Ndrenika e Zhusti, një histori personale në skenë

Feb 18, 2014 | 11:49

“Djemtë gazmorë”, premierë në Teatrin e Komedisë

Regjisori Rushiti: Në kulturë duhet ndikimi i politikës, nuk mjaftojnë nismat individuale

Aktorët Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti, dje gjatë provave për komedinë “Djemtë gazmorë”, në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë
Aktorët Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti, dje gjatë provave për komedinë “Djemtë gazmorë”, në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë
Ata janë një çift që nuk rrinë dot afër, por as larg njëri-tjetrit. Kanë interpretuar bashkë për më shumë se 40 vjet, kanë qenë boll të suksesshëm, por prej 12 vjetësh nuk flasin më.
Fati e deshi të ngjiten sërish në të njëjtën skenë e të luajnë të njëjtën vepër që kanë luajtur dikur me dhjetëra herë. Por nuk është edhe aq e thjeshtë. Grinden për tekstin, për batutën, për një fjalë më shumë, për një më pak, për një derë që nuk hapet, për një të trokitur bërë jo si duhet, për një gisht të drejtuar… Është mllef dhe zemëratë e mbledhur prej një jete. Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti pa dyshim që në jetën e përditshme nuk qëllojnë njëri-tjetrin me bastun, por debate kanë jo pak. Aktori Viktor Zhusti, një prej protagonistëve të shfaqjes “Djemtë gazmorë”, që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë, e pranon se në vepër ka shumë gjëra që përputhen me jetën e tyre reale. Regjisori nga Gostivari, Sulejman Rushiti, i cili për do kohë iu kushtua politikës, por pa iu ndarë teatrit, ndoshta nuk e ka ditur këtë fakt, e megjithatë skena tregon se po funksionon. Të shohësh Ndrenikën e Zhustin tek dialogojnë me njëri-tjetrin, është një kënaqësi më vete. Ka ende batuta për t’u memorizuar, megjithatë mund të shijosh ndërveprimin në skenë, dialogun e shkathët, natyrshmërinë që i japin çdo fjale. Regjisorit Rushiti nuk iu desh shumë për t’i zgjedhur. Me tekstin e veprës së Neil Simon, kishte në mendje trupën që do ngjiste në skenë. Sipas tij, vepra e Simon i flet jo vetëm komunitetit të artistëve, por kujtdo, që e lejon egon t’i lëndohet nga gjëra fare banale, që çojnë në vetmi. “Djemtë gazmorë” (“The sunshine boys”) është dhënë premierë në Broadway në vitin 1972 dhe ka njohur shumë vënie skenike. Në skenën shqiptare ajo do të ngjitet më datë 28 shkurt.

“Djemtë gazmorë” është një vepër shumë popullore, megjithatë duhet të ketë pasur një shtytje që ju e sillni tani në skenën shqiptare, apo jo?

