
“Nëse ura penguese nuk ndalonte makinën që çau portën e Kryeministrisë, ngjarja kthehej në tragjedi”
Ish-kreu i Gardës në gjyq: Prokuroria më shantazhoi, na pyetën natën.
Ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, mohoi dje akuzën për vrasjen e Faik Myrtajt dhe plagosjen e personave të tjerë në ngjarjen e 21 janarit.
Nga banka e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës, Prendi tha se në 21 janar 2011 Garda kishte kryer vetëm detyrën që i takon me ligj. Ai nuk e pranoi akuzën e ngritur nga Prokuroria për “vrasje me dashje, e kryer ne mënyrë të rrezikshme për jetën e shume personave”. Njëkohësisht Prendi u shpreh se më 21 janar “gjatë gjithë situatës në mbrojtjen e Objektit të Rëndësisë së Veçantë (Kryeministrisë) prej 5 orësh sulmesh fizike e psikologjike, nuk kam marrë dhe nuk kam dhëne asnjë urdhër për përdorimin e armatimit luftarak”. Deklaratat e ish-kreut të Gardës u dëgjuan në seancën e djeshme në ngarkim të tij dhe dy ish-gardistëve, Agim Llupos dhe Margarit Kumes në Gjykatën e Tiranës. Fill pasi trupa gjykuese çeli procesin dhe Prokuroria lexuan kërkesën për gjykim, i pandehuri Prendi kërkoi të drejtën e një deklarimi të lirë. Duke lexuar një material prej 25 faqesh, Prendi sulmoi ashpër Prokurorinë, që sipas tij nuk ka bërë hetim, ka kërcënuar dhe shantazhuar gardistët gjatë marrjes së deklarimeve, ka fabrikuar prova, si edhe ka gabuar në formulimin e akuzës.
DEKLARIMI
Për 50 minuta rresht, me një ton zëri tipik prej ushtaraku, i pandehuri Ndrea Prendi deklaroi para trupit gjykues se përse nuk e pranonte akuzën. Në një material prej 25 faqesh, duke iu referuar dispozitave ligjore, ai shfaqi pretendimet e tij mbi hetimin e ngjarjes për të cilën akuzohet. Sipas Prendit, “mëkatet” e Prokurorisë nisnin që pak orë pas ngjarjes, kur ndaj tij dhe 5 efektivave të tjerë të Gardës u lëshuan urdhra ndalimi si të dyshuar për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim. Prendi tha se organi i akuzës kërkoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest ne burg”, madje gjashte herë në të gjitha nivelet e gjykimit, si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. “Sikur unë me efektivin që kam drejtuar, të ishim në krye të një bande për kryerje krimesh të organizuara”, tha Prendi. Sipas tij, në kërkesën për gjykim Prokuroria është treguar e njëanshme, duke vënë në dukje vetëm disa nga veprimet e dhunshme kundër Gardës më 21 janar dhe duke mos përmendur disa të tjera. “Organi i akuzës, në kronologjinë e zhvillimit të demonstratës, ndoshta jo pa qëllim nuk evidenton sulmin vdekjeprurës me automjet ndaj forcave te Gardës, ndërkohë që, nëse automjeti nuk do të ndalej nga mekanizmi antiterror, pasojat do të ishin fatale”, u shpreh Prendi.
PRESIONI
Ish-kreu i Gardës u shpreh se ndaj tij dhe gardistëve të tjerë ishte ushtruar presion psikologjik, kur kishin dhënë deklarime në Prokurori për llogari të hetimeve. Pasditen e 21 janarit ai dhe gardistë të tjerë janë thirrur në Prokurori, ku sipas tij janë lënë 6 orë në pritje e më pas janë pyetur për gjithë natën deri në 5:00 të mëngjesit. “Gjatë kohës së marrjes në pyetje, komunikimi i prokurorëve ishte provokues, me presione për të deklaruar atë që diktonin ata. Me shantazhe për të deklaruar me çdo kusht se efektivave të Gardës i është dhënë urdhër për të hapur zjarr mbi protestuesit, kundrejt premtimeve se do të ishin në mbrojtje nga prokurorët, ose e kundërta, mospranimi do të ndëshkohej rëndë”, pohoi Prendi.
ARMËT E ZJARRIT
Sipas Prendit, më 21 janar Garda e Republikës ka ushtruar detyrën e saj në zbatim të ligjit. “Me datë 21 janar 2011, efektivat e Gardës kanë përdorur armët e zjarrit vetëm në ajër, pasi kanë paralajmëruar më parë dhe të shoqëruar me zë me altoparlant, duke respektuar gjatë gjithë harkut kohor të zhvillimit të demonstratës rregullat e përcaktuara ne nenin 7 te Ligjit. Gjithashtu, zjarri me fishekë luftarak ne ajër ka filluar vetëm pasi përdorimi i të gjitha mjeteve pasive nuk dha rezultat për tërheqje të grupeve sulmuese dhe në fillim ka qenë me fishekë manovër. Me mbarimin e fishekëve manovër, është përdorur zjarri luftarak vetëm në ajër, duke paralajmëruar më parë dhe i shoqëruar me thirrje me zë me altoparlant”, tha Prendi. Po aty, Prendi shprehu rezerva për mënyrën si janë bërë akt-ekspertimet e armëve të Gardës, si edhe faktin se emri i laboratorit të FBI-së është përdorur nga Prokuroria si garant në procedurën e ndërtimit të akuzës.
“CIVILET”
Ndrea Prendi shprehu habi dje se si Arben Çuko dhe Zydi Dajti etiketohen si “civilë” në kërkesën për gjykim. “Shtetasi Arben Çuko është deputet i subjektit politik organizator dhe pjesëmarrës në demonstratë. Shtetasi Zydi Dajti, më datë 21 janar 2011 ishte me detyrë drejtor i Policisë Bashkiake, të Bashkisë Tiranë, me kryetar Bashkie kryetarin e subjektit politik, që organizoi demonstratën, ishte drejtues i një strukture ligjërisht të armatosur”, tha Prendi.
MOSPRANIMI
Gjatë deklarimit të tij, Prendi tha se Prokuroria nuk kishte asnjë element hetimi apo prove kundër tij. “Nga organi i akuzës, më datë 21 janar 2011 jam etiketuar si fajtor, pa asnjë element hetimi e prove në flagrancë për vepër penale. Gjatë një viti janë fabrikuar prova nga më të ndryshmet, dhe në një mënyre të tillë, që të japë siguri, për të arritur qëllimin e sulmit dhe të denigrimit të institucionit të Gardës, kur më datë 21 janar 2011 Garda ishte vetëm në detyrën funksionale, në mbrojtje të institucioneve kushtetuese dhe të sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore, në përputhje me përcaktimet ligjore e nënligjore në fuqi për këtë qëllim”, u shpreh Prendi. Në vijim, ai tha “Jo vetëm që nuk e pranoj akuzën e lidhur me emrin tim, por vlerësoj se është e padrejtë dhe e papranueshme, por mbi gjithçka është shkelje ligjore për Prokurorinë dhe shtetin që mbrojtësit e ligjit ndodhen të arrestuar e të sulmuar ashpër nga Prokuroria e Shtetit dhe se është shkelje ligjore që, për organizatorët dhe sulmuesit, për ata që organizuan e zhvilluan për 5 orë dhunë, sulme fizike dhe psikologjike, duke përfshirë dhe sulmin me automjetin vdekjeprurës, është realizuar mbrojtja nga Prokuroria e Shtetit”.
Gjykata rrëzon kërkesën e avokatëve, autopsia e viktimave është e rregullt

TIRANE – Një treshe gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha çeli dje shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të Ndrea Prendit, Agim Llupos dhe Margarit Kumes, të akuzuar në lidhje me vrasjet në demonstratën e 21 janarit 2011. Më herët, gjykata rrëzoi kërkesën e bërë nga mbrojtësit një seancë më parë për pavlefshmërinë e dy ekspertizave mjekoligjore, të Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Sipas trupit gjykues, kërkesa ishte e pabazuar në ligj dhe në prova. Në kërkesën për gjykim, përfaqësuesit e Prokurorisë paraqitën para gjykatës të gjithë hetimet e kryera për llogari të ngjarjes së 21 janarit dhe akuzat e ngritura ndaj Ndrea Prendit, Agim Llupos dhe Margarit Kumes. Prokurorët cituan rezultatet e akteve të ekspertimit të armëve dhe plumbave, të kryer në laboratorët shqiptarë, por edhe në ato amerikanë të FBI-së. Bashkëngjitur kërkesës për gjykim, përfaqësuesit e akuzës lexuan edhe listën me emrat e dëshmitarëve, që do të pyeten ne proces. Në nisje të seancës së djeshme, e dyta në radhë e këtij procesi, kryesuesi i trupës gjykuese bëri me dije dy padi civile të familjarëve të Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës për dëmshpërblim. Për shkak se ishin të paplota, gjykata u dha edhe një javë kohë avokatëve për plotësimin e tyre. ar.ba
Predha e Veizit, Llupo kërkon të rieksportohet

TIRANE – Mangësi dhe parregullsi në hetimin e ngjarjes së 21 janarit u pretenduan dje edhe nga avokatët e të pandehurve. Mbrojtësi ligjor i të pandehurit Ndrea Prendi, avokati Genci Gjokutaj, tha dje para trupit gjykues se klienti i tij kishte zbatuar detyrën e tij kushtetuese më 21 janar 2011. Në parashtrimet e tij hyrëse, avokati Gjokutaj u shpreh se në asnjë rast Prokuroria nuk është marrë me personat që sulmuan Kryeministrinë. “Prokuroria nuk u mor me sulmuesit”, tha Gjokutaj. Nga ana e tij, avokati Besnik Çerepi, mbrojtës i të pandehurit Agim Llupo kërkoi kryerjen e të tjera veprimeve hetimore për llogari të klientit të tij. Avokati i kërkoi gjykatës kryerjen e një akt ekspertimi kimik të predhës që ka vrarë Ziver Veizin. Avokati kërkoi të thirren në gjykim dy ekspertët që kanë realizuar ekspertimin e parë, për të hedhur dritë mbi deformimin e predhës. Ndër të tjera, mbrojtësi i Llupos kërkoi kryerjen e eksperimentit hetimor për vrasjen e Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit. Avokati Çerepi tha se për 15 muaj me radhë ndaj klientit të tij nuk ishte realizuar asnjë veprim hetimor. Ky fakt u pretendua edhe nga vetë i pandehuri Llupo nga kafazi i sallës së gjyqit. “Nuk ka ardhur njeri për 15 muaj. Më kanë komunikuar vetëm shtyrjen e hetimeve dy oficerë të Policisë Gjyqësore. Nuk më tregonin as emrin e prokurorit që po merrej me dosjen. I kanë bërë veprimet në zyrë”, u shpreh Llupo. Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Margarit Kume, avokati Qazim Gjoni, në parashtrimet hyrëse ritheksoi se klienti i tij është i pafajshëm. I mbrojturi prej meje, Margarit Kume, nuk ka kryer veprime apo mosveprime për fshehjen e së vërtetës”, tha avokati. ar.ba
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











