
Ish-presidenti i Republikës Italiane, Oskar Luixhi Skalfaro, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Lajmi u bë i ditur dje në mëngjes nga një ish-bashkëpunëtor i ngushtë i tij. Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një mesazhi drejtuar homologut të tij italian, Mario Monti, ka shprehur ngushëllimet për qeverinë italiane dhe familjen e ish-presidentit, Oskar Luixhi Skalfaro, për ndarjen e tij nga jeta. “Me ndarjen nga jeta të ish-presidentit dhe senatorit Oskar Luixhi Skalfaro, familja, kombi italian, Italia mike, humbën një burrë shteti të shquar që u shërbeu me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, shqiptarët humbën një mik të vërtetë. Lutem së bashku me ju që shpirti i të ndjerit senator dhe ish-presidentit Skalfaro të gjejë paqen e merituar”, shkruhet mes të tjerash në mesazhin e Kryeministrit shqiptar. Presidenca e Skalfaros (1992-1999) ishte mjaft domethënëse. Ai u zgjodh në këtë post dy ditë pas masakrës së Kapaçit, ku humbi jetën gjykatësi i famshëm Xhovani Falkone. Skalfaro e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1996. Presidenti aktual italian, Xhorxho Napolitano, tha se “Skalfaro ka qenë protagonist i jetës politike demokratike për shumë dekada dhe shembull i koherencës ideale dhe integritetit moral”. Ceremonia mortore mbahet sot, në formë private, në Romë.











