Ndërpritet qarkullimi në aksin Qafë Plloçë–Qukës për shkak të inerteve dhe dherave! Segmenti do qëndrojë i mbyllur derisa firma kontraktore të pastrojë rrugën

Jan 7, 2026 | 20:18

Për shkak të inerteve dhe dherave në aksin Qafë Plloçë–Qukës, aktualisht është ndërprerë qarkullimi në këtë segment. Sipas informacioneve më të fundit, për të marrë masa lidhur me sigurinë e qarkullimit dhe për të shmangur rreziqet, si në rastin e mjetit të aksidentuar paraditen e sotme, qarkullimi në këtë aks është mbyllur përkohësisht.

qukes qafe plloce

Policia Rrugore e Korçës dhe ajo e Elbasanit po orientojnë mjetet drejt rrugës së vjetër, duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe në hyrje të Qukësit, për të mos lejuar hyrjen në aksin e ri.

Aksi do të qëndrojë i mbyllur deri në momentin që firma kontraktore të pastrojë plotësisht të gjitha dherat dhe inertet që kanë rënë në rrugë dhe derisa të mos ketë më rrezik për qarkullimin e mjeteve. Firma kontraktore ndodhet edhe në këto momente në aks, ku po kryen ndërhyrjet, ndërsa ende nuk dihet se sa do të zgjasë bllokimi i qarkullimit në këtë zonë.

© Panorama.al

Te lidhura