Nano, ultimatum për Ramën dhe PS

Jun 3, 2012 | 12:19

Fatos Nano

Pas takimit me Ruçin, ish-kreu socialist mbledh ish-drejtues dhe deputetë të PS para takimit Rama-Berisha.

“Më kandidoni sot, ndryshe do të krijoj parti të re të majtë”

Ish-lideri historik i Partisë i Socialiste, Fatos Nano, ka kërkuar dje publikisht mbështetjen nga kryetari Edi Rama për postin e Presidentit, në rast të kundërt, ai do të krijojë një lëvizje të re politike brenda së majtës.
Në prag të takimit midis Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës Edi Rama, kandidati i vetëshpallur për postin e kreut të shtetit, Fatos Nano, zhvilloi një takim me ish-deputetët, ish-drejtues të PS-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët ka shpjeguar arsyet e vetëofrimit për postin e Presidentit. Nano, gjatë takimit me përkrahësit e tij e ka cilësuar si të pakuptimtë dhe të paarsyetuar qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste për të mos i dhënë mundësinë e firmave të deputetëve dhe për t’i mundësuar atij të hyjë zyrtarisht në garën presidenciale. Një shqetësim të tillë ish-kryeministri Fatos Nano ia ka përcjellë dhe kryetarit të Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, gjatë një takimit sekret, i zbardhur ditën e premte nga “Panorama”. Pas këtij takimi, qëndrimi është bërë publik për mediat në një deklaratë për shtyp, ku theksohet se ngurrimi i kreut aktual të selisë rozë për t’i dhënë mbështetjen ish-liderit historik të së majtës   mbetet një pikëpyetje e madhe. “Fatos Nano ka shpjeguar se vetofrimi i tij me së shumti ka synuar të pikëtakohet me PS dhe kandidimi i tij të niset dhe mbështetet edhe për faktin se Fatos Nano ka qenë për 15 vjet kryetar i PS-së. Në këto takime është folur edhe për ngurrimin e gjatë, të pakuptueshëm dhe të paarsyeshëm të kryetarit të PS-së, Edi Rama, për ta mbështetur politikisht dhe me firma kandidimin e Fatos Nanos për President”, thuhet në deklaratën e Fatos Nanos.
Moskandidimi
Gjatë takimit me mbështetësit, ish-kryeministri ka paraqitur dhe një alternativë të dytë, në rast se PS-ja do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim ndaj tij, duke mos i mundësuar kandidimin për postin e kreut të shtetit. “Plani B” i ish-liderit të PS-së, në rast se nuk merr mbështetjen e kryesocialistit Rama, do të jetë krijimi i një force të re politike, gjithëpërfshirëse brenda së majtës. “Në një rast të tillë, nëse Edi Rama nuk e mbështet Fatos Nanon në kandidimin për President, atëherë në këto takime u përcaktua gatishmëria për fillimin e përgatitjeve për një lëvizje të re politike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që duan t’i dalin për zot fateve të Shqipërisë dhe që e duan Shqipërinë europiane”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga mbështetësit e Fatos Nanos.

Malaj: PS të kandidojë Fatos Nanon
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, mësohet se ka debatuar ashpër me kryetarin socialist, Edi Rama, lidhur me emrin që PS duhet të deklarojë si kandidat për President. Malaj i ka kërkuar Ramës të deklarojë në emër të PS-së Fatos Nanon si kandidat të mbështetur prej saj, kandidaturë për të cilën duhet të negociohet dhe me Sali Berishën. Mësohet se Rama dhe Malaj kanë shkëmbyer batuta, ndërsa kreu i PS-së është treguar ngurrues dhe i paqartë për çështjen e procesit të propozimit të emrave.

Ish-kreu i PS kërkon konsensus
Kandidati i vetëshpallur për postin e Presidentit të Republikës, Fatos Nano, deklaroi se kishte qëllim të merrte konsensusin e partive politike për të realizuar ambicien presidenciale. Nano ishte i vetmi kandidat që nisi turin e takimeve me krerët e partive parlamentare për të kërkuar mbështetjen e tyre në Parlament. Në takimet e tij, Nano ka marrë mbështetjen e LSI, PDIU, PBDNJ, PR, por jo të dy partive kryesore parlamentare, PS dhe PD.

Lëvizja e Nanos, përgatiten strukturat
Përgatitjen e lëvizjes së re politike të ish-liderit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, mund të fillojnë që javën e ardhshme. Në deklaratën e shpërndara nga përkrahësit e Nanos theksohet se është caktuar një grup pune që do të koordinojë përgatitjet e kësaj lëvizjeje të re politike, që mund të fillojë që pas raundit të tretë të votimit për postin e kreut të shtetit. Ndërkohë, ditën e hënë do të zhvillohet dhe raundi i dytë i votimit në Kuvend.

Takimi Nano-Ruçi
Kandidati i vetëshpallur për postin e Presidentit, Fatos Nano, ka zhvilluar ditën e premte një takim sekret me kryetarin e Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Në takim Nano ka kërkuar mbështetjen e kandidaturës së tij nga Edi Rama, në të kundërt, pasojat do të binin mbi selinë rozë. Fatos Nano ka paralajmëruar Ramën se do të krijojë një lëvizje të re politike, në rast se nuk e mbështet atë në garën për President.

Konsensusi
Gjatë një interviste në “Top Story”, Gramoz Ruçi nuk e ka përjashtuar Fatos Nanon nga ambicia e tij për President, por nga ana tjetër, asnjëherë nuk është shprehur se “Nano nuk është kandidati ynë”. Ruçi tha se kandidatura e Nanos duhet të dalë si konsensuale nga tryeza mes Ramës dhe Berishës. Pritet që dita e diel të jetë vendimtare për një proces konsensual mes palëve, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura