Ndihma për punëdhënësin, pa sigurime kush punëson gra

Jan 12, 2012 | 11:59

Një program i veçantë për të nxitur punësimin e femrave nga grupet e veçanta. Bëhet fjalë për ato gra, të cilat janë të papuna për një periudhë të gjatë kohe, që përfitojnë nga programet e ndihmës ekonomike, janë mbi 50 vjeç, apo i përkasin komunitetit rom. Pjesë e këtij grupi do të jenë dhe vajzat nëna, femrat e divorcuara me probleme sociale, apo ato që janë rikthyer nga emigracioni dhe kanë probleme ekonomike. Sipas vendimit, punëdhënësi që punëson me kontratë, me kohëzgjatje njëvjeçare, punëkërkues të papunë femra nga grupet e veçanta, mund të përfitojë  financim për një vit në masën 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të pjesës së punëdhënësit. Gjithashtu mund marrë një financim për katër muaj në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajt e pestë e të gjashtë dhe të njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës. “Punëdhënësi përfiton edhe punësimin deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve (të tre muajve të fundit përpara aplikimit) për mikrondërmarrjet dhe deri në 50 për qind për ndërmarrjet e tjera”, thuhet në vendim. Sipas tij, punëdhënësi që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës, verifikuar nga Inspektorati i Punës, si dhe duhet të ketë derdhur rregullisht tatimet e sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, veçanërisht për vitin e fundit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit apo zyrat rajonale të punësimit bëjnë njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike çdo vit për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program. Për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrës përkatëse të punësimit, ku ai e zhvillon veprimtarinë, dosjen me dokumentacionin përkatës. Zyra e punësimit propozon më shumë kandidatura punëkërkuesish që plotësojnë kriteret për një vend të kërkuar nga punëdhënësi. Ky i fundit përzgjedh kandidatin më të përshtatshëm. Punëkërkuesit e papunë që kundërshtojnë të marrin pjesë në këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim. Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi, punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila, në bashkëpunim me inspektoratin rajonal/vendor të punës, ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.

Femra nga grupet e veçanta janë:
•    Femra të papuna për një periudhë afatgjatë
(të regjistruara, si punëkërkues i papunë prej më shumë së një viti)
•    Femra që përfitojnë nga programet
e mbështetjes me të ardhura
•    Femra të trafikuara
•     Femra mbi 50 vjeç
•    Femra rome
•    Femra me aftësi të  kufizuara
•    Vajza nëna
•    Femra të divorcuara me probleme sociale
•    Femra që kthehen nga emigracioni,
me probleme ekonomike.

© Panorama.al

Te lidhura