
DURRES- Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë për 7 të arrestuarit në doganën e Porto-Romanos në Durrës, dy ditë më parë. Shtatë persona, mes tyre dy doganierë, u vunë në pranga nga Policia e Durrësit për akuzën e kontrabandës me mallrat që paguhet akciza.
Gjykata e Durrësit dha sot për Ylli Troplinin, doganier, arrest me burg për 30 ditë, për Artur Mustafën, doganier, arrest me burg për 10 ditë dhe Selman Doçin, përgjegjës turni në doganë, burg për 20 ditë. Për Klodian Çullhaj, agjent doganor dhe Pëllumb Metollari e Afrim Meçe, shofer është dhënë masa e arrestit “burg pa afat”. Gjykata la në burg pa afat edhe Laurent Begën, magazinier.
Arrestimi i shtetasve është bërë pas një hetimi të kryer nga Sektori Kundër Krimit Financiar, duke finalizuar me sukses operacionin policor “Siguria”.
Aksion i policisë për arrestimin e këtyre personave u krye në orët e para të mëngjesit të së dielës, vetëm një ditë pasi kishin kaluar kontrabandë dy autobote të mbushur me karburant.
Prokuroria ka bërë me dije se personat e arrestuar ishin mbajtur nën hetim prej disa muajsh, pasi në rrugë operative kishin siguruar informacion se në portin e Romano-Port zhvillohej kontrabandë.
Ndërkohë që burime policore kanë saktësuar se për të tjerë persona vijon hetimi, pasi dyshohet të jenë bashkëpunëtorë në ezaurimin e veprës penale, të kontrabandës me mallrat që paguhet akciza.
© Panorama.al