Regjisori Sulejman Rushiti
Arsyeja është universaliteti i kësaj pjese. Tema është mjaft e jona. Çdo tekst që trajton aspektin psikologjik, aspektin e brendshëm të qenieve njerëzore, është gjithnjë tepër i kapshëm. Ky tekst flet shumë edhe për ambientin tonë shqiptar. Duke marrë parasysh këtë, por dhe stafin që kisha parasysh për të punuar, vendosa të merresha me këtë vepër. Ky tekst po vendoset tani, sepse u poqën të gjitha kushtet e nevojshme.
Keni përzgjedhur dy aktorë të shquar shqiptarë, Ndrenika e Zhusti, kishit parasysh bashkëpunime të tyret të mëparshme?
Përzgjedhja e aktorëve nuk niset nga jeta e tyre personale, por nga energjia me të cilën ata e përcjellin rolin në skenë, potencialin, dallimet dhe specifikat që kanë dhe që bëjnë një të tërë, harmoninë e së tërës. Dihet që me aktorë sa më të mirë, edhe shfaqja del më e mirë. Sigurisht që nuk kam bërë audicion klasik, sepse unë i njoh shumicën e aktorëve dhe në kokë e kisha idenë dhe konceptin se cili do të ishte i përshtatshëm për këtë rol.
Ndrenika e Zhusti janë dy aktorë, që tashmë i kanë të gjitha mundësitë për të përzgjedhur një rol, ju është dashur shumë t’i bindnit?
Suksesi qëndron jo te bindja e menjëhershme, por te këmbëngulja për të arritur perfeksionin apo diku aty afër. Nëse nuk ka debat dhe analizë, nëse diçka është lehtësisht e kapshme dhe e pranueshme, mund të kryhet një punë e mirë, por s’do kishte qenë e plotë. Në art “djalli qëndron te detaji” dhe është shumë e hollë vija mes të keqes, të mirës dhe të shkëlqyeshmes. Në teatër diferencën e bën një sekondë. Nuk bëhet fjalë për korniza, por për gjëra shumë të përimtësuara dhe, nëse gjithçka është në vendin e vet, atëherë mund të flasim për perfeksion. Teatri ka të mirën dhe të keqen që bëhet fjalë për qenie të gjalla me një të shkuar të tyre, me përditshmërinë, bioritmin e asaj dite… Por artistët janë njerëz që u pëlqen rreziku, adrenalina, ai tensioni, që shndërrohet në kënaqësi.
Por duhet thënë që komuniteti artistik është jo pak problematik…
Kjo ka qenë një shtysë e brendshme për të trajtuar një temë të tillë. Jo vetëm komunitetit të aktorëve, por përmes dy personazheve, ky tekst u flet dy qenieve, dy bashkëpunëtorëve, në çdo sferë të jetës. Janë arsye fare banale, që kanë çuar në pikën që ata të mos flasin mes vetes. Arsye fare të vogla kanë lënduar ego të mëdha. Me këtë tipizim të marrëdhënieve mes dy njerëzve sjellim atë mes dy kolegësh, pavarësisht profesionit… E vërtetë është që duhet të sillemi tek esenca e katarsisit shpirtëror, që gjërat që na ndajnë janë shumë banale dhe të vogla, krahasuar me ato që na bashkojnë. Dhe ka shumë më tepër hidhërim dhe vuajtje tek ai person që ne mendojmë se merr kënaqësi. Mendoj se këta dy janë persona të vetmuar. Ata janë viktima të egos së tyre dhe kjo është edhe arsyeja pse mendoj që ky tekst ia vlen më shumë sesa një komedi situatash. Ideja ime nuk është që ata të sjellin një komedi, por një dramë, ku komikja vjen prej situatash, ku siç thotë populli, digjet jorgani për një plesht.
E megjithatë, nëse kthehemi sërish te komuniteti artistik, do duhej të bashkëpunonte më shumë mes vetes, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, për të tejkaluar problematikat, për të cilat flitet rëndom?
Personalisht vlerësoj se arti, teatri, artistët duhet të jenë shembull i fisnikërisë, i tolerancës. Nëse shoqëria duhet të ketë modele sjelljeje, atëherë duhet të jenë artistët ata të parët që duhet të përçojnë energji pozitive në shoqëri. Nuk i shkon një artisti të jetë meskin, i ngushtë dhe çelësi i zgjidhjes së të gjitha problemeve qëndron pikërisht te lufta për të mposhtur egon. Betejat nuk duhet të jenë me tjetrin, por me veten tonë. Tani po fillon një frymë e re, një botëkuptim i ri. Mendoj që gradualisht kemi filluar të kuptojmë se jemi të nevojshëm për njëri-tjetrin dhe për këtë duhet të komunikojmë më shumë. Ka filluar të kuptohet se mbyllja nuk është sukses. Mbyllja është vetëkënaqësi dhe vetëkënaqësia në art është shkatërruese.
Sapo është ndërtuar një kalendar i përbashkët kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës, do duhej që të bëhej edhe me Maqedoninë, ndoshta?
Shpesh kam marrë pjesë nëpër debate dhe e kam përshëndetur një nismë të tillë, që bëhet me ndikimin e politikës, çka është shumë e nevojshme. Politikat kulturore nuk mund të bëhen me iniciativa individuale, të cilat nuk kanë munguar. Ka pasur komunikime të vazhdueshme, por është koha për të bërë një hap më tepër dhe unë e them shpesh që jemi në një fazë që duhet të krijojmë një trupë të përbashkët, që unë e quaj parlamenti kulturor, ku të debatohen dhe diskutohen problematika, për t’i dhënë një drejtim jetës kulturore të përgjithësi. Kemi nevojë që gjithë këtë energji dhe potencial ta fusim në një kornizë që të çon në suksese pak më të mëdha. Me këtë energji, potencial, madje edhe me këto fonde mund të japim shumë më tepër produkte cilësore.

Zhusti: Marrëdhënia e personazheve, si imja me Ndrenikën
Për aktorin Viktor Zhusti, është skena ajo që i thotë të gjitha. E vështirë ta shkëpusësh nga provat, të cilat i ka marrë me shumë zell e që duket se, përveçse e kanë përfshirë të tërin, edhe e argëtojnë me batutat dhe situatat që krijojnë. Sipas tij, është një pjesë që kumton shumë të vërteta. “Është një vepër e këndshme, së pari për mua dhe kolegun Ndrenika, por edhe për publikun shqiptar. Marrëdhënia e këtyre dy personazheve ka shumë gjëra të përbashkëta me atë që ne kemi jashtë skenës. Kanë të njëjtin profesion, mosha e tyre është e përafërt dhe uroj që fati ynë të mos jetë i ngjashëm me atë të personazheve që kemi në shfaqje. Është një shfaqje që besoj që do ketë jehonë dhe një pritje shumë të mirë nga publiku, jo vetëm sepse është një shfaqje e këndshme, me një humor të këndshëm, por edhe për faktin që tema të tilla, të ngrohta, njerëzore, të buta, pa eksese të forta, tanimë shohim pak në skenë dhe në jetën tonë të përditshme”, thotë Zhusti. Duke qëndruar në atmosferën e “Djemve gazmorë”, por edhe të përditshmërisë, që nuk ka se si të mos rezonojë në punën e aktorëve, me një batutë gjithnjë gati, Zhusti thotë se “është një shfaqje pa tritol”. Referuar tekstit, por edhe marrëdhënieve me kolegun Robert Ndrenika, ai thotë se në punën e tyre nuk mungon debati, por ai është gjithnjë në të mirë të punës. “Debatojmë, por jo në këtë mënyrë. Këto janë rrethana skenike që edhe ekzagjerohen, amplifikohen. Bastunin e përdor, por jo si shkop për të qëlluar”, thotë ai.

Shfaqja
Titulli: Djemtë gazmorë
Autori: Neil Simon
Regjia: Sulejman Rushiti
Interpretojnë: Elia Zaharia, Albana Koçaj Sançolli, Genti Deçka dhe Nigda Dako   
Premiera: 28 shkurt, Teatri Kombëtar i Komedisë

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura