës nuk janë të afta t’i bëjnë oponencë edhe kur kjo është e nevojshme. Me tone të ashpra ka folur dje në mbledhje presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, i cili akuzoi drejtuesit e Federatës se po denigrojnë futbollin. Kokëdhima kërkoi më shumë seriozitet dhe transparencë në një futboll që, sipas tij, është i kapur dhe ku luhen pazare të pista. Presidenti i fierakëve, i njohur për oponencën e tij ndaj kreut aktual të FSHF-së, Armand Duka, nuk priti deri në përfundim të mbledhjes, por i irrituar u largua duke mos pranuar që të diskutonte për asnjërën nga pikat e kësaj mbledhjeje. Në koherencë me të ishte pak a shumë edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, si dhe ai i Bylisit, Besnik Kapllanaj. Ky i fundit veçse u fut, pa pjesëmarrësit dhe u largua duke e injoruar totalisht mbledhjen. Ndërsa Bizhdili lëshoi akuza të rënda në drejtim të presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Disi më i qetë është dukur presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, i cili pas mbledhjes e kritikoi FSHF-në për kohën e paktë që kishin klubet në dispozicion për të dhënë një vendim sa më profesional. Ndërkohë, pas gati 2 orësh debat, në përfundim u duk qartë se një pjesë e mirë e klubeve, kryesisht të mëdhatë, ishin për ndryshimin e strukturës në sezonin 2013-2014 me vetëm 10 skuadra. Por, ajo që të bën më shumë të dyshosh në marrjen e një vendimi të tillë, është fakti se për sezonin e ri, pra 2012-2013, i bie që të bien nga Superiorja pesë skuadra dhe një tjetër të luajë ndeshje “play-out”. Pritet të bëhet i ditur sot nëse Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit do të marrë një vendim të tillë, i cili do “prekë” shumë skuadrat që luajnë për mbijetesë.

Mungesa e Dukës
Një pjesë e mirë e drejtuesve të klubeve që njihen si kundërshtarë të presidentit Duka, ditën e djeshme kanë qenë në mbledhje pikërisht për të shfryrë një lloj inati dhe dufi ndaj tij. Por, kreu i FSHF-së nuk ka qenë i pranishëm gjatë zhvillimit të mbledhjes, duke ia lënë stafetën zv/presidentit, Bujar Kasmi. Sakaq, askush në federatë nuk dinte të jepte shpjegime mbi mungesën e presidentit.

Gjermanët: Vllaznia-Rapid u trukua
Katër ditë para startit të “Euro 2012”, Gjykata Rajonale e Bohumit në Gjermani ka nisur një proces tjetër të trukimeve të ndeshjeve të vitit 2009. Në procesin e radhës, në qendër të hetimeve qëndron Liga e Europës, ku bën pjesë edhe Rapidi i Vjenës-Vllaznia, ndeshje që përfundoi 5-0. Pre e këtij manipulimi thuhet se ka rënë ish-portieri i saj kohe, (Olti Bishani), të cilit i ishte besuar porta nga ish-trajneri Hasan Lika. Sipas kallëzimit, portierit i patën premtuar 10 mijë dollarë, në qoftë se ai do të pësonte në pjesën e dytë më shumë se tre gola. Si përfundim, Vllaznia humbi 0-5 dhe në pjesën e dytë portieri pësoi 4 gola, të mjaftueshme për të fituar bastin.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura