Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, në moshën 40-vjeçare, ka tronditur jo vetëm familjen dhe kolegët e tij, por mbarë opinionin shqiptar.
Në homazhet që nisën gjatë mesditës së sotme në Vlorë, ka marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Homazhet po mbahen në teatrin “Petro Marko”, në Vlorë deri në orën 14:00, ku më tej gazetari do përcillet për në banesën e fundit dhe do i jepet lamtumira.
Gazetari Enrik Mehmeti humbi jetën, pasditen e së shtunës, në moshën 40-vjeçare, pas një aksideti me motor në plazhin e Porto Novës, në Zvërnec.
Gazetari Enrik Mehmeti ka raportuar ngjarjet nga qarku i Vlorës. Për vite me radhë, Mehmeti ishte fytyra dhe zëri që solli në ekranin e Neës24 ngjarjet më të rëndësishme të jugut të vendit, nga kronika e zezë te operacionet policore, zhvillimet sociale, politike dhe turistike. Ai njihej për praninë e menjëhershme në vendngjarje, raportimet ekskluzive dhe këmbënguljen për të sjellë informacionin e verifikuar, edhe në situata të vështira.
Ai iu bashkua Neës24 që në ditët e para të themelimit të televizionit, duke raportuar me përkushtim dhe profesionalizëm për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, nga kronika e zezë, operacionet e bujshme policore, problematikat sociale, turizmi etj.,
Më herët edhe kreu i PD, Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Blushi dhanë mesazhet e ngushëllimit në rrjetet sociale.
Sot në orën 14:00, familjarë, miq dhe kolegë do t’i japin lamtumirën e fundit gazetarit të njohur.
© Panorama.al













